×
  • Sport
  • Sport

    “Po kaloja në depresion. Nuk jam njeri i keq”, rrëfimi i Solomon, futbollistit të Gjilanit që u arrestua me urdhër të Interpolit

    Insajderi
    25 February 2023 - 14:14
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Theophilus Solomon, futbollist i Gjilanit, është arrestuar dje pasi e kishte një fletarrest ndërkombëtar.

    Kjo nuk është hera e parë që Theofilus Solomon, është arrestuar për dhunë në familje. Në një intervistë ekskluzive për “Top Channel” në vitin 2021 të për dhënë gazetarin Endi Tufa, ish-futbollisti i Partizanit dhe Ballkanit kishte treguar se çfarë ndodhi.

    Çfarë mund të them, kjo është jeta, çdo gjë ndodh për një arsye. Jam ende i befasuar nga e gjitha ajo që ndodhi, ishte si një koincidencë, ndodhi gjithçka shumë shpejt, nuk di vërtetë se çfarë të them. Unë kam patur një histori me shkëputje me atë vajzë, një muaj i lidhur, katër muaj të tjerë të ndarë. Por ajo që ndodhi, ndoshta ishte diçka që lidhej me xhelozinë. Ajo e mësoi që unë do të ikja nga Shqipëria, por jo se ku. I gjithë debati ndodhi në apartamentin tim. Dua të sqaroj që në fillim, se unë jam një njeri që i dua dhe i respektoj shumë femrat, mamaja ime na ka rritur mjaft mirë dhe me këtë frymë. Unë dhe e gjithë familja jonë asnjëherë nuk ka goditur askënd. Kur unë pashë raportin e policisë u shokova, shtanga dhe as mund të flisja më. Kisha edhe vëllain e vogël aty dhe pashë që ai filloi të qante. Por çfarë të bëja, unë jam i huaj, unë nuk di shqip dhe në polici askush nuk fliste anglisht. Nuk dija çfarë të bëja thjesht qëndrova në heshtje. U mundova të telefonoja njerëz që njihja që mund të më ndihmonin, por ishte mesnatë.

    Kjo ishte hera e parë që shkoni në një komisariat policie?

    Kjo ishte hera e parë në jetën time që isha në një komisariat policie, jo më në burg, që sigurisht ishte hera e parë. Ishte një ndjesi e tmerrshme, nëse do të qëndroja edhe ditë të tjera aty, do të humbisja gjithçka. Mendimet që më kalonin në kokë ishin se kush do të kujdesej për vëllain tim, sepse ne nuk kemi asnjeri, mendoja për karrierën time, unë nuk kam punë tjetër, nuk kam asgjë tjetër. Ishin 11 ditë që nuk komunikoja dot me askënd, po kaloja në depresion. Isha i trishtuar dhe ndonjëherë i nevrikosur. Nuk di mendova se ky ishte fundi im. I thoja vetes thjesht që ndoshta Zoti ka një plan më të mirë për mua. Për fat të mirë në ditën e 12-të vëllai im i vogël erdhi në komisariat të më takonte, më tha se kish ardhur çdo ditë, por askush nuk e kishte lejuar të hynte.

    A ju njihnin në polici?

    Por kishte disa policë që më njihnin dhe habiteshin se ça doja unë aty. Ndonjëri prej tyre më bënte edhe biseda të ndryshme rreth futbollit dhe Partizanit për të shtyrë kohën, ishte njëri veçanërisht që quhej Albani, nuk do ta harroj kurrë, ishte një djalë shumë i mirë, më fliste edhe pse nuk dinte mirë anglisht, por kuptoheshim. Ishte ai që më ndihmonte dhe më tregonte se çfarë ndodhte jashtë.

    Si kaluan ato 11 ditë në burg?

    I thashë vëllait që të mos i thoshte askujt në fillim, e mbante ai telefonin dhe kushdo që më kërkonte, ai gjente një justifikim për mua. Unë nuk kam familje, të vetmit njerëz që kam janë gjyshja dhe njerka. Ne jemi të varfër, nuk jemi të pasur që të mendojmë “ok” nëse nuk luaj unë futboll, kemi para për të jetuar, por ata më kanë vetëm mua, për këtë më duhet të bëj çdo gjë që të mbaj familjen.

    Po kur e mësuat që do të dilnit?

    Kur më thanë se mund të dilja, nuk e imagjinoni dot çfarë kënaqësie përjetova, nxitova të vija me vrap në shtëpi dhe gjëja e parë që më erdhi të bëja, ishte të bëja një dush të nxehtë dhe të ushqehesha dhe më pas bëra një shëtitje në këmbë, doja të thithja ajrin e pastër. Menjëherë njoftova menaxherin tim dhe i thashë të fillojë procedurat për vizën dua të iki menjëherë. Tani kam rifilluar stërvitjen për të rimarrë pak formën fizike, pasi ato ditë ishin si ferr për mua.

    Keni ndonjë mesazh për vajzën që ju krijoi këto telashe?

    Nuk kam asgjë për t’i thënë asaj vajze, unë nuk jam njeri i keq, nuk dua asgjë prej saj, i uroj që të jetë e lumtur dhe të jetë mirë dhe gjithë të mirat. Unë nuk jam i keq dua që ajo të jetë e lumtur, kështu jam unë.

    Ndërkohë, Policia e Kosovës sot ka dhënë detaje shtesë në raportin 24-orësh.

    “Bazuar në një urdhër-arrest ndërkombëtar nga Interpol të lëshuar nga Shqipëria, njësia FAST-ILECU ka arrestuar një mashkull shtetas nigerian të dyshuar për veprën penale ‘dhunë në familje’. I dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhej në raport.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark