×
  • Kulturë
  • Show / Kulturë

    Poetika e një rebelimi të përkorë

    Insajderi
    07 September 2023 - 14:17
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Autore: Mirela Robo, shkrimtare

    Vështrim për përmbledhjen poetike “E njëjta hënë” të poetit Dan Ibrahimi

    Për kë e sheh për herë të parë ai mund të duket disi i shkëputur nga mjedisi ku gjendet, i përhumbur pas shtëllungave të duhanit që tymos vazhdimisht, ama miqtë e dinë se është vëzhgues i imët. Ai vrojton nga një distancë e shëndetshme për pavarësinë e mendimit dhe të shpirtit, gjë që e bën ironinë e tij të mos ketë nuanca prej kritizeri pedant. Në vjershën “matanë” e shohim si i qaset shqisa e tij e mprehtë poetike një realiteti shoqëror të stërkequr nga i cili të fituar dalin maskarenjtë, dallaveraxhinjtë, hasmi apo çdo lloj perversi narçizik.

    matanë

    një lëndinë

    njeri a kalë

    tërheq një tokore

    ngarkuar me fjalë

    një shpend i zi

    në pritje

    han dhe vjell rrokje

    një qiell me napë të vranët

    vrugon sipër

    matanë

    Ja, Dan është diku, në diell, sheh dhe na bën të shohim atë që i dhemb. Jo vetëm aq. Nga re puplore që s’lëshojnë hije mbi tokë, ne shohim si qielli mbulohet me re të ulta të cilave u plasin ujërat e pjellin trishtim. Kështu çelet vëllimi poetik “E njëjta hënë”, botuar më parë nga shtëpia botuese “Buzuku”, Prishtinë, e më pas nga shtëpia botuese “ Onufri”, Tiranë. Ai është përkthyer në rumanisht nga Kopi Kyçyku dhe po përkthehet edhe në frëngjisht, punë të cilën autori ma ka besuar. Vetëm vargun e parë dhe të fundit, që janë të njëjtët mos më ndërro, – më tha, – të tjerat i di ti. Është fat të komunikosh me autorin që përkthen. Kjo të jep komoditetin e sigurinë që nuk je duke ecur qorrazi e as nuk po shpik.

    Kur i lexon vjershat e këtij vëllimi mund të kesh si fillim ndjesinë se je në prani të diçkaje që lexohet lehtë. As gjuha dhe as sintaksa nuk njohin kapërdimje posaçërisht poetike. Dan mbështillet nga drita e së njëjtës hënë që feks mbi kryet tona, veç përthyerja e asaj drite mbi poetin krijon një mjedis amniotik ku embrioni i poezisë gjen kushtet për t’u zhvilluar si një fetus i shëndetshëm. Në orën e tij të lindjes dhimbjet duhet të kenë kenë qenë të mëdha. Them “duhet” se askush nuk ka qenë aty për t’ia parë shtërzimet, vetëm se gjithë përgjakjen e lindjes mund ta shohim në dritën që e njëjta hënë, ajo e poetit që bëhet dhe e jona, hedh mbi fëmijën e ardhur në jetë. 

    e njëjta hënë

    më shikon sërish

    si dikur

    një ogur

    koha ime e bjerrë

    pengu i ringjallur

    sa larg më paska shkuar

    tej kuvlisë së botës

    Kështu shkruan autori në njërën prej dy vjershave me të njëjtin titull e na sjell një tablo përjetimi e cila lidh kujtimet me të përtejmen që na ka kapërdirë pjesë a gjymtyrë tonat. Këto “vete” shëtisin lëndinave të pambërritshme e jetojnë brenda nesh si jetë të pajetuara, si pengje.

    Ky vëllim poetik përmban pesë blloqe poezish të cilat janë grupuar secila nën një titull e tematikë: koha si ikje (Tablotë i ka pirë koha në ecje), atdheu si dhimbje e përgjegjësi (Leshrat mbinë në diell), dashuria si gjakim (Plot zagushi), dashuria si idil (Mirina), përshpirtje (Ah…).

    Që prej titullit të veprës e në vijim me nëntitujt shohim qasjen postmoderniste të Dan Ibrahimit me subjektin poetik. Si e tillë, kjo vepër mbështetet në ironinë kritike, relativizimin, dyshimin pasi modeli i botës që na propozohet prej Dan, nuk është një model i mbyllur. Vepra ruan në gjithë shtrirjen e saj një ton ekuivok dhe bota e shpalosur në të vërtitet në një farë inkoherence të brendshme. Estetika e veprës së Dan është e shumëfishtë në paralel  me realen në të e cila na paraqitet në gjithë larushinë e saj. Ajo nuk mbërrin në përfundime, nuk prentendon se ka cekur të vërtetën unike, por symbylltazi vazhdon rrugëtimin drejt njohjes me vetëdijen e plotë se ky rrugëtim është i gjatë. Në poetikën e tij, Dan rregullisht i jep vend të veçantë asaj çka mund të ketë qenë shpesh e margjinalizuar, e pazë, larg qendrave të mëdha të interest, e quajtur e padenjë për t’u folur apo për t’u folur në mënyrën e qartë e të shtresëzuar njëherazi siç e bën ai.

    Ndryshe nga çfarë shohim rëndom në poezi, sot, ku i mëshohet kohës lineare me projektim në të ardhmen, Dan në korpusin e tij poetik merret me atë çka bulon nga imagjinarja, intimja, nga leximi personal, madje nga përvetësimi i tij individual i botës ku jetojmë. Ndaj heroi, subjekti  poetik, ofron një kontur të lëvishëm, të papërcaktuar e shpesh shfaqen si mirazhe, si tek poezia

    “ sonte”. Vargu “ Tablotë me kupë i ka pirë koha në ecje”, nuk shpreh tjetër veç mallit që ndjen poeti për çfarë shkoi e nuk kthehet më, në rrafshin kohor, në plan të pëgjithshëm por edhe konkret. Ndoshta nuk ekziston poet pa temën e mallit në indin e tij poetik. Por Dan e sjell këtë me një ekonomi mjetesh efikase. Ajo ku ai “shpenzohet” është skeleti dhe organizimi i ndërtesës. Nuk shohim tepri as në fasadë e po ashtu e gjejmë këtë përkujdesje edhe në mjediset e brendshme ku ndien se mund të lëvizhësh lirisht pasi hapësira nuk është zaptuar e gjitha prej autorit.

    një lis

    një qen

    një mace me lara

    një njeri…

    ishin aty

    shtjellë kujtimesh

    syrit tim të  përmalluar

    Dan është empatik. Fijet e empatisë e lidhin atë si krijues me të tjerë që, si ai, në të tjera kohë, ndoshta për të tjera motive janë ndier si ai.

    Tek vjersha “si sot një ditë” shohim si autori imagjinon jetë e ngjarje që nuk i ka jetuar por që i përcjell me një natyrshmëri e vërtetësi plot ndjeshmëri. “Veçori e poezisë së Dan Ibrahimit është metaforika kontekstuale e shtrirë në tabloide e imazhe të gjera, thellësia e të cilave shpërfaqet natyrshëm, sa ke përshtypjen sikur bëhen të pavërejtshme përmasat e tyre.” do të shprehet Shaip Beqiri për të.

    atje

    ulërin një qen

    si ujku

    një njeri

    i trentë

    rrëfen kryeveprën e vet

    rrenën

    Dan refuzon të konformohet me një botë me vlera në bjerrje. Nuk është e re kjo. Bota e ka nisur këtë numërim mbrapsht që në fillimet e saj, nëse ka pasur ndonjëherë fillim. Antikonformizmi nuk është më as në modë. Sidomos kur ke qenë luftëtar, kur i ke dhënë shoqërisë rininë, shëndetin, shpresat. Tani mund të jetosh fare mirë me kapitalin që i fal lufta njeriut të angazhuar. Por, Dan Ibrahimi mendon se çdo kohë kërkon njeriun e saj. Të jetuarit e shkruarit si veteran nuk bën për të. Ndaj, ai shkruan pa barriera për krizën e bashkëkohësit “qen” a “ujk” për të cilin hipokrizia dhe manipulimi janë vesk në rritje:

    ai shënon rrenën

    në biografi

    qeni

    harron ç’është

    beson në njeri

    atje

    Nuk mund të mos lexosh shumëfytyrësinë e njeriut brenda të cilit përplasen cmira, xhelozia edhe tek poezia “Ka-ka krra-krra”– “ku gjejmë përthyerje të harmonishme të fjalës në marrëdhënie me timbrin, prani tingullore”, siç analizon Zejnepe Rexhepi poezinë e Danit. Gama e temave që trajtohen në vjershat e kësaj përmbledhjeje poetike është e gjerë. Ai ngallmon çdo element të puzzle-i duke krijuar një afresk ku parakalojnë  mosmirënjohja ( tek poezia “ ja arti”); pabesia

    ( “nuk e di përse”, “mor’ zot”); hipokrizia ( “ti më pyet përse nuk erdha”), dashuria e shpërdoruar ( “kot troket”); padituria ( “kalo në paqe”); etja për pushtet, etj. Ndonjëherë, në poezinë e Dan kërkimi i kuptimit në një botë kaotike shmanget plot humor. Ai kujdeset thjesht të na përkthejë atë që sheh shqisa e tij poetike.

    Vjershat e vëllimit poetik “E njëjta hënë” nuk janë si ca lule herake që çelin e vyshken shpejt. Ato kanë për lëndë të parë zhdërvjelltësinë e vargut, të mendimit, lojën e pandërprerë midis imazhit dhe ironisë, vënies në lojë dhe ndjeshmërisë së fshehur me kujdes si një prind që mbron me fanatizëm fëmijën e tij më të dobët, më të pambrojtur. Kjo e fundit është thembra e Akilit e Dan Ibrahimit. Ai nuk na e përplas vend e pavend ndjeshmërine duke na gjuajtur me fjalë që bubullojnë e shkreptijnë, por e lejon të shpaloset si vello nusërie në puhi dashurie. Madje, vet hapësira që zë vargu i tij në letër është dëshmi e kursimit, e përkorës për të mos e rrëfyer atë që ka brenda përmes arrogancës së bojës mbi letër. Poeti na vjen herë-herë si një fëmije që mban në duar një kalë deti e teksa përpiqet ta ruajë aty na e tregon me pëllembën e shtrirë që i dridhet nga droja se e mbyt para se ta shohim. Dan nuk do të rëndet. Përmes poezisë së tij, na sygjeron që të lexojmë, të heqim aq shtresa sa duam, sa mundemi, sa mbajmë.

    Tek pjesa e tretë, “leshrat mbinë në diell” ose ndryshe “në liri mbiu e keqja” na vë përballë rrugëtimit në një plan më të gjerë të poetit, atë përballë atdheut, idealeve të lirisë, gjakut të derdhur, rolit të tij, të bashkatdhetarëve të tij, udhëkryqit në të cilin gjenden ata që, si ai, nuk u është bjerrë ndërgjegjja dhe iluzioneve të humbura.

    atdheu

    çfarë nuk pjell

    ferra lule fasule…

    Kështu e nis ai poezinë “atdheu” të cilën e përfundon në krejt tjetër ton:

    belbëzimi ynë

    heu

    atdheu

    Pasthirrmë apo klithmë që na çon tek fjalët e para të foshnjes është atdheu që për Homo Albanicus me kujtesë historike mbetet fjalë e parë. Por, e shoh këtu togfjalëshin “belbëzimi ynë” edhe si një dhimbje për artikulimin e munguar të atij që nuk zotëron të folurën, që flet cungët. A na thotë Dan se shqiptari ndodhet në udhëkryqet e një historie që ai vetë e ndërton dyshimshëm për veten e vet? Midis leximit të parë dhe të dytë, edhe këtu zgjedhja është jona. Pak rëndësi ka se çfarë mendon autori në ato momente të epërme krijimi. Në leximin tonë, ai na lë të lirë.

    Poezia “O udhëtar” ( Epitaf eksodit 1999), na përball me dëbimin, ekzilin e një populli si ngjarje me reperkusione të padiskutueshme tek individi. Kështu e lartëson Dan Ibrahimi gjëmën që prodhon urrejtja kolektive, jo duke nëmur a shkrepëtirë mbi urryesit por duke u ndalur tek drama e individit. Kjo është mënyra e tij për t’i dhënë dinjitet luftës, vuajtjes. Duke e sublimuar ai mëton t’i veshë asaj rol katarsisi.

    o udhëtar

    ndalo një çast

    mbaj frymën dhe dëgjo

    kronikën e një kohe të egër

    ………………………………

    dhe harro po munde

    jehonën e kohës farmak

    që ruajnë këto udhë

    ky tren e kjo luginë

    o udhëtar

    Tek “Quhet liri” ai na pranëvë me zhgënjmin e njeriut që fiton luftën ndaj armikut por e humbet atë përballë vetes, përballë konjukturave. Zhgënjen edhe “Liria” për të cilën u derdh gjaku shekullor! A është njeriu viktimë e kohëve më pak idealiste apo e betejave më të mëdha se ai vetë? Këtë Dan na lë ta vendosim ne. Fjalori i tij, që herë-herë në vetvete nuk është poetik, assesi nuk transmeton përçmim. Ai dëshmon për një skanim të hollë të individit që e çon tek dhembshuria për të. Në gjithë verbin poetik të këtij vëllimi nuk shohim Danin, luftëtarin  që e përdor luftën për të zënë një vend nderi, siç ndodh jo pak këtejpari. Ai shkruan me qartësinë e vetëdijen e atij që ka kryer detyrën ndaj vendit, vetes e të tjerëve, por se aspak me supremacinë që mund të rrjedhë nga kjo. Ai kupton më së miri se rolet e individit në shoqërinë moderne nuk janë statike. Pa kurrfarë petku heroizmi, poezia e tij dëshmon se kontributi i djeshëm nuk mund të legjitimojë abuzivizmin apo apatinë e sotme.

    s’merremi me të

    e as në ëndrra nuk e shohim më

    quhet liri

    Kjo antifrazë shpall ligështinë e humbjes, të çuarjes dëm të idealit që frymëzoi e mobilizoi një popull. Nën petkun e ironisë kritike, sarkazmës, vënies në lojë lexojmë edhe thirrje të tilla si tek poezia “tërmeti”.

    në pritje të ankthshme

    stivojmë mungesë

    dridhjesh shkundjesh rëniesh ngritjesh

    dhe pyesim

    kur do të ketë tërmet

    Duket se nënteksti nuk lë shumë vend për dyshime. Më mirë një tërmet sesa apatia që është një morfinë me rrezik të lartë për emancipimin, zgjimin, ndërgjegjësimin shoqëror. Poeti nuk gjen paqe. Tek poezia “a u gëzuan” ai na vë përballë tëhuajësimit të tij me bashkëluftëtarët, apo disa prej tyre. A fituan? – pyet ai. Një pyetje therrëse bashkangjitur asaj “A u rritën?”. Ai nuk e fsheh se i dhimbset ky popull foshnjë, i dhimbset atdheu i mbrojtur nga luftëtarë të parritur. Për të është fare e qartë se jo forca e muskujve, e pushkëve, e granatave por ajo e zemrës dhe e mendjes është sfida e njeriut të lulëzuar. Dhe tek vjersha “e shikon” lexojmë zgjimin, ndoshta pranimin se kanosja e përbashkët e nevoja për t’i bërë rezistencë saj mund të na vëllazërojë për një çast, ama liria na kthën në “shpellën” tonë:

    e shikon

    si vdesin betejat

    vdes përralla miti legjenda

    vdes edhe heroi profeti zoti njeriu

    e kaluara

    e ardhmja

    vetëm e tashmja të ngelet

    dhe vetja në kuvli

    I flet vetes pasi tani nuk ka më dyshim që kështu ndodh në ekzistencën e njeriut, njeriu mbetet përballë vetes. Me vargjet “kujdes/ është kohë e njëtrajtshme” duket se ka bërë paqe me veten, jo pse ai është një prej atyre që konformohen, por ai e do dritën e diellit dhe e sheh jetën, njeriun, në sy. Dhe tani që edhe të gjitha këto i njeh më mirë, ka shtruar një rrugë tjetër, pa tatëpjeta e përplasje me veten. Është koha për paqe me veten.

    Së fundi, dy fjalë për “Mirina” si idili dashuror që e mbart autorin tek gjuha e shpirtit dhe gurra. Elementët kozmogonikë të poezisë së traditës, dielli-diejt, hëna, yjet gjejnë aty shtratin e tyre. Po ashtu shtate palë male/ shtate palë diej/ shtate palë ëndrra/shtatë zana, etj. na çojne tek përsosuria e ndjenjës. A nuk ishin shtatë ditët në të cilat Zoti krijoi botën? E tash një zot po aq hyjnor ndërton një buronjë ku të lahet një tru, trup e shpirt i ngacmuar keqazi nga fanepsja e fantazmat e dashurisë.

    sa ra muzgu vetull hëne

    tej retinës ç’m’u ngatërrua

    një profil përngjasim zane

    gjurmë e vjetër m’u hepua

    si t’ia bëj i ziu unë

    po i fola bie në gjumë

    Të njëjtin mjedis e nota që gjejmë tek rapsodi dhe tradita gojore na e jep edhe leksiku ku ndeshim fjalë apo togfjalësha si “xhan/ mor aman/heq trurin/harkoi vetullën”. Vargu “të gjithë e panë e askush s’e njohu” përmes antitezës na sjell ndërmend një tjetër varg nga “Martesa e Halilit” tek Eposi i Kreshnikëve “fort po shndritë njaj diell e pak po xe

    Po ashtu, ky cikël na ndërmend vargje ku Halili u përshkruan Tanushën agallarëve të Jutbinës: Vetulla e saj ndrejt si fiskaja/Shteku i ballit si shteku i malit/Kur merr hana me pranue/Syni i saj si kokrra e qershisë,/ E ka qerpikun si krahi dallndyshës,/Ftyra e saj si kuqet molla n’degë…

    Nga gjuha e kursyer, ironia, apo poetika e litotës që vihet re në katër ciklet e tjerë, tek “Mirina” gjuha poetike merr trajta të harlisura e të begata. Kjo vajzë e ka shuplakur krejt, por gojën nuk ia ka mbyllur, përkundrazi.

    a jam në ëndërr apo ëndrra vetë

    nga cila botë më vjen kjo melodi

    lirës kush i bie cili mbret

    është sundues në këtë harmoni?

    Dashuria e ka rimodeluar botën për poetin. Madje, më mirë të themi që ai ndjen se u lind në atë çast fatal ku “veza kozmike” u ça. E kujtuam eposin me epiko-lirikën e vet grishëse për autorin, por vargje si këto më poshtë përforcojnë fillin përshkues të gjithë vëllimit. Zëri poetik i Dan Ibrahimit është i pangjashëm. Ai buron nga ekstaza krijuese kur autori ka arritur të dëgjojë e transfigurojë në art zërin e tij më të thellë. Kuptohet, ai nuk e gjëmon pas poezinë. Ai pret me durim dhe tek feks e rrëmben. Jo si cub, por si kavalier.

    befas shkrepi plot madhështi

    veza kozmike drita e fillesës

    eurinoma diku në gjithësi

    ia krihte flokët Mirinës mbesës

    yjet përreth i këndonin pa pra

    Ai nuk di të dojë përgjysmë. Kur Kupidi i lëshon shigjetën, vendi ku ajo ngulet do të mbetet i shënjuar përgjithmonë. Edhe këtu na shfaqet rebel. Në një botë ku konsumerizmi i ka gërryer  çdo ind jetëgjatësie dashurisë ai duket modern bash për anën vintage të qasjes së dashurisë. Si qëmoti: O gjithçka, o asgjë! Por, përsëri lufta. Duket se me të nisin dhe mbarojnë shpresat e poetit, në planin shoqëror por dhe atë personal:

    të yshtur nga djalli me flamur të zi

    erdhën dalë bese fise endacake

    botën që rritej në harmoni

    e ndoqën dhe e dogjën në ecejake

    Asgjë e mirë, që e përkundëm, mëkuam e rritëm me aq përkujdesje nuk ikën. Kur nuk është më ajo jeton si mungesë. Kështu ndodh për poetin:

    nga erdhe ti cila re të solli

    kush të zgjoi nga gjumi mitik

    të panë në Trojë si vorbulla të mori orakulli tha: syri kozmik

    mijëvjeçarët ikin mbesin vetëm numra ndërsa ajo kthehet nga kohërat e përgjumura

    E megjithatë, dashuria e vërtetë nuk të mban peng. Ajo të fal liri, zgjim, shpengim. Kështu e shohim edhe Mirinën, heroinën lirike që endet si ëngjell mbrojtës në universin gri e të zhveshur, por jo të dëshpëruar të poetit.

    një zog më trokiti lehtas në dritare

    thashë nga përralla në tokë rashë

    hapa dritaren dhe… çfarë të dëgjoj

    Mirina jam tha zogu dhe fluturoi

    Të  gjitha vjershat janë shkruar më të vogla dhe pa shenja pikësimi. Siç ka emancipuar veten në rrugëtimin e tij si njeri, poet e ish luftëtar, po ashtu ai i shpërthen konvencionet gjuhësore për të mbërritur tek kuintesenca. Në këtë rrugëtim ai na bën bashkëudhëtarë. Gjatë leximit secili mund të rishkruajë një tekst pa imponime shenjash pikësimi duke i veshur atij kuptime e sfumatura që vijnë nga përvoja dhe përjetimet personale.

    Së fundmi, do të shtoja se Dan është një njeri dhe poet jashtë kornizave, në kërkim të idealit poetik që duket se me këtë vëllim e ka mbërritur. Si një i zhgënjyer nga aftësia e njeriut për ta ruajtur njeriun brenda vetes, sidomos kur në emër të integritetit të tij është derdhur gjak e janë shkretuar jetë, ai na jep një model të përkorë të sublimimit të jetës përmes artit. Sikur jeta të mjaftonte, ndoshta ai nuk do t’i avitej kaq pranë honeve të thepisura të krijimit. Ndoshta. Sepse ai mbetet njeriu që luftoi për njeriun. Ai është së pari njeriu dhe pastaj poeti Dan Ibrahimi.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark