×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    “Plumbi është më i mirë se …..”, rrëfimet e dëshmitarëve në gjykimin ndaj Gjokoviqit për krime lufte

    Insajderi
    01 March 2024 - 21:45
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Në gjykimin ku Millorad Gjokoviq po akuzohet për krime lufte, dëshmitarët Shaban dhe Selman Gashi, të premten kanë deklaruar se në vitin 1999 e kanë parë tani të akuzuarin Gjokoviq me uniformë.Të njëjtit, po ashtu kanë rrëfyer për burgosjen dhe përjetimet e tyre gjatë vitit 1999.

    Dëshmitari Selman Gashi deklaroi se ishte burgosur nga ushtria më 7 maj të vitit 1999, ku sipas tij kishin qenë 44 persona, ndërsa pas natës së tretë kur i kishin dërguar në një shtëpi tjetër, kishin mbetur 11 persona.

    “Na kanë burgos, na kanë shti në një garazhë 72 orë, pa hangër, pa pi”, shtoi Selmani.

    Ndërsa, tha se më pas i kanë detyruar që të shkojnë në një shtëpi private dhe të lajmërohen në stacionin e policisë çdo mbrëmje, ku tha se kishin qëndruar derisa kishin ardhur KFOR-i.

    Selman Gashi tha se tek stacioni i policisë (shupa e M.H.) e kishte parë të akuzuarin, ku tha se e kishte dëgjuar t’i ketë thënë axhës së tij (axhës së dëshmitarit) se nuk e ka shkrepur asnjë plumb.

    “Ky në atë moment i ka thanë qy qysh m’u ka ndryshk pushka, s’e kom qit asnjë fishek”, tha Selmani të ketë dëgjuar të akuzuarin Gjokoviq t’i ketë thënë axhës së tij Osmanit.

    Po ashtu, i njëjti ka deklaruar edhe se ka pasur dhunë psiqike.

    “Dhuna psiqike ka qenë çdo sekond, ndoshta nganjëherë plumbi është më i mirë se dhuna psiqike, jo nganjëherë po shumë herë, se je i maltretum, nuk je i lirë asnjë sekond”, shtoi dëshmitari Selmani.

    Gjithashtu, për ditën e 7 majit të vitit 1999 ka deklaruar edhe dëshmitari Shaban Gashi.

    Ai tha se në mëngjesin e asaj dite, kishin dëgjuar krismat e armëve, që sipas tij kishte qenë ushtri, por me “sheshira”.

    “Nuk kemi ditë asni sen, kur kanë kërcitë krismat e armeve. U ba tym, piskatshin robt”, shtoi dëshmitari Shaban.

    Tutje, tha se pastaj kishin dalë në oborr e gjithë familja, kurse vëllai i tij nga frika e krismave kishte kaluar murin, duke dalë në anën tjetër.

    “Kanë kërsitë armët e gjata edhe nana ka piskat mesap e vranë A.”, tha më tej Shabani.

    Ai tha se i kishin thënë atij (Shabanit) që të shkonte ta gjente vëllanë e tij, duke e goditur me kondak.

    Shabani vazhdoi të tregonte se e kishte gjetur vëllanë, të cilit sipas tij po i rrjedhte gjak.

    Po ashtu, ai tha se atë ditë i plagosur kishte mbetur edhe H., për të cilin tha se e kishte gjetur të shtrirë në tokë dhe me gojën e mbushur me dhe.

    Ndërkaq, për të akuzuarin tha se e kishte njohur në vitin 1993-1994. Mirëpo, se nga ajo kohë më nuk e kishte parë deri në vitin 1999.

    Shabani tha se të njëjtin e kishte parë në vitin 1999, të veshur me uniformë, duke shtuar se i ai kishte pasur edhe pushkë në dorë, afër stacionit të policisë.

    Kurse sa i përket paslufte, Shabani deklaroi se kishte dëgjuar të tjerët të thonin se i akuzuari Gjokoviq e ka vrarë Z. dhe E.

    “Prej kujt kom dëgju nuk e di, veç thojshin Mici e ka vra ata, Mici e ka vra kta”, shtoi ai.

    Sipas aktakuzës së përpiluar më 23 qershor 2023, Millan Gjokoviq akuzohet se në vitet 1998-1999, në fshatin Ozdrim- Komuna e Pejës dhe në fshatrat përreth regjionit të Pejës, si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe, ka aplikuar masat e vrasjes, bastisjes, rrahjes, maltretimit, arrestimit, torturës, trajtimit në mënyre mizore dhe çnjerëzore, mbajtjes në kushte skllavërie, dëbimit dhe deportimit të dhjetëra civilëve shqiptarë. Akuzohet edhe për plaçkitje, djegie dhe shkatërrimin e shtëpive të popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar.

    Në aktakuzë thuhet se nga ana veriore e fshatit Ozdrim me rrugën regjionale Pejë – Mitrovicë, kishin hyrë ushtria e rregullt dhe në fund nga ana perëndimore e fshatit Ozdrim e cila kufizohet me fshatin Vitormiricë kishin hyrë grupet paramilitare të përzier edhe me pjesëtarë të njësiteve speciale ushtarake, filluan të shtinin me armë në drejtim të popullsisë civile me ç‘rast u vranë gjashtë civilë të nacionalitetit shqiptarë: I.K Sh.K, E.M, R.Sh, Z.Sh dhe M.H, ndërsa tre civilë të cilët u plagosen nga këto të shtëna: A.G, H.G dhe M.G, fillimisht u transportuan  për në spitalin e Pejës e më pastaj u ekzekutuan dhe u varrosën në fshatin Lutogllavë, si dhe pesë civil të nacionalitetit shqiptarë: R.K, Z.K, A.K, A.K, A.Sh u vranë gjatë ofensivës, por asnjëherë nuk u gjetën trupat e tyre prandaj ende figurojnë si të zhdukur.

    Me këtë, Gjokoviq ngarkohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”, e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë ( tutje “LP i RSFJ-së”) si ligji në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale. /BetimipërDrejtësi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark