Policia e Kosovës ka njoftuar se Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor në Gjakovë po vazhdon kontrollet e shtuara për identifikimin e automjeteve që nuk i plotësojnë kushtet teknike për qarkullim të sigurt.
Sipas komunikatës së Policisë së Kosovës, kontrollet janë të fokusuara te modifikimet e paautorizuara në automjete, përfshirë xhamat e errësuar, ndërhyrjet në sistemin e ndriçimit, sistemet e shkarkimit të gazrave dhe zhurmës, si dhe ndryshimet e tjera që mund të ndikojnë në sigurinë rrugore.
“Automjetet te të cilat evidentohen parregullsi teknike dërgohen në kontroll të jashtëzakonshëm teknik, me qëllim të verifikimit të gjendjes së tyre dhe garantimit të sigurisë në trafikun rrugor”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.
Sipas njoftimit, gjatë këtij viti një numër i konsiderueshëm automjetesh janë dërguar për kontroll të jashtëzakonshëm teknik.