Arben Gashi nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka reaguar lidhur me tensionet dhe përplasjet e fundit në Kuvendin e Kosovës.
Gashi ka paralajmëruar se situata po shkon drejt përplasjeve fizike, ndërsa ka kritikuar edhe, siç e ka quajtur ai, mungesën e një qëndrimi të qartë dhe të fortë të LDK-së.
“Situata në Kuvend po shkon drejt përplasjeve fizike, ndërsa insistimi për bllokimin e tij vazhdon”, ka shkruar Gashi.
Sipas tij, në këtë moment kritik Kosovës i nevojitet më shumë dialog, maturi dhe fokus në funksionimin e institucioneve.
“Në këtë moment kritik, po mungon një pozicionim i qartë dhe i fortë i LDK-së. Në fakt, Kosovës po i mungon LDK-ja. Po i mungon fryma Rugoviane”, ka deklaruar ai.
Gashi ka bërë thirrje që partia e tij të reagojë për situatën e krijuar në Kuvend.
“Sepse kur institucionet bllokohen dhe tensionet rriten, Kosovës i duhet më shumë dialog, maturi, shtet dhe Republikë. Është koha që LDK-ja të flasë”, shkroi Gashi.