Ministri i Bujqësisë Faton Peci, ka folur rreth ndarjes se granteve në këtë ministri, ku fitues doli vëllai i deputetes Fitore Pacolli. Në ndërkohë KB Krusha, ishte refuzuar.
Peci tha se po të ishte ai vlerësues për shkak të ndjeshmërisë do kishte thënë “së pari të fitoj Krusha”.
“Krejt janë të publikume, pesonalisht me qenë unë vlerësues për shkak të ndjeshmërisë, tragjedisë kisha thanë mas pari me fitu Krusha. Kam qenë disa herë në vizitë, kam pyetur Fahrijen se çka mundem me bë unë si minister në mënyrë që me ua lehtësu juve punen…”, tha Peci fillimisht në dpd te Fidani.
Peci u arsyetua duke thënë se “nuk ka kriter askund që dëmi që u shkaktu gjatë luftës është kriter për me përfitu grant”.
“Në mesin e kriterve çdo femer ka avantazh ndaj çdo mashkulli në sektorin e bujqësisë, ka poena plus. Nuk ka kriter askund që thuhet që dëmi që është shkaktu në luftë është kriter për me përfitu grant”, tha Peci mes tjerash.
Një grant prej 100 mijë eurosh është miratuar për vëllanë e deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, i cili, sipas akuzave, nuk kishte fermë të regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK), por e regjistroi vetëm pasi kishte përfituar grantin.
Në një postim në Facebook, KB Krusha kishte përmendur gjithashtu se janë refuzuar disa herë nga Ministria e Bujqësisë, dhe se nuk kanë marrë ndihmë financiare që nga viti 2015, pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme për të aplikuar për grante.
Kooperativa ka shprehur indinjatën e saj dhe ka theksuar se ky vendim i ka shkaktuar dëme të mëdha bujqësisë dhe zhvillimit të saj në këtë rajon.