Nga një biznesmen me interesa të shtrira në çdo cep të sektorit të energjisë private, në timonin e institucionit që rregullon këtë treg. Trim Tërnava, nipi i Ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, është emëruar Kryeshef i KOSTT-it. Por, pas tij qëndron një rrjet kompanish dhe një rekord prej 55 pagash brenda një viti, që ngrenë pikëpyetje të forta: A po dorëzohet aseti strategjik i shtetit në duart e interesave private?
Më 20 janar, Bordi i KOSTT-it vendosi që menaxhimin e Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut t’ia besojë Trim Tërnavës. Ndonëse detyrën pritet ta nisë zyrtarisht më 16 shkurti, emërimi i tij ka ngritur dyshimet për konflikt të interesit.
Tërnava nuk është një emër i panjohur në zyrat e shtetit, e aq më pak në tregun e energjisë. Megjithatë, lidhja e tij familjare me Ministrin në detyrë të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, dhe e kaluara (e tashmja) e tij si pronar i shumëfishtë biznesesh, e vendosin atë në një pozicion të rrezikshëm mes interesit publik dhe përfitimit privat.
Sipas të dhënave që ka siguruar Insajderi, viti 2025 rezulton të ketë qenë jashtëzakonisht “pjellor” për Tërnavën. Derisa shumica e qytetarëve luftojnë për një pagë modeste, Kryeshefi i ri i KOSTT-it ka realizuar të ardhura nga gjithsej 55 paga brenda një viti kalendarik (mesatarisht 4 deri në 5 paga në muaj).
Mesatarisht, Tërnava ka marrë 4 deri në 5 paga në muaj nga subjekte të ndryshme, kryesisht në sektorin ku ai tani do të ushtrojë autoritet shtetëror.
Sipas regjistrave, ai ka figuruar në listë-pagesat e disa subjekteve paralelisht.
Punëdhënësi Primar: SunVolta Energy.
Punëdhënësit Sekondarë: Energy Service, Solarko, dhe Treasa.
Angazhime të tjera: Solar G (Solar Gate), Friedrich-Ebert-Stiftung, dhe Asociacioni i Komunave të Kosovës.
Lidhjet e Tërnavës me gjashtë biznese të fuqishme të energjisë
Rrjeti i bizneseve ku Trim Tërnava figuron si pronar, aksionar apo drejtues, është i gjatë dhe i ndërlidhur drejtpërdrejt me fushëveprimtarinë e KOSTT-it.
Ai mban pozita kyçe në:
SunPower Energy SH.P.K – Drejtor menaxhues
Energy Service L.L.C – Drejtor menaxhues
ECOplus L.L.C – Drejtor menaxhues
SunPower Kosova Sh.P.K – Drejtor menaxhues
Dukagjin Solar Sh.P.K – Bashkëpronar
Ramjan Solar Sh.P.K – Bashkëpronar
APK në heshtje, Tërnava pa përgjigje
Insajderi ka dërguar pyetje zyrtare në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit (APK) për të kërkuar një hetim mbi përputhshmërinë e ushtrimit të detyrës së z.Tërnava me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit.
Gazeta ka kërkuar të dijë nga Agjencia nëse Tërnava ka bërë deklarimin e duhur të këtyre 55 pagave, a përbën shkelje fakti që ai mbetet në listën e pagave të bizneseve që mbikëqyren nga KOSTT, si dhe a ka kërkuar ai opinion nga APK para se të ulej në karrigen e Kryeshefit.
Deri tani nuk kemi pranuar ndonjë përgjigje.
Përveç anës financiare, hije dyshimi hedh edhe lidhja familjare. Trim Tërnava është nipi i Ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci. Insajderi ka pyetur Tërnavën nëse kjo lidhje ka shërbyer si “urë” për të siguruar njërën nga pozitat më të rëndësishme në sektorin publik, por deri në publikimin e këtij artikulli, nuk ka pasur asnjë reagim.
Gjithashtu, Tërnava nuk është përgjigjur nëse planifikon të tërhiqet plotësisht nga pronësia e kompanive të tij private, apo nëse do të vazhdojë të jetë “pronar natën e kryeshef ditën”.
KOSTT është një aset strategjik që merret me transmisionin e energjisë në tërë territorin e Kosovës. Kur ky institucion drejtohet nga një person me lidhje kaq të ngushta me biznesin privat, rreziku që vendimet shtetërore të favorizojnë “miqtë e vjetër” të biznesit mbetet një alarm që institucionet e drejtësisë nuk duhet ta injorojnë./Insajderi