Insajderi
Lajme

Policia tregon çfarë ndodhi në protestat pas vendimit të Speciales: Dy persona u shoqëruan, njëri u ndalua 48 orë

Insajderi
16 September 2026 - 22:56
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Policia tregon çfarë ndodhi në protestat pas vendimit të Speciales: Dy persona u shoqëruan, njëri u ndalua 48 orë
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Policia e Kosovës ka njoftuar për angazhimet policore gjatë tubimeve të zhvilluara në Prishtinë dhe qytete të tjera të Kosovës pas shpalljes së aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Sipas Policisë, tubimet kanë nisur që nga mbrëmja e 15 shtatorit, ndërsa mijëra qytetarë dhe përfaqësues të organizatave janë mbledhur në sheshet kryesore të kryeqytetit dhe qyteteve të tjera.

Pas shpalljes së aktgjykimit, sipas Policisë, pjesëmarrësit nisën të shprehin pakënaqësitë e tyre në forma të ndryshme dhe më pas një pjesë e tyre u nisën drejt ish-objektit të EULEX-it dhe bazës së këtij misioni.

“Pas arritjes pranë hyrjes së objektit të EULEX-it, pjesëmarrësit kanë tentuar me forcë të depërtojnë brenda hyrjes së rrethojave të EULEX-it”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Numri i protestuesve, sipas Policisë, vazhdoi të rritej pasi në Prishtinë mbërritën qytetarë nga zona të ndryshme të Kosovës. Përkohësisht u bllokua edhe qarkullimi në drejtim të rrugës Fushë Kosovë–Prishtinë.

Policia thotë se protestuesit qëndruan për disa orë pranë objektit të EULEX-it dhe, herë pas here, hodhën sende të ndryshme dhe mjete të forta drejt rrethojave dhe objektit, ndërsa tentuan edhe të kalonin kordonin policor.

Pas përfundimit të protestës pranë bazës së EULEX-it, një pjesë e protestuesve vazhdoi drejt qendrës së Prishtinës, ku u vendosën pranë objekteve të institucioneve të Kosovës, konkretisht pranë Qeverisë.

Sipas Policisë, protesta fillimisht ishte e qetë, por më pas pati tentativa për të kaluar rrethojat dhe kordonin policor, si dhe hedhje të mjeteve të forta drejt objektit të Qeverisë.

“Brenda turmës së protestuesve ka pasur individë me maska të cilët në vazhdimësi kanë hedhur gurë, ku edhe vet persona brenda turmës kanë reaguar ndaj këtyre personave”, thuhet në njoftim.

Policia thotë se gjatë gjithë kohës u ka bërë thirrje protestuesve që të protestojnë në mënyrë të qetë dhe të mos tentojnë të dëmtojnë objektet apo të hyjnë brenda rrethojave.

Dy persona u shoqëruan në polici

Për shkak të situatës së krijuar, Policia thotë se u detyrua të shtojë prezencën dhe të ndërmarrë masa për parandalimin e incidenteve dhe vënien nën kontroll të situatës.

Si rezultat i veprimeve policore, dy persona janë shoqëruar në polici.

“Ndaj të cilëve me vendim të prokurorit njërit i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve, përderisa tjetri është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.

Ndërpritet përkohësisht qarkullimi

Për shkak të protestave, Policia ka ndërprerë përkohësisht qarkullimin në rrugën Prishtinë–Fushë Kosovë dhe në rrugën Bill Klinton, ndërsa trafiku është orientuar në rrugë alternative.

Policia u ka bërë thirrje qytetarëve që ende ndodhen në protesta që pakënaqësitë t’i shprehin në mënyrë të qetë dhe të respektojnë udhëzimet e zyrtarëve policorë.

Sipas Policisë së Kosovës, siguria e qytetarëve, ruajtja e rendit kushtetues dhe siguria publike mbeten prioritet i institucioni.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark