×
  • Lajme
  • Analiza

    Prindoni i rebeluar kundër mediave – Heshtje 6 ditore pas publikimit të skandalit të fshehjes së shpenzimeve të derivateve

    Insajderi
    28 July 2022 - 16:15
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Në heshtje totale po mundohet ta kaloj skandalin e fshehjes së shpenzimeve për derivate diplomati Prindon Sadriu. Derisa për publikimet e skandaleve tjera ai reagonte duke fyer e “kërcënuar” me padi mediat, kanë kaluar gjashtë ditë prej kur Agjencia për Informim e Privatësi e ka dënuar MPJ-në me 13 mijë euro, e Sadriu nuk ka reaguar ende. Nuk është përgjigjur as në pyetjet e Insajderit, se sa ka shpenzuar nga taksat e qytatrëve prej kur është pjesë e misionit të Kosovës në Maqedoninë Veriore

    Bashkëshorti i Presidentes së vendit Vjosa Osmani, Prindon Sadriu ka qëndruar në heshtje totale tash e gjashtë ditë pas publikimit të skandalit të fshehjes së faturave të shpenzimeve të tij nga Ministria e Punëve të Jashtme.

    Mbajtja sekret e faturave nga ministria që drejtohet nga bashkëpunëtorja më e ngushtë e bashkëshortes së tij, Vjosa Osmani, ministrja Donika Gërvalla, u dënua me gjobë 13 mijë euro nga Agjencia për Informim dhe Privatësi.

    Pas refuzimit të Ministrisë që t`i ofrojë këto dokumente dhe arsyetimit të Ministres Gërvalla se shpenzimet nuk munden me i nda veç e veë, gazeta ka kërkuar edhe nga Prindon Sadriu që të na tregoj se sa është shuma e parave të shtetit që ka shpenzuar për derivate në destinacionin Kosovë-Maqedoni.

    Përveç tyre, Insajderi ka kërkuar të dij edhe nga vetë Sadriu se sa është shuma e parave që ka shpenzuar për meditje, dreka, darka e telefon. Por as Sadriu deri tash nuk është përgjigjur në pyetjet e Gazetës Insajderi.

    Prindon Sadriu, që e mbante pozitën e zëvendësshefit të misionit diplomatik në Shkup, në mars të viti 2020, kishte kërkuar nga Ambasadori i Kosovës në atëkohë Gjergj Dedajt, që t’ia ofronte mundësinë e shfrytëzimit të karburantit përmes procedurave të ambasadës.

    Në kërkesë e specifikonte se dëshironte shfrytëzimin e karburanteve nga shteti deri në gjetjen e një banese për akomodim, siç thoshte ai deri në përmbylljen e procedurave të akomodimit, sipas specifikave familjare, por edhe të sigurisë.

    Kjo kërkesëe tij, ishte aprovuar nga Zyra e Sekretarit të Përgjithshëm të MPJ-së me 2 mars 2020.

    Mirëpo asnjëherë publikisht Sadriu nuk tregoi se a gjeti banesë dhe sa gjatë Ministria e Punëve të Jashtme i ka paguar atij për karburante.

    Premtuan transparencë por Osmani e Kurti heshtin për skandalin e fshehjes së shpenzimeve të Prindon Sadriut

    Kanë kaluar gjashtë ditë prej kur Agjencia për Informim dhe Privatësi gjobiti njërin nga dikasteret qeveriatare me 13 mijë euro, pasi refuzoi të tregohet transparente në shpenzimin e taksave të qytatarëve në Kosovë.

    AIP gjobiti, Ministrinë e Punëve të Jashtme që drejtohet nga Donika Gërvalla për fshehjen e faturave të shpenzimeve nga Prindon Sadriu, që është edhe bashkëshorti i Presidentes Vjosa Osmani.

    Për gjatë këtyre ditëve as Presidentja Vjosa Osmani e as Kryeministri Albin Kurti nuk e thanë asnjë fjalë lidhur me këtë skandal të Gërvallës, ani pse në vazhdimësi premtonin transparencë e llogari dhënie për shpenzimet e parasë publike.

    Gazeta Insajderi, që ka kërkuar faturat e shpenzimeve të Prindon Sadriut dhe raportuar për gjobën 13 mijë euroshe ndaj MPJ-së, ka kërkuar koment rreth rastit nga zyra e të pares së shtetit, por zyra e Osmanit ende nuk ka kthyer asnjë përgjigje.

    Koment deri në momentin e publikimit të tekstit nuk ka pasur as kryeministri Albin Kurti. Zyra e kryeministrit Kurti nuk është përgjigjur në pyetje të Insajderit.

    Por për dallim prej tyre Donika Gërvalla, pas arsyetimit skandaloz pse nuk po i ofron faturat e shpenzimeve tha se ka dhënë edhe një urdhër që zyra e financave të MPJ-së t`i jep faturat e shpenzimeve të krejt kabinetit pa pasur nevojë qe mediat të bëjën kërkesë.

    Por për kërkesën specifike për shpenzimet e Prindon Sadrit tha se nuk ka staf që t`i filtrojnë nga shpenzimet e misionit sepse ato ekzistojnë si tërësi.

    “Shpenzimet e misioneve i ka si shpenzime të misioneve, nuk janë të ndara individualisht. Nuk kemi kapacitetin sa i përket personelit momentalisht, prandaj edhe reforma në këtë institucion është edhe më e nevojshme. Shpenzimet nuk mund t’i ndajmë veç e veç”, tha ajo.

    “S’kemi asnjë interesim të fshehim asnjë shpenzim të vetëm. Kemi lutur departamentin që të përgatisë në afat sa më të hershëm, duke nisur prej shpenzimeve të kabinetit në mënyrë që ju media të mos dërgoni fare kërkesat, dhe të publikojmë gjitha shpenzimet edhe të së kaluarës e së ardhmes. Vendimi politik është ndërmarrë, pas kabinetit do të nisim publikimin e atyre të misioneve diplomatike”, tha Gërvalla.

    Por kjo ministri para një viti, i pati ofruar Insajderit shpenzimet për derivate për ish-ministren Meliza Haradinaj dhe kabinetit të saj, të ndara. Madje përveç derivateve pati ofruar edhe faturat e shpenzimeve tjera për paga, meditje, dreka darka e shpenzime telefoni.

    Beteja 4 mujore e Gazetës Insajderi, për zbulimin e shpenzimeve të shtetit për Sadriun

    Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, as pas katë muajsh që kur Gazeta Insajderi ka kërkuar qasje në shpenzimet e Prindon Sadriut që paguhen me taksat e qytetarëve, nuk ka lejuar që ato të bëhen publike. Kjo ministri, ku punon e nga ku merr pagë Sadriu, i kaloi të gjitha afat ligjore për qasje në dokumentet publike.

    Kujtojmë se Gazeta Insajderi me 15 shkurt të këtij viti, kishte bërë kërkesë zyrtare për qasje në dokumentet publike, në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës, duke kërkuar faturat e shpenzimeve të diplomatit Prindon Sadriu për karburante.

    Pavarësisht që është e obliguar me ligj që të ofroj dokumentet, Ministria e Punëve të Jashtme që drejtohet nga Donika Gërvalla, nuk i ka ofruar këto fatura për Insajderin.

    Në muajin maj Insajderi, lidhur me rastin dërgoi ankesë në Agjencinë për Informim dhe Privatësi.

    Ky agjencion në fillim të qershorit mori vendimin përmes së cilit MPJ obligohej që brenda shtatë ditësh t`i ofronte gazetës faturat e shpenzimeve të Sadriut. As pas kalimit të këtij afatit MPJ nuk i dha faturat.

    Në fillim të muaji korrik Agjencia e gjobiti me 3 mijë euro për heshje ndaj kërkesës dhe obligimit që brenda shtatë ditësh t`i dërgonte faturat gazetës.

    Pavarësisht kësaj shteti prap nuk u zbraps nga përpjekja për favorizimin e burrit të presidentes duke mos ofruar dokumenetet e shpenzimeve të tij, shkruan Gazeta Insajderi.

    Sot Agjenci për Informim dhe Privatësi, e gjobiti për herë të dytë Ministrinë e Punëve të Jashtme me gjobën e dytë prej 10 mijë euro.

    “Agjenci për Informim dhe Privatësi duke vënë re qasjen mospërfillëse të këtij insitucioni publik, është detyruar të vazhdojë me hapin e radhës të shqyrtimit të kësaj ankesë, duke nxjerrë vendimin, përmes së cilit i shqiptohet gjobë insitucionit publik në fjalë, shuma e së cilës arrinë në 13 mijë euro”, thuhet në vendimin e AIP.

    Burri i Presidentes Osmani, ia kërkoi shtetit 396 euro kompenzim për shpenzime pas infektimit me Covid-19

    Gjatë kohës sa Prindon Sadriu ishte zëvendësshef i misionit në Shkup, por në detyrë edhe si Zotëri i Parë, ai kishte përfituar nga buxheti i shtetit për rimburësimin e pjesshëm të shpenzimeve për trajtimin e virusit COVID-19.

    Sadriut, ndonëse sipas faturave të dorëzuara shihet se shpenzimet i kishte bërë në Prishtinë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ia kishte aprovuar edhe kërkesën për mbulimin e pjesshëm të shpenzimeve për trajtimin e infektimit me Covid-19.

    Kërkesën për rimburësim të shpenzimeve në vlerë prej 396 euro e 80 cent, Prindon Sadriu e kishte bërë më 22 dhjetor 2020. Zotëriu i Parë në këtë kërkesë e kishte njoftuar asokohe Sekretarin e Përgjithshëm edhe për mungesën e një fature në vlerë prej 40 eurosh, të cilën i thoshte se nuk po mund ta gjente, porse ia kishte bashkuar kuponin fiskal.

    “Me shpresën të jeni mirë, ju kërkoj me konsideratë aprovimin e rimbursimit të shpenzimeve të pjesshme shëndetësore të cilat ndërlidhen me trajtimin tim nga infeksioni Covid-19, në shumën totale prej 396.80 Euro. Bashkangjitur gjeni faturat origjinale, ndërsa nëse ju duhet, ju dërgoj edhe raportet e specializuara mjekësore dhe përmbledhjen e të gjitha analizave të bëra. Ju njoftoj gjithashtu se nuk kam mundur të gjej faturën në shumën Euro 40.00, por kam bashkangjitur vetëm kuponin fiskal të cilin si duket e kam ruajtur gabimisht në vend të faturës. Nëse kuponi fiskal nuk mjafton, atëherë me konsideratë kërkoj që ajo faturë të zbritet nga totali”, thuhej në kërkesën e Sadriut.

    Në fund të kërkesës së tij, Sadriu thoshte se nuk ka kërkuar rimburësim të mjeteve edhe për rreth 4 palë analiza të përgjithshme laboratorike.

    “Gjithashtu, vetëm sa për informim ju njoftoj se në këtë kërkesë nuk kam kërkuar rimbursim të mjeteve për rreth katër palë analiza të përgjithshme laboratorike të bëra në laboratore privat në koston e përafërt rreth Euro 350.00 dhe dy incizime të mushkreive në CT gjithashtu në laboratore privat me kosto të përafërt rreth Euro 450.00”, thoshte në fund të kërkesës së tij, Prindon Sadriu. /Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark