×
  • Lajme
  • Lajme

    Presidenti Thaçi i dhuron medalje historianit Noel Malcolm

    Insajderi
    20 May 2016 - 11:23
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot shkrimtarin, historianin, poliglotin, gazetarin dhe akademikun e njohur britanik, Sir Noel Malcolm, analist i çështjeve të Ballkanit dhe autor i librave të shumtë për historinë e shqiptarëve, i cili së fundmi promovoi në Prishtinë edhe librin “Agjentë perandorakë” në gjuhën shqipe.

    I pari i vendit nderoi historianin Sir Noel Malcolm me dekoratën ”Medalja e Artë e Lidhjes së Prizrenit”.

    “Me përgjegjësinë shtetërore si president i vendit, kam kënaqësinë që t’i dorëzojë në shenjë kontributi për të vërtetën e Kosovës dhe shqiptarëve, Medaljen e Artë të Lidhjes së Prizrenit”, tha presidenti Thaçi, thuhet në një njoftim të presidencës.

    Për historianin Sir Noel Malcolm, presidenti Thaçi tha se ka thënë një të vërtetë të munguar për shqiptarët, ka thënë të vërteta të shumta edhe për popujt e tjerë të rajonit tonë, me librat edhe për Bosnjën gjatë periudhës së luftës në Bosnjë, por mrekullia e së vërtetës për Kosovën është se ka thënë të vërtetën për Kosovën edhe para se të shpërthente lufta në Kosovë.

    “Libri juaj i së vërtetës për Kosovën ishte libri i shpërthimit dhe ndërgjegjësimit të diplomacisë botërore për Kosovën, por dhe i ndikimit në kuptimin pozitiv të vendimmarrjeve të diplomacisë botërore për Kosovën”, tha presidenti Thaçi.

    Ndërsa, Sir Noel Malcolm, pasi falënderoi presidentin Thaçi për dekoratën “Medalja e Artë e Lidhjes së Prizrenit”, tha se është vetëm historian dhe nuk merret me politik, por beson se për çdo vend, për të ardhmen e një populli, janë shumë të rëndësishme faktet dhe e vërteta historike, thuhet në komunikatë.

    “Në qoftë se kam ndihmuar pak kur kam shkruar për të vërtetën historike të Kosovës, jam shumë i lumtur, sepse është shumë e rëndësishme që bota të mund të kuptojë mirë historinë e Kosovës në situatën e sotme edhe për të zhvilluar të ardhmen e Kosovës për të gjithë kosovarët”, tha historiani Malcolm.

    Dekorata ”Medalja e Artë e Lidhjes së Prizrenit” u jepet qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe atyre të huaj, si dhe personaliteteve të botës shqiptare që kontribuojnë për mirëkuptim mes shqiptarëve dhe kombeve të tjera në të gjitha fushat e jetës në frymën e lidhjes.

     

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark