Insajderi
Lajme

Prishtina kërkon ndërhyrje urgjente në Kadastër: Vonesat në lëndët pronësore po rëndojnë qytetarët dhe mërgimtarët

Insajderi
10 June 2026 - 16:15
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Prishtina kërkon ndërhyrje urgjente në Kadastër: Vonesat në lëndët pronësore po rëndojnë qytetarët dhe mërgimtarët
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Komuna e Prishtinës i ka bërë thirrje Agjencisë Kadastrale të Kosovës që të ndërmarrë masa urgjente për përshpejtimin e trajtimit të lëndëve pronësore gjatë sezonës verore, me synim zvogëlimin e vonesave dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët.

Sipas njoftimit të Kryeqytetit, aktualisht një numër i madh i lëndëve po përballen me vonesa si pasojë e ngarkesës së sistemit. Një nga problemet kryesore lidhet me lëndët që kthehen për plotësim te noterët. Pas korrigjimeve, këto lëndë rikthehen sërish në radhën e pritjes sipas datës fillestare të aplikimit, duke krijuar bllokime dhe duke ngadalësuar trajtimin e rasteve të tjera.

Për këtë arsye, Drejtoria e Kadastrit, Gjeodezisë dhe Legalizimit në Kryeqytet ka kërkuar që, për periudhën 1 qershor – 1 shtator, të pezullohet përkohësisht radhitja automatike e lëndëve. Sipas Komunës, kjo do të mundësonte përpunimin më të shpejtë të rasteve që janë në procedurë dhe do të ulte afatet e pritjes për qytetarët.

Komuna thekson se kjo çështje është veçanërisht e rëndësishme për bashkatdhetarët, të cilët gjatë muajve të verës qëndrojnë për një periudhë të shkurtër në Kosovë dhe kanë nevojë t’i përfundojnë procedurat pronësore brenda afateve të arsyeshme.

Po ashtu, Kryeqyteti ka kërkuar edhe përmirësime teknike në sistem, në mënyrë që zyrtarët të njoftohen menjëherë kur noterët plotësojnë komentet e kërkuara. Një tjetër kërkesë është edhe shmangia e situatave kur e njëjta lëndë trajtohet nga më shumë se një zyrtar në të njëjtën kohë.

“Kryeqyteti mbetet i përkushtuar që qytetarët të marrin shërbime sa më efikase dhe pa vonesa të panevojshme”, thuhet në njoftimin e Komunës së Prishtinës.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark