Sigurisht që keni klikuar me më shumë interes, për këtë titull. Arsyet pse keni klikuar në këtë link, mund të jenë të ndryshme por po i jap disa aludime:
Asnjëherë në këto 10 vitet si gazetar nuk jam ndjerë më i turpëruar sesa të dielën. Të gjithë kolëget e mi, pa dallim, kanë qenë të fokusuar në një ngjarje aspak të rëndësishëme për publikun: zgjedhja e një kryetari të ri në një parti politike që si mori as 15% për qind të votave. Pas dy ditëve të diskutimit kinse tejet pasionant për të drejtat e grave që përkoi me 8 marsin si festën më shtypëse ndaj grave në këto kohë moderne, duke ua siguruar atyre vetëm 1 ditë në nderim si figura të kësaj shoqërie, dhe lavdatat që disa ia atribuan vetës, kinse për përparim të shoqërisë, duke pasur edhe dy politikanët më të votuar në një marsh që kërkon më shumë të drejta për gratë, ndodhi si me porosi: dushi i ftohtë.
Bash në kohën kur nga një sallë dasmash në një hotel luksoz, delegatë të një partie po hynin e dilnin nga salla pasi kishin votuar për kryetarin e partisë së tyre, dhe bash në kohën kur të gjithë mediat ishin të fokusuar aty, një burrë 44 vjeçar L.S e “shfrytëzoi” këtë gap, këtë hapësirë kohore kur të gjithë ishim të zënë me LDK-në, që të vrasë një grua.
Ajo ishte 44 vjeçare me inicialet S.S. Burri vrau fillimisht gruan, dhe më pas vetën. Thua se vetvrasja qenka një akt që mbulon vrasjen. Me demek, nëse burri e vret vetën, pasi ka vrarë gruan, krejt kjo duhet të kalojë si pa asgjë. Sepse burri na e paska kuptuar se çfarë gabimi ka bërë, dhe ka vendosur që krahas vendimit për t’ia dhënë vetës të drejtën të vrasë dikë tjetër, t’ia marrë edhe vetës jetën. Kaq.
Prandaj nuk ka profil për gruan që u vra në Prishtinë, bash në kohën kur po zgjidhej kryetari i ri i LDK-së. Sikurse nuk ka profile për dhjetra-qindra gratë që janë vrarë në vitet e fundit. Krejt çka dihet është se ajo u privua nga jeta. Nga një burrë. Një standart i zakonshëm për shoqërinë tonë. Për mjerimin tonë.