×
  • Lajme
  • Insajderi

    “Mbushjani Prindonit kerrin naftë”, edhe këtë vendim e mori qeveria Kurti

    Insajderi
    09 February 2022 - 22:51
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Përvec deputetëve në Qeverisjen e Albin Kurtit edhe zotëria i parë Prindon Sadriu kishte shpenzuar naftë për udhëtimet e tij nga buxheti i shtetit.

    Më 2 mars të viti 2020, Prindon Sadriu që atë kohë mbante pozitën e zëvendësshefit të misionit në Shkup kishe kërkuar nga Ambasadori i Kosovës në Shkup, Gjergj Dedajt, që t’ia ofronte mundësinë e shfrytëzimit të karburantit përmes procedurave të ambasadës, deri në gjetjen e banesës për akomodim.

    Sipas Prindon Sadriut kjo kërkesë, po bëhej deri në përmbylljen e procedurave të akomodimit, sipas specifikave familjare, por edhe të sigurisë.

    Në këtë kohë Ministria e Punëve të Jashtme udhëhiqej nga krahu i djathtë i Albin Kurtit, Glauk Konjufca.

    Kjo kërkesë ishte aprovuar nga Zyra e Sekretarit të Përgjithshëm të MPJ-së në kundërshtim me Udhëzimin Administrativ 01/2018 për Plotësimin dhe Ndryshimin e Udhëzimit Administrativ nr. 03/2012 për Shpenzimet Personale dhe Operacionale në Misionet Diplomatike dhe Konsullore të Republikës së Kosovës.

    Por, bazuar në udhëzimin administrativ që e rregullon këtë çështje, specifikisht në pikën 7.4 të tij, kjo gjë nuk ishte e lejueshme.

    “Ministria nuk mbulon shpenzimet e transportit publik të stafit të misionit diplomatik dhe konsullor për vajtje-ardhje në punë. Lejohet mbulimi i shpenzimeve për transportin, vajtje-ardhje në punë të personelit vendor, vetëm kur kjo është e detyruar me legjislacionin vendor”, thuhet në pikën 7.4 të Udhëzimin Administrativ 01/2018 për Plotësimin dhe Ndryshimin e Udhëzimit Administrativ nr. 03/2012 për Shpenzimet Personale dhe Operacionale në Misionet Diplomatike dhe Konsullore.

    Zotëriu i Parë, Prindon Sadriu, kishte përfituar nga buxheti i shtetit edhe nga rimburësimi i pjesshëm i shpenzimeve për trajtimin e virusit COVID-19. Sadriu, ndonëse sipas faturave të dorëzuara shihet se shpenzimet i kishte bërë në Prishtinë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës kundërligjshëm ia kishte aprovuar edhe kërkesën për mbulimin e pjesshëm të shpenzimeve për trajtimin e infektimit me Covid-19.

    Zotëriu i Parë i shtetit, Prindon Sadriu, duket se ishte një prej diplomatëve më të privilegjuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme edhe para se të ngarkohej me punët e ambasadorit në misionin diplomatik në Shkup./INSAJDERI.ORG

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark