Insajderi
Hulumtime/Analiza

Prokuroria e Pejës nis hetimet për shkelje dhe korrupsion lidhur me ndërtimin shumëkatësh të biznesmenit Rahmon Shala pranë kishës në Pejë

Insajderi
22 April 2026 - 12:49
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Prokuroria e Pejës nis hetimet për shkelje dhe korrupsion lidhur me ndërtimin shumëkatësh të biznesmenit Rahmon Shala pranë kishës në Pejë
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Pranë kishës katolike Kisha e Shën Katerinës në Pejë, është ndërtuar një objekt  shumëkatësh. Ky ndërtimi është bërë cak i hetimeve për dyshime për shkelje ligjore dhe korrupsion.

Objekti është ndërtuar nga kompania Intern Investment Group SH.P.K.

Ky objekt me përmasa të mëdha, i ndërtuar me disa kate, ia ka zënë pothuajse tërësisht pamjen nga ana perëndimore kishes.

Sipas projektit, objekti përbëhet nga dy blloqe me gjatësi mbi 70 metra, ndërsa distanca mes tij dhe kishes është rreth 10 metra. Në pamje paralele, edhe kambanorja e kishës, rreth 27 metra e lartë, mezi tejkalon lartësinë e ndërtesës.

Kompania ishte pajisur me leje ndërtimi nga Drejtoria e Urbanizmit në Pejë, e udhëhequr nga Arta Nallbani.

Sipas raportimeve kjo leje ishte lëshuar pa pëlqim nga institucionet e trashëgimisë kulturore, edhe pse parcela ndodhet në zonë të mbrojtur. Edhe rrënimi i objekteve paraprake ishte bërë pa këtë pëlqim.

Pas evidentimit të rastit, institucionet e trashëgimisë kulturore kishin kërkuar pezullimin e lejes duke dhe udhëzuar investitorin që të pajisej me leje nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, përmes procedurave përkatëse.

Sipas ligjit për trashëgimi kulturore, çdo ndërhyrje që ndikon në vlerat e një monumenti kërkon leje të shkruar nga institucioni kompetent, ndërsa zona e mbrojtur përfshin zakonisht një perimetër prej rreth 50 metrash nga monumenti. Po ashtu, ndalohen ndërtime që cenojnë pamjen dhe integritetin historik të tij.

Për këto arsye, rasti është duke u hetuar nga Prokuroria Themelore në Pejë në koordinim me Policia e Kosovës. Lidhur me këtë, zëdhënësi i Prokurorisë, Shkodran Nikçi, ka deklaruar:

“Ky rast po trajtohet në mënyrë intensive nga Prokurori i Shtetit në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës, përkatësisht Njësitin për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Korrupsion në Pejë. Në këtë fazë nuk mund të ndajmë më shumë informata”, ka deklaruar Nikçi për Insajderin.

Ministria e Kulturës përmes Qendres Rajonale për Trashëgimi Kulturire në Pejë ka deklaruar për Insajderin se me përgjegjësi të plotë si instuticion kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme konform detyrimeve ligjore instuticionale.

“Duke pasur parasysh se rasti tashmë është duke u trajtuar nga Prokuroria themelore në Pejë (e theksuar edhe ne emailin tuaj), ju informojmë se Institucioni ynë, që nga momenti i parë, ka qenë dhe mbetet plotësisht i hapur dhe i gatshëm për bashkëpunim me Prokurorinë, duke respektuar në tërësi parimet e ligjshmërisë dhe transparencës institucionale. Megjithatë referuar gjendjes faktike, konsiderojmë se ne si institucion duhet të rezervohemi në dhënien e informatave, për shkak të mos lëndimit të procesit të hetimeve nga Prokuroria në fjalë”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Gazeta Insajderi ka kërkuar sqarime edhe nga drejtoresha e urbanizmit dhe mbrojtjes së mjedisit, Arta Nallbani në komunën e Pejës, mirëpo deri në publikimin e këtij materiali nuk ka marrë ndonjë përgjigje.

Ndërsa, pronari i këtij kompleksi, Rahmon Shala, ka deklaruar për Insajderin, se ndërtimi tij është brenda standarteve ligjore.

Për më shumë detaje ndiqni videon në vazhdim:


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark