Burri i këngëtares së njohur kosovare, Arta Bajramit, Xhemajl Xhimi Sekiraqa i arrestuar të premten e 3 shkurtit nga Policia e Kosovës, është liruar sot në arrest shtëpiak. Ai ishte i kërkuar me urdhër-arrest ndërkombëtar për grabitjen e një ore “Rolex”, në Bahrein. Kështu konfirmoi për Gazetën Insajderi, Gjykata Themelore e Prishtinës.
Këngëtarja e disa hiteve, Arta Bajrami nuk e ka mirëpritur telefonatën nga Insajderi për të sqaruar për opinionin publik të vërtetën në lidhje me arrestimin e më pas lirimin e bashkëshortit të saj, Xhemajl Sekiraqa.
Me një ton të lartë, Bajrami ka kërkuar që të mos merremi më me ketë temë që është në interes për publikun dhe adhuruesit e muzikës së saj.
Edhe pse ajo pretendon që është vetëm këngëtare dhe merret me muzikë, Bajrami përpiqet të luaj edhe rolin e gjykatëses. Lajmin për arrestimin e bashkëshortit të saj e ka konfirmuar policia e prokuroria e shtetit, ndërsa Bajrami vazhdon të thotë së nuk është e vërtetë duke e quajtur si “dezinformata të kafeve”
“Unë jam këngëtarja Arta Bajrami dhe jam duke e bërë albumin e nëse doni me informu publikun për album tim mundem me u prononcu se për dezinformata të kafeve unë nuk jom për ato biseda. Oj shoqe jam prononcu një herë, a kupton ti shqip, shqip jom tu fol nuk jom tu fol anglisht. Plokulolia plokulolia, unë po te tregoj që jam prononcu njëherë. Çka po me thirrni tash a? mos me ndal këtë teme a?”, ka thënë ajo gjatë një bisede me gazetaren e Insajderit.
Prokuroria konfirmon arrestimin e burrit të Arta Bajramit
Xhemajl Xhimi Sekiraqa, tashmë i njohur si burri i këngëtares së njohur kosovare, Arta Bajramit, është arrestuar para katër ditësh nga policia, për vjedhjen e një ore “Rolex”, në Bahrein.
Sekiraqa u arrestuar në rrugën “UÇK” në Prishtinë, ku sipas policisë i njëjti po kërkohej në nivel kombëtar e ndërkombëtar dhe ishte i dënuar me 10 vite burgim.
“Policia e Rajonit të Prishtinës po vijon punën e saj me qëllim kapjen e personave të implikuar në raste kriminale, veçmas ata të cilët janë dënuar me vendim gjykate si dhe janë shpallur në kërkim në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Në këtë drejtim veprimet operative të ndërmarra në funksion të angazhimit policor, dje kanë rezultuar me kapjen e të dyshuarit, të dënuar me dhjetë vite burgim. Operacioni u krye në orët e pasdites së djeshme, në rrugën “UÇK” në Prishtinë, me ç’ rast u arrestua dhe u procedua më tej në përputhje me urdhër arrestin ndërkombëtar; -Xh. S, mashkull, 43 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës”, u tha në njoftimin e policisë, të datës 3 shkurt.
Tashmë, Xhemajl Xhimi Sekiraqa i kërkuar me urdhërarrest ndërkombëtar për veprën penale “Grabitja” po mbahet ne arrest shtëpiak nga organet e rendit në Kosovë.
Kështu ka konfirmuar për Gazetën Insajderi, Gjykata Themelore në Prishtinë.
“Referuar kërkesës tuaj për informacione, ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka pranuar kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit – të kërkuarit për ekstradim Xhemajl Sekiraqes”
“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, ka caktuar masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një (1) muaji. Kundër këtij aktvendimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 24 orësh, drejtuar Gjykatës së Apelit”, thuhet në përgjigjet e Gjykatës dhënë Insajderit.