×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Prish e ndreq – Komuna e Prizrenit nis rregullimin e kanalizimit në rrugën që investoi për dy vite

    Insajderi
    16 February 2024 - 16:27
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Brenda tre viteve u ndërtua dhe pastaj u shkatërrua. Rruga “De Rada” në qytetin e Prizrenit u asfaltua në 2022’ën, iu ndërtua trotuari në 2023’ën. Por, në vitin 2024 investimi shkoi dëm, pasi filloi rregullimi i kanalizimit. Kjo situatë ka krijuar pakënaqësi të mëdha tek pronarët e bizneseve në atë rrugë. Ndërkaq, opozita e ka quajtur zhvatje të parasë së popullit.

    Velard Paqarizi, pronari i një biznesi në rrugën ‘’De Rada’’ në Prizren është shprehur i shqetësuar për punimet që po realizohen në këtë rrugë. Ai tha se kjo ka dëmtuar bizneset dhe ka pasur edhe përplasje verbale mes punëtorëve dhe pronarëve të bizneseve.

    Në këtë rrugë veprojnë afro mbi 50 biznese të ndryshme, ku këto punime na kanë vështirësuar të realizojmë veprimtarinë tonë. Kjo mendësi ku një gjë ndërtohet e pastaj shkatërrohet është duke na futur në një kaos. Gjatë ditëve të fundit pronarët e bizneseve po kanë edhe përplasje verbale me punëtorët ku po e kryejnë punën e tyre.“, tha ai.

    Para një lokali nuk ka shansa të kaloj një qytetar, ku pronarit nuk po i mbet gjë tjetër përveç se ta mbyll atë ditë lokalin. Unë shpresoj që këto punime të kryhen në një periudhë sa më të shkurtër dhe si biznese të vazhdojmë veprimtarinë tonë në kushte normale.”, tha tutje Paqarizi.

    Kritika të shumta për pushtetin e PDK’së kishte edhe nga Lëvizja Vetëvendosje në Prizren. Asamblisti i Kuvendit Komunal të Prizrenit nga radhët e LVV’së, Ilir Gashi tha se tërë investimi i bërë është shkuar dëm.

    Me miliona euro nga paraja e popullit ka harxhuar Shaqir Totaj për shtrimin e asfaltit dhe të trotuarit në rrugën De Rada. Sot, tërë këtë investim, Shaqir Totaj e qoji huq. Shkaku i krejt këtij demi është mos-koordinimi i Shaqes me institucionet e tjera, si Hidroregjioni që tani po kryen punimet në këtë rrugë. Për qeverisjen aktuale të Prizrenit nuk ka rëndësi se ku shkon paraja jonë, por me rëndësi është që me ato para Shaqa &Co. Të paraqiten kinse po punojnë.”, tha Gashi.

    Akuza për abuzim dhe zhvatje të parasë publike pati edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Shefi i grupit parlamentar i LDK’së në Prizren, Haziz Hodaj tha se vendosja e gypave të kanalizimit pasi u asfaltua e u rregulla rruga është keqplanifikim.

    Në vitin 2022, i gjithë rrethi unazor i qytetit që kap gjatësinë rreth 3 kilometra, ku përfshihet edhe kjo pjesë e rrugës, ishte shtruar me asfalt të ri. Shaqir Totaj dhe rrethi i tij, i thurrnin lavde dhe elozhe kësaj pune. Pa kaluar as 2 vite, e njejta rrugë bllokohet për vendosjen e gypave të kanalizimit. Për LDK- në, kjo qasje nuk ka emër tjetër pos keqmenagjim, keqplanifikim, abuzim dhe zhvatje të parasë publike.”, tha Hodaj për Insajderin.

    Tutje, nga LDK kanë shtruar pyetjet se “A nuk e kanë ditur para dy vitesh autoritetet komunale që aty duhet vendosur kanalizim i ri?”.

    A nuk ka komuna e Prizrenit inxhinierë, urbanistë dhe njerëz që marrin vesh në rrjetin infrastrukturor të qytetit? A me kaq improvizime dhe eksperimente bëhen investimet publike, me taksat e qytetarëve të Prizrenit? Pse duhet qytetarët me taksat e tyre ta paguajnë dy herë të njëjtën rrugë brenda dy viteve?. Këtyre pyetjeve i jep përgjigje vetëm logjika e abuzimit dhe e vjedhjes së taksave të qytetarëve.“, deklaroi Hodaj.

    LDK ka kërkuar nga Prokuroria Themelore e Prizrenit që të fillojë hetimet.

    Ndërkaq, nga Drejtoria e Shërbimeve Publike në Komunën e Prizrenit thanë se ky projekt ka filluar pasi shumë anekse të rrjetit të kanalizimit janë të vjetruara dhe një sasi e madhe e ujërave nëntokësore futen në këtë rrjet dhe shkojnë në impiant si ujëra jo të ndotura.

    Projekti në fjalë është projekt i KFW- qeveria Gjermane në bashkëpunim me Hidroregjionin Jugorë e cila bënë investime për rehabilitimin e sistemit të kanalizimit në komunën e Prizrenit në vlerë prej 4.5 milion euro. Projekti i rehabilitimit të rrugës është bërë në vitin 2022, kurse projekti i KFW në vitin 2023 nga i cili projekt rezulton se shumë akse të rrjetit të kanalizimit janë të vjetruara dhe një sasi e madhe e ujërave nëntokësore futen në këtë rrjet dhe shkojnë në impiant si ujëra jo të ndotura.“, tha drejtori Çelë Lamaj.

    Drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Çelë Lamaj tha se mbasi të përfundojnë punimet, asfalti dhe trotuari do të kthehen siç ishin.

    Për këtë arsye ata investimin e kanë bë në impiant për trajtimin e ujërave fekale e jo ujërave atmosferike – pra ata me projektin e vetë rreth këtij rehabilitimi tentojnë që ujërat fekale të shkojnë në impiant si ujëra të ndotura. Në kontratën e tyre mbasi të përfundojnë punimet duhet që ta kthejnë gjendjen e mëparshme të kësaj infrastrukture- asfaltin dhe trotuarin.“, deklaroi Lamaj për Insajderin.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark