Policia e Ferizajt ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për identifikimin e dy personave të dyshuar për një rast vjedhjeje.
Sipas Policisë, rasti dyshohet se ka ndodhur më 19 gusht, në rrugën “Rexhep Bislimi”, në një qendër tregtare në Ferizaj.
Me autorizim të Prokurorit të Shtetit, Policia ka publikuar fotografitë e personave që dyshohet se janë të përfshirë në rast.
Policia u ka bërë thirrje qytetarëve që kanë ndonjë informacion për identitetin apo vendndodhjen e tyre, ta njoftojnë përmes numrit emergjent 192, stacionit më të afërt policor ose aplikacionit “Lajmëro Policinë”.
“ Të gjitha informacionet do të trajtohen me konfidencialitet të plotë”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Sipas Policisë, bashkëpunimi i qytetarëve është i rëndësishëm për zbardhjen e rastit. /Insajderi.org/