×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Politikanët në ‘konkurrencë’ me njëri tjetrin për merita të liberalizimit të vizave

    Insajderi
    12 January 2024 - 16:35
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    Shkruan: - Njomza Kosumi

    Nga 1 janari i këtij viti, kosovarët kanë fituar të drejtën e udhëtimit pa viza në 27 vendet e Bashkimit Evropian. Listës së vendeve që mund t’i vizitojnë qytetarët e Kosovës iu shtua edhe Spanja dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. E meritat për tërë këtë proces po ia atribuojnë vetës pozitë e opozitë.


    Fillimisht, Lëvizja Vetëvendosje ia dha meritat vetes për liberalizimin e vizave. Ndërkohë opozita kanë bërë reagime të ndryshme ku heqjen e vizave e cilësojnë si sukses të tyre.


    Ishte, deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Jeta Statovci që meritat për njohjen e pasaportave nga Spanja ia dha këshilltarit të shumë përfolur të MPJD’së, Gani Jakupit, i cili siç thotë ajo “Lobon e ndihmon Republikën në Spanjë”.


    “Dikur projekte lobuese milionëshe për ndarjen e Kosovës, sot projekte lobuese për bashkim të Kosovës së pa ndarë me perëndimin. Opozita që dikur paguante për projektin e ndarjes së Kosovës u ngrit në këmbë për pagesën ndaj Gani Jakupit që lobon e ndihmon Republikën në Spanjë. Por, sot pas këtij lajmi a thua çfarë do të thonë? Pra, qenka e mundur të paguhesh nga vendi e t’i shërbesh njëmend atij. Ja një pjesë e rezultatit”, ka shkruar ajo në Facebook.


    Ndërsa, deputetja tjetër e pushtetit, Fitore Pacolli i ftoi qytetarët të paramendojnë se si do të ishte Kosova po të qeveriste vite më parë Vetëvendosja.


    “Tani edhe në Emirate të Bashkuara mund të udhëtojmë pa viza. Paramendoni sikur të kishim qenë në shumë mē herët në qeveri ku do të ishim sot.” ka shkruar deputetja Pacolli në Facebook.


    Nga ana tjetër, deputeti i PDK’së, Hisen Berisha hedhë poshtë aludimet e VV-së duke thënë se liberalizimi i vizave nuk ka filluar e mbaruar përgjatë tri vite qeverisje për një mandat.


    “Liberalizimi i vizave për asnjë shtet, nuk ka filluar e mbaruar për tri vite të një qeverisje për një mandat”,
    tha ai.


    Edhe deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi i ka reaguar Qeverisë pasi Spanja njohu pasaportat e Kosovës. Ajo iu drejtua Qeverisë Kurti duke i thënë “mos na shitni dushk për gogla”, derisa shtoi se njohja e pasaportave të Kosovës nga Spanja është obligim.


    Po ashtu mos të harrojmë shkaktarin që këtë të drejtë ia humbi Kosovës vite me radhë me kauza të kota që sot i përqafon”, ka shkruar ajo mes tjerash.


    Ndërkaq, nga LDK e quajtën hipokrizi të cilësohet si sukses i Qeverisë Kurti, liberalizimi i vizave. Deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi uk la pa përmendur qeverisjen e Isa Mustafës e Avdullah Hotit, që sipas saj punuan shumë për heqjen e vizave.


    “Është hipokrizi të thuash se liberalizimi i vizave është suksesi i kësaj qeverie, kur më së paku ka merita në këtë proces sepse kriteret e përcaktuara për lëvizje të lirë veç ishin arritur kohë më parë, ndërkaq është rastësi që ajo ka ndodhur për gjatë kësaj periudhe kohore, njëjtë sikurse edhe vendimi i Spanjës për njohjen e pasaportës së Kosovës”, tha ajo.


    “Për procesin e liberalizimit të vizave është punuar me shumë zell për gjatë qeverisjes së LDK-së me Kryeministër Isa Mustafa e më pas edhe në mandatin e Kryeministrin Avdullah Hoti, në plotësimin e kritereve të përcaktaura për lëvizje të lirë, ku të gjitha prej tyre janë arritur para se të vjen në pushtet Albin Kurti, ndërkaq ka qenë BE-ja ajo e cila ka stërzgjatur këtë proces ndonëse ishin përmbushur kriteret për lëvizje të lirë“, u shpreh Krasniqi.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark