×
  • Lajme
  • Insajderi

    Policia ende nuk e ka identifikuar personin që e futi drogën në kamionin e “Hajdini Comerc”, kërkon ndihmë

    Insajderi
    30 November 2022 - 17:10
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Policia e Kosovës ka ri-publikuar një video, ku shihet një person, për arrestimin e të cilit ka kërkuar ndihmën e qytetarëve. Personi në video dyshohet për “Blerje, posedim apo shpërndarje të paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”. Gazeta Insajderi kishte publikuar këtë video kohë më parë.

    Madje, Gazeta e kishte publikuar një muaj para se policia të bëj njoftimin e parë duke kërkuar ndihmën e qytetarëve për identifikimin e të dyshuarit.

    Personi i kërkuar është mashkull, i gjatë rreth 165 cm, i ndërtimit trupor i dobët, i njëjti kërkohet mbi dyshimin e bazuar për përfshirje në veprën penale ,,Blerja, posedimi shpërndarja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” nga neni 267 lidhur me nenin 275 paragrafi 1,pika 1.8 i KPRK-s e” ,thuhet tutje në njoftim

    Raportimet e Gazetës Insajderi lidhur me këtë rast:

    Shoferi i “Hajdini Comerc” lirohet edhe nga arresti shtëpiak – a e detyruan gardianët që ta prekte qesen me drogë brenda?

    Shoferi i kontaktorit të shtetit për furnizim të kantinave të burgjeve i arrestuar pasi në kamionin që ai drejtonte u kapë drogë e mallra të tjera ilegale, Haxhi Toalli është liruar edhe nga arresti shtëpiak. Por, Prokuroria e Pejës nuk ka njoftuar ende se a e ka gjetur personin që e futi drogën në kamionin e “Hajdini Comerc”. Në dokumentet e këtij rasti që i ka siguruar Insajderi del që shoferi që qe arrestuar, ishte udhëzuar nga gardianët e burgut të Dubravës që ta prekte qesen ku ishin mallrat ilegale me destinim kontrabandimin brenda objektit të burgut

    Më 13 shtator të këtij viti organet e rendit parandaluan futjen e një sasie droge, kryesisht mariuhanë e pilula të dyshuar si ekstazi. Ato ishin duke hyrë në burgun e Dubravës.

    Për këtë, Prokuroria që nga ajo datë  e deri më 26 tetor do ta mbante në paraburgim vetëm shoferin Haxhi Topalli, që drejtonte një kamion të firmës “Hajdini Comerc”, kontraktor i Qeverisë për furnizim të burgjeve në Kosovë.

    Pas kësaj date, Topalli u vendos në arrest shtëpiak, kurse më 22 nëntor 2022 atij i është ndërprerë edhe arresti shtëpiak. Ai tash detyrohet që të hënën e të premten të lajmërohet nga dy orë në stacionin policor në Drenas.

    Edhe pse kanë kaluar mbi dy muaj nga ky rast, organet e rendit ende nuk e kanë gjetur personin që e kishte futur drogën në kamionin e “Hajdini Comerc”.

    Ata nuk kanë pasur sukses as pas publikimi të videos për këtë person, video të cilën Policia do ta publikonte vetëm pasi të njëjtën mbi një javë më parë se ata e kishte publikuar Gazeta Insajderi.

    Por deri ku ka arritur Prokuroria e Pejës, që e ka marrë hetimin e këtij rasti?

    “Siç jeni edhe ju në dijeni për zhvillimet e kësaj çështje penale, me autorizimin e Prokurorisë Themelore në Pejë, janë publikuar disa video-incizime të personi të dyshuar në këtë proces penal, ku kemi kërkuar ndihmën e qytetarëve për identifikimin e këtij personi. Në këtë fazë jemi në procesin e analizimit të informatave të pranuara dhe në pritje të rezultateve nga ekspertizat e urdhëruara nga prokurori i shtetit”, thuhet në përgjigjen e kësaj prokurorie për Gazetën Insajderi.

    Edhe pse deri tash nuk kanë njoftuar se nëse e kanë identifikuar personin në video, apo jo, nga kjo prokurori thonë që “jemi intenzivisht duke ndërmarrë veprime hetimore që kjo çështje penale të ndriçohet”.

    A e detyruan gardianët shoferin e “Hajdini Comerc” që ta prekte qesen me drogë brenda?

    Insajderi ka parë një pjesë të dosjes që Prokuroria në Pejë ka përpiluar për këtë rast deri më tani.

    Pos krejt veprimeve që ka ndërmarrë kjo Prokurori për këtë rast, në ndër kohë ka pranuar edhe një raport nga vet menaxhmenti i burgut të Dubravës, ku u kap në flagrancë malli ilegal me tendëncë kontrabandimi brenda objektit të këtij burgu.

    “Në tunelin e Portës së Re të hyrjes së qendrës kanë lokalizuar Automjetin Transportues të kompanisë së kontraktuar për furnizime të kantinave në SHKK, ku gjatë kontrollit të detajuar brenda hapësirave të Automjetit Transportues në mënyrë të kamufluar është tentuar të futet brenda qendrës: – substancë e dyshuar narkotike 748 gr; 11 telefona mobil; 8 kabllo të adapterëve;2 koka të adapterëve; 5×20 tableta të dyshuara të llojit DBOLMAX, dhe 212 tableta të dyshuara si ekstazi“, thuhej në njoftimin e Shërbimit Korrektues të Kosovës, i shpërndarë edhe nga Minsjrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu- njoftim ky i publikuar vetëm pasi që Insajderi kishte raportuar për këtë rast.

    Por, në raportin që burgu i Dubravës ka dërguar pas incidentit në fjalë në adresë të Prokurorisë së Pejës, ngritën dyshime se përfshirja e vet shoferit Haxhi Topalli  në këtë rast, dhe prova e shenjave të gishtërinjve në qesen me mall ilegal, ishte edhe si pasojë e veprimeve të gardianëve të atij ndërrimi.

    “Kemi pranuar përgjigje nga qendra korrektuese Dubravë, në të cilën ndër të tjera ceket se shoferi i kamionit Haxhi Topalli është ftuar nga zyrtari korrektues që ta tërheq qesen e parë dhe gjatë tërheqjes e ka prekur paketimin në fillim dhe në fund”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

    Prokuroria nuk ka treguar se a e ka ftuar gardianin që e ka bërë këtë veprim për ta intervistuar. Prokuroria nuk ka treguar po ashtu se pos shenjave të gishtërinjve të shoferit Topalli që kanë mbetur në qesen me mall ilegal, e që del që ato kanë mbetur pasi që zyrtari korrektues i ka thënë që ta prekte, a ka gjetur edhe gjurmë tjera.

    Në videon që e kishte publikuar Insajderi, dhe më pas edhe Policia e Kosovës, shihet që personi ende i pa identifikuar gjatë momentit kur e fut qesen me mallin ilegal, nuk mban as dorëza e as maskë.

    Insajderi ka kërkuar që të ketë qasje në këtë raport që burgu i Dubravës ia ka dërguar Prokurorisë në Pejë dhe ka kërkuar sqarime nga ShKK-ja se a është kjo procedurë standarde, dhe nëse jo, a janë marrë masa ndaj gardianit në fjalë, por ende nuk ka pranuar ndonjë përgjigje. Nga ShKK i kanë thënë Insajderit që do të japin përgjigje mbi një javë më parë.

    Ministria e Drejtësisë e vazhdon bashkëpunimin me “Hajdini Comerc”?

    Insajderi e kishte pyetur Ministrinë e Drejtësisë për këtë rast, dhe për masat që janë marrë eventualisht kundër kompanisë në fjalë.

    “Aktualisht, Prokuroria Themelore në Peje është duke zhvilluar hetimet dhe për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë lidhur me  rastin:, thuhej në përgjigjet e Zyrës për Informim të MD-së në fund të tetorit.

    Tutje nga kjo ministri i patën thënë Insajderit se ata do të marrin masa, por jo që kanë marrë deri tash.

    “Jo vetëm për këtë Kompani, por për cilëndo kompani tjetër që ne kemi informacion, e që janë të përfshirë në kontrabandë, ne menjëherë do të shkëpusim kontratën dhe do të ndërmarrim veprimet ligjore”, thuhej në përgjigjen e parë të MD-së.

    Pas sqarimeve të kërkuara nga Insajderi, nga Ministria e Drejtësisë patën konfirmuar që pavarësisht rastit, ata po e vazhdojnë bashkëpunimin me kompaninë “Hajdini Comerc”.

    “Në momentin që do të njoftohemi nga prokuroria se kompania në fjalë është në hetime, ne do t’ia shkëpusim kontratën”, thuhej. në përgjigjen shtesë të MD-së për Insajderin.

    Nga kjo Ministri nuk ka ende ndonjë njoftim publik se a kanë marrë ndonjë masë ndaj kësaj kompanie, apo e njëjta mbetet kontraktor për kantinat e burgjeve në vend.

    Gazeta Insajderi e kishte pyetur edhe kompaninë “Hajdin Comerc” për një koment në këtë rast, por pronari i saj, Musaj Leku përmes telefonit pati thënë që derisa rasti është nën hetime, ata nuk pranojnë që të flasin.

    Kompania “Hajdini Comerc” e Musaj Leku në vitin 2018 u angazhua nga Shërbimi Korrektues i Kosovës në tenderin “Furnizim me mallra ushqimore për te burgosur – kantinë”. Kjo kontratë, ishte planifikuar që të ishte mbi 1.8 milionë euro.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark