Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka lavdëruar futbollistët shqiptarë të Zvicrës megjithëse ata u diskualifikuan nga Euro 2016 pas humbjes në penalti nga Polonia.
Thacit sidomos i ka lënë mbresa goli i Xherdan Shaqirit.
“Xherdan Shaqiri, i mbështetur edhe nga Granit Xhaka, Valon Behrami, Admir Mehmedi, Blerim Xhemaili, si dhe Shani Tarashaj në stol, shënoi mbase golin më të bukur të kampionatit evropian, duke barazuar rezultatin në kohën e rregullt”, ka shkruar ai.
Sipas tij, edhe pse ata humbën, “shqiptarët vazhduan të na bëjnë krenarë në EURO 2016 në Francë”.
“I përgëzoj bashkëkombasit tanë për paraqitjen dinjitoze, ndërsa Shkodran Mustafit i uroj shumë fat me kombëtaren gjermane”, ka shkruar Thaçi në llogarinë e tij në Facebook.
Zvicra dhe Polonia u përballën në ndeshjen e parë të 1/8 së finales. Në këtë ndeshje, Xherdan Shaqiri shënoi golin e barazimit në minutën e 80, e që padyshim është goli më i mirë deri më tani në evropian./Insajderi.com