×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    “Postuan video denigruese në TikTok pa lejen time, policia nuk ndërmorri asnjë hap”, e reja rrëfen përvojën që e çoi në prag të depresionit

    Insajderi
    28 April 2023 - 14:11
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    TikToku është aplikacioni numër 1 i shkarkuar në 40 vende të botës, një ndër to është padyshim edhe Kosova.

    Një pjesë e të rinjëve në Kosovë, kanë qasje në këtë aplikacion dhe përveçse të socializohen me njëri- tjetrin, e përdorin për të postuar imazhe e video të tyre.

    Mirëpo këto postime, po keqpërdoren nga persona që qëndrojnë pas disa llogarive siç janë ‘’couples.peja’’, ‘’podujevacouples01’’, ‘’couplesprishtinaaa’’ etj; të cilat postojnë fotografi të personave të mitur bashkëngjitur me mbishkrime denigruese, shkruan Insajderi.

    Për redaksinë e Gazetës Insajderi, historinë e saj e ka ndarë edhe A.K (inicialet të cilat janë ndryshuar nga redaksia), që i janë postuar foto në mënyrë të ngjashme.

    ‘’Mua më ka njoftuar një i afërm i imi që më është postuar një video e modifikuar në TikTok, një pamje e imja duke iu bashkëngjitur një zë fyes dhe mbishkrimi në video ishte banal’’, ka thënë ajo.

    A.K. ka treguar se nga policia nuk ishin marrë masat e duhura edhe përkundër faktit që ajo kishte raportuar rastin në këtë institucion.

    ‘’E kam raportuar menjëherë të nesërmen në polici por kaluan një javë dhe asnjë njoftim. Kam shkuar disa herë në polici por nuk kanë ndërmarrë asgjë, nuk kanë hetuar asgjë. Masat e duhura nuk janë marrë fare, asnjë masë’’, ka shtuar A.K..

    Pa përkrahje institucionale, çështjen e kishte trajtuar vetë duke e bërë report faqen e cila e kishe modifikuar videon e saj, shkruan Insajderi.

    ‘’Pas disa reportave në faqe, ajo u mbyll. Policia vetëm pas mbylljes së faqes insistonin që ta mbylli rastin’ ka deklaruar ajo.

    Sipas A.K., kjo ngjarje ka ndikuar edhe në shëndetin mendor të saj.

    ‘’Sa i përket gjendjes së shëndetit mendor, ka ndikuar jashtëzakonisht keq, isha afër gjendjes depresive’’ shtoi ajo.

    Për këtë fenomen është kontaktuar edhe Policia e Kosovës e cila ka dhënë statistika lidhur me numrin e personave të arrestuar për këtë fenomen.

    Sipas policisë, gjatë periudhës Janar-Mars 2023, 607 persona janë arrestuar për kanosje në këtë rrjet social.

    Numër të lartë shënojnë edhe personat e arrestuar për shantazh, vetëm gjatë këtyre muajve, 31 persona  janë arrestuar për shantazh.

    Kanosja e shantazhi lidhen direkt me hyrjen në sistemet kompjuterike që në Kosovë nuk është fenomen i rrallë.

    Për periudhën janar – mars të këtij viti, janë arrestuar 62 persona për hyrje në sisteme kompjuterike, shruan Insajderi.

    Këtë situatë e ka parë shqetësuese në aspektin e shëndetit mendor edhe psikologu, Labinot Dërvishaj, i cili ka folur për personat që bëjnë shpërndarjen e përmbajtjeve të tilla.

    ‘’Personat që manifestojnë veprime të tilla janë të predispozuar të jenë më çrregullime të personalitetit shoqëror që përfshin shembull të sjelljeve të dhunshme, kriminale, jo etike, shfrytëzuese si dhe paaftësisë për të respektuar të tjerët dhe privatësinë e të tjerëve. Por kur një fenomen i tillë nga praktikuesit kalon në kënaqësi për të dëmtuar, shqetësuar dhe mërzitur të tjerët kalon në sadizëm social-emocional’’, ka thënë ai.

    Dervishaj ka folur edhe për ndikimin e madh që ka ky fenomen në shëndetin mendor të nxënësve.

     ‘’Ky fenomen përveç se në përformancen adakemike të nxënësve ndikon shumë edhe në mirëqenien e shëndetit mendor të tyre. Fillimisht krijojnë varësi në përdorimin e Tiktok-ut, behën më agresiv dhe tensionuar, përvetësojnë fjalor të bastarduar të shprehjes dhe komunikimit më të tjerët por edhe behën më të vetmuar në raportin e zakonshëm social. Ndërsa në një nivel me të keq sjelljet e keq-përshtatura avancohen duke filluar më etiketime të profileve të tjerëve, duke i raportuar ato apo edhe në rastin më të keq shpërndarjen e pa autorizuar të fotografive të të tjerëve’’, është shprehur ai, shkruan Insajderi.

    Autore: Rrita Mulaj

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark