Insajderi
Lajme

Polici me Grada, Nevruz Hasani humb rastin kundër Insajderit në Këshillin e Mediave

Insajderi
31 October 2025 - 15:08
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Polici me Grada, Nevruz Hasani humb rastin kundër Insajderit në Këshillin e Mediave
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK) ka hedhur poshtë ankesën e zyrtarit policor Nevruz Hasani kundër portalit Insajderi.org, duke konfirmuar se dy artikuj të publikuar më parë nuk përbëjnë shkelje të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës.

Artikujt në fjalë, me titujt “Afera e tokës milionëshe në Veternik përfshin edhe një zyrtar të lartë policor: Bllokohet prona e Nevruz Hasanit” dhe “Polici me grada filmohet duke hyrë në pronën që u bllokua nga Gjykata”, kishin tërhequr vëmendjen për shkak të implikimit të një zyrtari të lartë policor në një çështje pronësie me pasoja financiare të konsiderueshme.

Në ankesën e tij, Hasani pretendoi se artikujt kishin cenuar të drejtën e tij për prezumimin e pafajësisë dhe kishin dërguar një imazh të pasaktë për veprimet e tij. Ai argumentoi se publikimet kishin përmbajtje të njëanshme dhe mund të dëmtonin reputacionin e tij profesional dhe personal, duke përmendur veçanërisht pamjet ku shfaqej duke hyrë në pronën e bllokuar nga Gjykata.

Megjithatë, KMShK arriti në përfundimin se Insajderi.org kishte vepruar brenda standardeve profesionale të gazetarisë. Vendimi i Këshillit sqaron se mediumi kishte përdorur dokumente zyrtare gjyqësore dhe burime të verifikuara për të mbështetur raportimin, duke respektuar kapitujt II dhe V të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, të cilët rregullojnë raportimin e së vërtetës dhe prezumimin e pafajësisë.

Me këtë vendim, rasti i iniciuar nga Nevruz Hasani kundër Insajderit është mbyllur pa ndonjë masë apo rekomandim për ndryshimin e artikujve, duke i dhënë një mesazh të qartë për rëndësinë e lirisë së shprehjes dhe gazetarisë së bazuar në fakte.

Lexo artikujt e Insajdeit për këtë zyrtar të lartë të Policisë:


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark