Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, dhe ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, zyrtarizuan dorëzimin e dy automjeteve për Policinë e Kosovës si donacion nga Policia Federale Kriminale e Gjermanisë (BKA).
Në njoftimin e Policisë së Kosovës thuhet se këto automjete janë të dedikuara për Njësinë FAST-ILECU të Policisë së Kosovës, dhe janë pjesë e bashkëpunimit të vazhdueshëm në mes të institucioneve të sigurisë së dy shteteve dhe një hap i rëndësishëm në fuqizimin e kapaciteteve të Policisë së Kosovës në luftën kundër krimit të organizuar dhe aktiviteteve të tjera kriminale.
“Policia e Kosovës shpreh falënderimet më të thella për mbështetjen e vazhdueshme të Republikës Federale të Gjermanisë dhe angazhimin për forcimin e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftimin e PK-së në Facebook.