Hetuesit të cilët po përpiqen të zbulojnë shkaqet e vdekjes së Prince kanë gjetur tek ai dhe në banesën e artistit në Minesota, qetësues të fortë me bazë opioidesh. Lajmin e ka bërë të ditur për CNN një zyrtar i zbatimit të ligjit.
Bëhet fjalë për medikamente që përdoren kundër dhimbjes. Hetuesit besojnë se problemet shëndetësore me të cilat u përball Prince një javë para vdekjes, e që detyruan avionin e tij të ulej në Ilinois, mund të kenë qenë rezultat i ndonjë reaksioni nga këto ilaçe.
Sipas zyrtarit të cituar nga CNN, 57-vjeçari ishte trajtuar për një mbidozë të mundshme qetësuesish. Edhe pse menaxheri i ikonës së muzikës pop u përpoq të çdramatizonte situatën duke thënë se këngëtari vuante nga një grip i rëndomtë, TMZ raportoi se në fakt bëhej fjalë për një mbidozë opioidesh. Nëse do të konfirmohet, rasti do të rikthente në kujtesë vdekjen e Michael Jackson, njofton tch, duke iu referuar CNN.
Prince Roger Nelson, me emrin e artit Prince, u gjet i vdekur pasditen e 21 prillit në një prej ashensorëve të rezidencës së tij në Paisley Park. Të shtunën ai u përcoll për në banesën e fundit, përmes një ceremonie private dhe të një profili mjaft të ulët. Shkaqet e vdekjes mbeten ende të paqarta. Sipas ekspertëve mjekoligjorë, do të duhen javë deri në publikimin e rezultateve të autopsisë.