×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    “Politika duhet mu hjekë”- kush është “mysafiri i paftuar” i VV-së që në komision iu sul minatorëve dhe deputetëve të opozitës

    Insajderi
    01 November 2023 - 15:04
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Valon Prebreza, drejtor i Njësisë së Monitorimit të Ndërmarrjeve Publike, ishte prezent në Komisionin për Ekonomi përgjatë ditës së djeshme sa flitej për kushtet në grevat e minatorëve. Prebreza, i ftuar si “mysafir” në komision, mori kompetenca që t’i paraqiste qëndrimet e Lëvizjes Vetëvendosje, teksa u ballafaqua edhe me deputetë të opozitës. Prebreza është aktivist i Lëivzjes Vetëvendosje, i cili është parë nëpër aktivitete të ndryshme të partisë.

    Prebreza u ballafaqua dhe e politizoi debatin me deputetin e AAK-së, Pal Lekajn dhe atë të LDK-së, Valentina Bunjaku-Rexhepin. Ai filloi akuzat në stilin tipik të VV-së, duke thënë se “e vërteta po dhemb” dhe se ka keqmenaxhim tek shoqëria aksionare e Trepçës. Ai pati kritika edhe për grevistët minatorë, duke i akuzuar se po takohen jo-zyrtarisht me opzitën, raporton Gazeta Insajderi.

    “Nuk më takon mua me hy në debat politik mirëpo do të thuhet e vërteta. Z. Lekaj e tha një të pavërtetë të madhe, që ministrja ndodhet në Kosovë. Nuk është në Kosovë, është jashtë, në udhëtim zyrtar kështu që ju garantoj për këtë pjesë. Ndërsa, në takimet me sindikatën unë kam qenë i autorizuar me u taku me sindikatën”, deklaroi ai.

    “Mos ndërhyj se nuk të ndërhyva… Zotni, duhet të thuhet e vërteta, prandaj po ju dhemb. Ka keqpërdorim, ka keqmeanxhim që 20 vite tek Trepça. Pikërisht politika duhet mu hjekë prej sindikatës dhe Trepçës, prandaj këtë po ua kërkoj. S’është ka ju tutet kërkush. Z. Kryetar, e vërteta po ju dhemb. Po më duket edhe u binda se ju keni takime jashtë zyrtare me njerëz që janë tu i majtë në minierë aty. Po jo bre se s’dal jashtë”, deklaroi Prebreza teksa polemizonte me deputetët e opozitës.

    Përkundër insistimit të kryetarit të komisionit, Ferat Shalës, që ai ta ndërpriste fjalën, Prebreza e luante rolin e aktivistit dhe vazhdonte akuza në drejtim të anëtarëve.

    Kush është Prebreza i zëshëm i VV-së?

    Në maj të këtij viti, Valon Prebreza u shpërblye me postin shef i Njësisë për Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike (NJPMN) në Ministrinë e Ekonomisë.

    Misioni i njerëzve që udhëheqin këtë post është monitorimi dhe raportimi i performancës së ndërmarrjeve publike qendrore, por asnjëherë ballafaqimin me deputetët e opozitës.

    Prebreza u bë i famshëm për mos-publikim të CV-së së tij gjatë kohës së emërimit. Përkundër insistimit të mediave që, përmes kërkesës në qasje të dokumenteve publike të kihet qasje në CV-në e Prebrezës, Ministria e Ekonomisë vendosi ta fshehë atë.

    Për këtë çështje patën reaguar edhe nga Instituti GAP. Drejtori ekzekutiv i institutit e pati cilësuar si “punësim politik” angazhimin e Prebrezes si shef njësie për mbikëqyrjen e ndërmarrjeve publike.

    “Ndonëse në programin elektoral të vitit 2021 VV e trajtojnte drejtë problemin tek ndërmarrjet publike: “Qeveria jonë do të kujdeset që menjëherë të vazhdojmë me procesin e departizimit dhe normalizimit të punës në ndërmarrjet publike aq të goditura si nga pandemia ashtu edhe nga keqmenaxhimi, partizimi e zhvatja e dy dekadave të fundit.” Tani, në 2023, në mundësinë e parë për të emëruar ndonjë profesionist/e në pozitën më kyçe në raport me ndërmarrjet publike, atë të udhëheqësit/es së Njësisë për ndërmarrjet publike (NjPMNP-së), qeveria dhe ministrja Rizvanolli zgjedhin ta emërojnë aty një aktivist/anëtar të VV-së. Një person që nuk ka as CV publike, e lërë më të njihet në publik si ekspert i kësaj fushe!”, pati shkruar ai në ‘Facebook’.

    Në bazë të fotografive të publikuara në profilin e tij, Prebreza duket të ketë afërsi me figura të larta të Vetëvendosjes. Ai është fotografuar me deputeten Fitore Pacolli dhe zëvendësministrin Avni Zogiani.

    Pas emërimit, ai është parë prezent edhe nëpër aktivitete të partisë, sikurse ishte përvjetori i themelimit të VV-së.

    Prebreza angazhimin e tij për Vetëvendosjen e ka edhe në Fushë Kosovë. Ai në zgjedhjet e 2013-ës pati kandiduar për asamblist në zgjedhjet lokale, me numër 11.

    Në vendimin e ministres Rizvanolli u tha se Prebreza do ta mbajë këtë pozitë deri në një vendim tjetër. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark