×
  • Lajme
  • Lajme

    “Prej sot krejt robt kom me t`i q…”- Zafir Berisha shpallet fajtor për sulmin ndaj policit

    Insajderi
    09 January 2024 - 13:38
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Gjykata e Prizrenit e ka shpallur fajtor ish-deputetin e Nismës Zafir Berishën për sulmin e ushtruar ndaj personit zyrtar përkatësisht policit i cili i kishte shqiptuar gjobë trafiku.

    Fajësia është pranuar edhe nga vetë Berisha, i cili ka shprehur pendim për rastin e ndodhur, ka kërkuar falje dhe madje i ka premtuar gjykatës se nuk do të përsëris veprime të tilla kundërligjore.

    Aktakuza për këtë rast ishte ngritur në tetor të vitit 2022 nga Prokurori i Prokurorisë së Prizrenit Shpend Binaj, i cili nuk e kishte kundërshtuar pranimin e fajësisë.

    Gjyqtari i rastit Lulzim Hoxha e kishte aprovuar pranimin e fajësisë nga Zafir Berisha dhe e kishte llogaritur si rrethanë lehtësuese me rastin e shqiptimit të dënimit i cili kishte vendosur të ishte 6 muaj burgim, por me pëlqimin e të pandehurit dënimin me burgim e ka zëvendësuar me gjobë prej 1500 euro.

    Aktgjykimi ka shtjelluar në detaje ngjarjen duke përshkruar se më datën 8 qershor 2022, rreth orës 14:40, në rrugën “Suzi Qelebi”, në Prizren, i  pandehuri Zafir Berisha me dashje e ka sulmuar policin përkatësisht të dëmtuarin Q. D. gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, për shkak të shqiptimit të tiketës për kundërvajtje.

    Sipas dosjes së gjykatës derisa Q. D. së bashku me dy zyrtarë tjerë policor Sh. D. dhe Xh. H., ishin në detyrë zyrtare duke patrulluar në rrugën e lartpërmendur, kanë hasur disa vetura të parkuara në mënyrë të parregullt përfshirë edhe veturën pronë e ish-deputetit dhe koordinatorit për siguri kibernetike.

    Me të konstatuar parregullsinë në xhamin e veturës së Zafir Berishës polici Q. D. vendosë “njoftim për paraqitje obligative në stacionin policor dhe vendimin për kundërvajtje”.

    Gjithnjë sipas dosjes së gjykatës, posa Zafir Berisha vëren zyrtarin policor afër veturës së tij i afrohet duke e sharë dhe përdorur fjalë kërcënuese.

    “Çka ma ke lanë atë letër aty, kush je ti që më shënon gjobë he robt, t`i nuk din kush jam unë, prej sot krejt robt kom me t`i q…., more fëmijët kam me të mbytë” – i kishte thënë Zafir Berisha policit.

    Më pas, sipas atkgjyikimit, i pandehuri me veprimet e tija i kanoset seriozisht se do ta sulmojë policin, fillimisht njoftimin për kundërvajtje e gris dhe copëzat e saj i hedh në fytyrë të Q. D. dhe i vërsulet të njëjtit për ta sulmuar.

    I dëmtuari duke e vërejtur rrezikun se do të sulmohej nga i pandehuri, e përdor pajisjen zyrtare “Sprej OC”, duke e hedhur të njëjtën në drejtim të pandehurit, ku më pas i pandehuri largohet nga i dëmtuari.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark