×
  • Kulturë
  • Show / Kulturë

    Portret i shkrimtarit Eqrem Basha

    Insajderi
    22 August 2023 - 14:04
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Autor: Virion Graçi, shkrimtar

    Në trashëgiminë letrare të Eqrem Bashës, e cila vazhdon të pasurohet me tituj dhe gjetje artistike origjinale, vend të parë zë proza e shkurtër.

    Ai ka lëvruar me sukses dhe romanin, sikurse është njohur edhe si poet, përkthyes e kritik, por përmes tregimit bëhet zë përfaqësues në letërsinë shqipe, autor me fizionomi të kryer duke pasur libra përgjatë gkysmë shekulli; më kryesorja, përherë shfaqet duke rinovuar mjetet shprehëse, duke zbuluar diçka të re, interesante, për të treguar, në planin tematik. Psh: Në librin e fundit, “Hije në grila”, 2020, gjenden risi në prosedimin artistik, në thurjen e subjektit ku qartësohet fabula, ku historia fiksionale ka kronologji lineare, nuk lakohet/rrumbullakësohet apo mjegullohet; personazhet janë të përvetshëm, edhe pa pasur gjeneralitete të gjendjes civile: Janë të individualizuar qartë, e për dallim nga krijimtaria e mëparëshme, personazhet përfaqësojnë historitë e tyre, janë bartës të fateve të tyre e jo shenja/simbole/alegori/analogji të një fryme të epokës, të botës të madhe, të një etnie a shtrese sociale. Po ashtu dhe hapësira e ndodhisë, në përgjithësi është e lokalizuar dhe e përveçuar si hapësirë e zakonëshme urbane, e më rrallë, rurale.


    Antologjinë vetjake “Rruga rreth si zero”, Prishtinë, (2019) dhe librin “Hije në grila”, E. Basha i koncepton me grupime tregimesh sipas afërsisë tematiko-ideore; pa i penguar interpretimet e lira të lexuesëve për secilin më vete, i sjell ata afër idesë së tij krijuese, si një galeri artesh figurative, organizuar sipas pavionëve përkatës. I dijshëm për letërsinë moderne dhe atë të traditës, i sprovuar të operojë me regjistra të ndryshëm narrativë, stilistikë e leksikorë, i vendos në shoqërinë e njëri tjetrit tregimet të cilët, me emër të përbashkët, sikurse jepen, mund të nënkuptojnë një prozë të gjatë, të fragmentarizuar, të ndarë vetëm formalisht me segmente të pavarura. Mund të imagjinojmë: Duke mos dashur ta shkruajë prozën e gjatë në çdo rast, për të shmangur monotonitë e përshkrimet e domosdoshme por prozaike, ai e copëzon lëndën, tregohet minimalist dhe esencialist, jep pikat kryesore të vizonit të tij artistik, relievin e një realiteti që nënkuptohet. Në këtë mënyrë ofrimi të prozës së shkurtër, E. Basha bën një zgjedhje origjinale dhe efikase duke maksimalizuar shprehjen artistike dhe duke ekonomizuar mjetet shprehëse.


    Romancier… “Alpinisti”, “Dyert e heshtjes”, “Lakoret e ik’sit” shquhen për nga poetika si dhe në rrafshin përmbajtësor. “Alpinisti” dhe “Lakoret e ik’sit” janë në llojin e tregimit të gjatë, prozë e reflektimit filozofik, prosedim i ndjekur më parë nga autorë të mëdhej të botës, Kamy te “Rënia”, Heminguej te “Plaku dhe deti”; i dyti, “Plaku dhe deti” me më shumë jetë, me më shumë ngjyrim epik e konkretësi duke e lënë të nënkuptuar pjesën më të madhe të mendimit autorial, sa për të veçuar për tipologji këto vepra të mirënjohura edhe ndër ne. Në këtë traditë shkrimi artistik, “Alpinisti” vjen si rimodelim i mitit të Sizifit; Sizifi i rishkruar, do ta mbartë në shpinë vetveten, idealin për Vashën, për të pa mbritshmin: Shkëmbin e Vashës; synon majën, ngjitjen, fitoren aty ku shumica janë të demoralizuar, të dorëzuar, në një botë të nëpërkëmbur, të kalcifikuar në disfatat dhe fatalitetet e trashëguara. “Lakoret e ik’sit” vjen si roman i polemikës së brendëshme; pamje/variante të ndryshme të të njëjtit un njerëzor janë në shyrtim mes tyre, në proces kujtimi, hetimi, saktësimi, pendese; veprimi i heroit bie ndesh me paramendimet e tij, dualizëm i një uni kontradiktor, në konflikt të brendshëm.

    “Dyert e heshtjes” është me kostrukt të mirëfilltë romanor: I ka disa personazhe, ka një sërë historish të jashtëme seriale e paralele, të ndërlidhura me njëra tjetrën si shkaku me pasojën, në atmosferë kafkiane. Me “Dyert e heshtjes” E. Basha çel dyert e disa burgjeve; në episodet e para krijohet iluzioni/analogjia e burgosjes tipike për motive të larta njerëzore-atdhetare; mandej vjen burgu i përjashtëm, burgu i jetesës në shoqërinë e lirë, ku revolta njerëzore nuk është veçse ndotësira fizilogjike, sekrecionet, gazrat; në pjesën përmbyllëse, antiheroi që ndeshej përherë me Njëshin e pshtetshëm, siç i ka kllapitë, aluçinacionet, dallon muret e një burgu më të madh ku ai zë qelën më të vogël, dallon muret e burgut të absurdit nga i cili, ndoshta metomorfizimi si zog mund ta shpëtojë. Në rend të anasjelltë me Gregor Zamzën e F. Kafkës i cili bie në gjumë njeri dhe zgjohet i shndërruar në kandër, heroi i “Dyert..”, kyçet në qelinë e pavetëdijes si kandër dhe zgjohet/ndërgjegjësohet me etjen për t’u ribërë njeri. “Dyert… ”, në letërsinë shqipe, qëndron mirë përkrah romaneve si: “Odin Mondvalsen”, K. Trebeshina, “Qorrfermani”, I Kadare.


    Pjesa qëndrore në krijimtarinë e E. Bashës është tregimi, por, duket se ai nuk ka përparësi lëvrimin e zhanrit si të tillë; ai është i detyruar të zgjedhë/të shkëmbejë mjetet shprehëse sipas asaj që do të sjellë në jetë. Thuhet se temat e zgjedhin autorin, mund të shtojmë se temat i përcaktojnë autorit dhe zhanrin përkatës. Konvencat zhanrore rrafshohen në prozat tregimtare të Bashës: Proza e shkurtër, proza e gjatë, dialogu, monologu apo zëri i ndërfutur i autorit-narrator, përroi psikik ose ligjërata e zhdrejtë e lirë, të përdorura për të evokuar, për të stigmatizuar a medituar për subjekte e tema të qenësishëme, vijnë në sintezë, të harmonizuara organikisht, në funksion të pamjeve artistike, në shërbim të botës së gjallë fiksionale.


    Në prozën e gjatë të E. Bashës gjen teatrin, minidramën ose monodramën, jo vetëm dramatiken si kategori estetike, por skena të mirëfillta të dramaturgjisë skenike, duke anuar nga teatri absurd. Rrëfimi është në dialog, në monolog ose në diskursin vizual-piktorik të autorit-narrator. Herë pas here autori përsërit ose njofton hollësi të reja të rekuizitës, të dekorit duke u kujdesur kështu me përkushtim regjisorial për skenën ku kryet episodi i radhës. Fare lehtë “Alpinisti” dhe “Lakoret e ikë’sit” mund të inskenohen si monodrama; nuk e teprojmë nëse e përfytyrojmë “Dyert e heshtjes” si pjesë për teatër të cilës i mungon vetem etiketimi dhe shpegimet formale për t’u botuar a luajtur në skenë pa më të voglën ndërhyrje në tekst.


    Në këtë hulli afërsie shpirtërore dhe zotësie shprehëse me dramaturgjinë, një pjesë e krijimtarisë së E. Bashës është me motive të temës së absurdit; Jo aq në kuptimin klasik të marrdhënies së individit me botën, por të marrdhënieve komplekse e bizarre midis vetë individëve; e këtu numërojmë si të tillë edhe pesë tregimet me titullin e përbashkët “Dy vetë”, në librin “Rruga rreth si zero”. Në buketën e tregimeve me titullin “Teatri i paralagjes”: “Të këputesh së qeshuri”; “Ligaçët”; “Teatri i Leckaportit”; “Fifi”, absurdi anon nga grotesku duke iu qasur marrisë, element karakteristik ky që të kujton stilin barok, pavarësisht gjurmëve të pakta të këtij kësaj lëvizjeje në letërsinë europiane; frymë baroke ose një atmosferë feliniane, nëse shohim nga kinamatografia.


    Në një sërë tregimesh si figurë mbizotëruese gjen groteskun, ngjyrat më gri të peizazhit tonë urban. Qyteti përfaqësohet (1) me pamje fizike, duke të kujtuar të ashtuquajtur realizëm objektiv, i pretenduar si parim krijues te autorë francezë të anti-romanit, ku objektet e rrëfyera fotografikisht nga rrëfimtari, nënkuptojnë personazhet, marrdhëniet mes tyre, kontradiktat apo historitë që mund të prodhojnë a kryejnë në marrdhënie a kontrast mes tyre. E Basha, e përjashton ose e minimizon personazhin njeri, për ta zvendësuar me objektet dhe ambientin rrëfyes; së dyti, peizazhi urban vjen si metaforë, pra qyteti si Toka, si Rruzulli, në kuptimin astronomik të fjalës, pra, skena ku luhet drama e farsa e njerëzimit. Qyteti, pa emër të përvetshëm, te E. Basha, është ku mbin e keqja, e shëmtuara. Por jo vetëm ligësia e shëmtimi: Është, në një sërë tregimesh streha dhe skena e personazheve të ndjerë e të dinjitetshëm, vizatuar me dashuri, lirizëm e empati.


    E. Basha e pasuron fondin e zgjedhur të letërsisë shqipe duke lundruar kundër rrjedhave të saj, sa i përket tipologjisë së heroit, të protagonistit. Nëse letërsia shqipe e ka të eksagjeruar fondin e personazheve me vlera të larta etiko-morale, atdhetare, të mbingarkuar me ideale pozitive e pathos popullor, Ai sjell heronjtë e vegjël ose antiheronjtë, njerëz të cilët pesha e kohës historike, rrethanat e veçanta individuale a të rastësia i ka bërë edhe më të vegjël, gati mikroskopikë, i ka deformuar në pikëpamje pikologjike, trandur nga ana mentale madje, jo rrallë janë në lëngatë biologjike/fiziologjike. Ndërsa në letërsi të tjera kemi temën e njeriut të tepërt, të margjinalizuar, njeriun e periferive, E. Basha sjell në letërisë çfarë është e tepërt, banale, vulgare, e ulët te vetë individi.

    Duke zgjedhur për të pikturuar me këto ngjyra, skajshmërisht kritike, çmitizuese, përqeshëse, e për rrjedhim – jo të dashura për lexuesit tradicionalë shqiptarë, autori rrezikon të mos bëhet i modës. Por duket se ai nuk shkruan vetëm për sot dhe për një stinor. Një numër i mirë tregimesh, me në krye romanin “Dyert e heshtjes”, besoj se e faktojnë këtë përshtypje. Tregimet e tij nuk synojnë të provokojnë solidaridet, bashkëndijim, njësim emocional mes lexuesit dhe personazheve, por synojnë distancimin nga bërlloku, synojnë, mendoj, të të çlirojnë nga utopitë, nga papastërtitë, nga gjendjet patetike të vetmashtrimit e të optimizmi jo racional. Me fjalë të tjera, E. Basha nuk është një shkrimtar që përfaqëson dhe ledhaton egot e turmave. Masat, me siguri nuk do ta zgjidhnin si shkrimtari që i përfaqëson; ai qëmton në përditshmërinë tonë dhe në historinë tonë gjërat që shndrisin, por edhe ato që nxijnë, stonojnë.


    Eqrem Basha është tregimtari i madh i radhës; eksplorues i kohëve moderne, e rrok ambientin dhe individin bashkëkohës në imtësi, në fraksione të sekondës; nisur nga mikrokozmosi, nga psikika e një njeriu të zakonshëm, nga një ndodhi e rëndomtë a nga një peizazh i varfër, ai rrëfen dhe përgjithëson, rrok hapësira historike dhe mitike sepse ka mundur të zbulojë ligjësi të qenies e të shoqërisë, ka mundur të kuptojë në thelb mekanizmat tekanjozë të vetëdijes e të pavedijes, individin dhe turmat. Ai nuk filozofon, nuk moralizon, nuk anatemon, nuk i bashkon a ndan bardh e zi tipat, dukuritë, periudhat dhe format e ekzistencës; tekstet e tij i nxisin mendimet filozofike, e shkaktojnë pasigurinë, simpatinë, ankthin, antipatinë, dhimbjen a dhëmbshurinë; ai i përshkruan bukur psikozat, histeritë, pështjellimet, paranojat – e në këtë prirje e aftësi të dëshmuar të kujton një tregimtar nga bota pranë nesh, Dino Buzzatin; sikurse, me personazhet e vegjël të zyrave e të qyteteve të mëdha të kujton tregimet e Gogolit. Në modelin e përrallës shqiptare, ndërton tregime origjinale, herë me prirje të dukshme nga rrëfimi i së bukurës bukura, e diku rrëfenja përralla me tone groteske. Nga ana tjetër, në katër tregime të v.1981-‘90, SHPRESA; MË I VOGLI QESHTE; REGJIMENTI; BARDHI, kuadron një epokë tragjiko-heroike të Kosovës, pa rënë në patetikë a në nihilizëm e aq më pak në përsëritje; më tej, dy tregime si, VETËM PËR NJË NATË dhe URITHI japin përkatësisht, i pari embrionin e ekspansioneve shoviniste, dhe i dyti, gjasën, rrezikun e shëmbëllimit me armikun, njëjtësimin me modelin që ke urryer.

    …krijimtaria e tij vazhdon, sikurse përjetimi estetik, meditimi e gjykimi kritik rreth saj e për të janë në vijim…

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark