Policia ka njoftuar se një person është arrestuar në Prizren nën dyshimin për kultivim të bimëve narkotike të llojit kanabis.
Sipas Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur të premten, më 10 korrik, rreth orës 09:00, në rrugën “Jusuf Gërvalla”.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar nën dyshimin se i njëjti është duke u marrë me kultivimin e bimëve narkotike të llojit kanabis”, thuhet në raportin policor.
Policia, bazuar në urdhëresën e gjykatës, ka kryer kontroll në shtëpinë, autolarjen dhe automjetin e të dyshuarit.
Gjatë kontrollit, në oborrin e shtëpisë së tij janë gjetur të mbjella dy bimë të llojit kanabis, me gjatësi 50 dhe 62 centimetra, si dhe një peshore elektronike.
Me vendim të prokurorit, pas intervistimit, i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa hetimet për rastin janë duke vazhduar.