×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Prezantimi i Jakup Krasniqit si i arrestuar për krime ndaj njerëzimit, reagojnë nga Presidenca

    Insajderi
    04 February 2024 - 16:45
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Bekim Kupina, këshilltari i presidentes Vjosa Osmani, ka thënë se s’kanë qenë të informuar as shefja e tij e as stafi politik lidhur me, siç iu referua ai, ndërhyrjes në biografinë e Jakup Krasniqit, ish-ushtrues detyre i presidentit dhe ish-kryetar i Kuvendit të Kosovës, tek faqja zyrtare e Presidencës.

    Kupina këtë e ka thënë me anë të një postimi në profilin zyrtar të tij në ‘Facebook’, duke shtuar se Osmani ka kërkuar masa disiplinore ndaj personit përgjegjës që e ka prezantuar Krasniqin si të akuzuar për krime lufte ndaj njerëzimit në uebfaqen e Presidencës së Kosovës, shkruan Gazeta Insajderi.

    “Presidentja Osmani dhe as stafi i saj politik nuk kanë qenë të njoftuar e as të konsultuar lidhur me ndërhyrjen në tekstin në uebfaqen e Presidencës së Kosovës sa i përket biografisë së ish-U.D.Presidentit dhe Kryetarit të Kuvendit, z.Jakup Krasniqi”, thuhet në deklarimin e Kupinës.

    “Tashmë po hetohet momenti kur është ndërhyrë në tekst dhe nga kush.  Rrjedhimisht, Presidentja Osmani ka kërkuar përgjegjësi të plotë për këtë rast dhe  ndërmarrjen e menjëhershme të masave diciplinore për personat përgjegjës”, vijon postimi.

    Kupina ka thënë se i kërkojnë ndjesë Jakup Krasniqit dhe familjes së tij lidhur me këtë veprim.

    Faqja zyrtare e Presidencës së Kosovës e ka një rubrikë ku janë të publikuar emrat e ish-presidentëve të Kosovës.

    Në mesin e tyre është edhe emri i Jakup Krasniqit si ish-ushtrues i detyrës së presidentit.

    Qysh në fillim, Krasniqi në këtë pjesë prezantohej si i arrestuar nga  Gjykata Speciale për krime lufte kundër njerëzimit.

    “Jakup Krasniqi (i lindur më 1 janar 1951) në fshatin Negrovc  të Komunës së Drenasit, është politikan shqiptar dhe ish-President i përkohshëm i Kosovës. Ka qenë Kryetar i Kuvendit të Kosovës. Gjatë Luftës së Kosovës ai ishte zëdhënës politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së). Në nëntor të vitit 2020 u arrestua për krime lufte kundër njerëzimit të paraqitura para Dhomave Speciale të Kosovës”, thuhej më herët në faqen e Presidencës tek biografia e Krasniqit, përpara ndërhyrjes. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark