Kryetari i komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri ka thënë se Prokuroria Themelore e Pejës është duke bërë “filma” pas njoftimit që bëri se nesër do të ngrit një aktakuzë ndaj disa zyrtarëve të komunës në Pejë.
I kontaktuar nga Gazeta Insasjderi, kryetari Muhaxheri tha se nuk është në dijeni se për çka ka të bëjë aktakuza por sipas tij, “po bëjnë filma”.
“Po bënjë filma si herën e kaluar. Të shohim nesër se çka po thonë dhe iu përgjigjemi. Hetimet për komunën e Pejës kanë qenë prej atëherë kur e kanë bërë arrestimin spektakolar në kohë fushate, tash po shihet se kjo prap po vazhdon e nesër të shohim çka po duan me na sjellin”, deklaroi Muhaxheri për Insajderin.
Prokuroria Themelore në Pejë ka paralajmëruar se nesër do të ngrit aktakuzë ndaj dhjetëra zyrtarëve komunal të Pejës si të dyshuar për kryerjen e mbi 20 veprave penale që ndërlidhen me korrupsion.
Gazeta Insajderi merr vesh nga burimet në komunën e Pejës se aktakuza ka të bëjë me ndërtimet pa leje në zonën urbane. Po ashtu, sipas këtij burimi personat e akuzuar janë kryesisht drejtorë të drejtorive komunale në këtë komunë.
Ndërkohë, Shkodran Nikçi zyrtarë për media tha për Insajderin se nesër përmes një konference për media do të shpalosin detajet rreth aktakuzës.
“Për të shpalosur detaje nga rasti Prokuroria Themelore në Pejë ka ftuar mediet në një konferencë për medie për ditën e nesërme, me 24 shkurt, në ora 12:15 në objektin e Prokurorisë Themelore të Pejës”, tha ai.