Federata Polake e Futbollit ka reaguar ashpër ndaj vendimit të FIFA-s për ta lënë Rusinë të vazhdojë të marrë pjesë në kualifikimet e Botërorit 2022.
Polakët e kritikuan FIFA-n, e cila njoftoi paraprakisht mbrëmë se Rusia duhet t’i luajë ndeshjet e ardhshme pa flamur apo ndonjë simbol tjetër dhe në një territor neutral me emrin “Unioni i Futbollit të Rusisë.
Vendimi erdhi pas sulmit ushtarak që e ka ndërmarrë Rusia ndaj Ukrainës javën që shkoi, shkruan “Gazeta Express”.
Rusia në program e ka përballjen me Poloninë në play-off të Botërorit më 24 mars, e më pas do të luajë me fituesin e duelit tjetër gjysmëfinal, Repubika Çeke – Suedia.
Së fundmi Polonia, Suedia dhe Republika Çeke njoftun se do të refuzojnë të luajnë kundër Rusisë dhe kanë kërkuar nga FIFA që ta largojë këtë Kombëtare nga garat.
E tash, Federata Polake nuk është e kënaqur me vendimin e FIFA-s për ta lënë Rusinë që të luajë.
“Vendimi i FIFA-s është totalisht i papranushëm”, deklaroi fillimisht presidenti i Federatës Polake, Cezary Kulesza.
“Ne nuk jemi të interesuar të marrin pjesë në një ndeshje si kjo. Vendimi ynë mbetet i njëjtë: ekipi kombëtar i Polonisë nuk do të luajë me Rusinë, pa marrë parasysh emrin me të cilin do të quhet”, shtoi ai.
Rusia është bërë “non grata” në sport pasi Kombëtaret po refuzojnë të përballen me të.
Edhe garat që ishin planifikuar të mbaheshin në këtë shtet, në sporte të ndryshme, janë anuluar.