Prokuroria e ka konfirmuar për Gazetën Insajderi se do të marr masa konform dispozitave ligjore, nëse konfirmohen deklaratat e ish-drejtorit të Inspeksionit, Besnik Mulliqi se kryetari Shpejtim Bulliqi ka ndërhyrë në vendimet për ndërtime e rrënimet në Komunën e Podujevës.
Prokuroria Themelore e Prishtinës, është duke shqyrtuar deklaratat e ish-drejtorit të Inspeksionit në Komunën e Podujevës, Besnik Mulliqi, tashmë i shkarkuar nga kryetari Shpejtim Bulliqi, se është penguar nga ky i fundit në kryerjen e detyrave zyrtare.
Mulliqi e ka akuzuar të parin e komunës për ndërhyrje në vendimet për ndërtimet në zonën e Orllanit, në reagimin e tij pasi Bulliqi e shkarkoi nga detyra të marten .
Lajmin për nisjen e hetimeve për Gazetën Insajderi e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Laureta Ulaj.
“Referuar pyetjeve të parashtruara nga ana juaj, ju njoftojmë se Prokuroria është duke i shqyrtuar të gjitha pretendimet e dhëna në opinionin publik nga z. Mulliqi, si dhe do të veprojë konform dispozitave ligjore në fuqi”, thuhet në përgjigjen e Ulajt për Gazetën Insajderi.
Gazeta Insajderi, kishte raportuar ekskluzivisht për shkarkimin e Mulliqi, shkak i të cilit u bë rrënimi i objekteve pa leje, në fshatin Orllan.
Përmes një postimi në Facebook, Mulliqi konfirmoi shkarkimin e tij, duke thënë se kjo erdhi si pasojë e përpjekjeve të vazhdueshme për t’a mbrojtur zonën e fshatit Orllan dhe jo vetëm.
“Të nderuar qytetarë të Podujevës, të dashur aktivistë të lëvizjes Vetëvendosje! Ju njoftoj që sot pas një aksioni të rrënimeve në fshatin Orllan më saktësisht në zonën e liqenit të Batllavës, kam pranuar në emailin zyrtar vendimin për shkarkim nga ZKA”.
“Pra, shkarkimi ka ndodhur si pasojë e përpjekve të mia të vazhdushme për t’a mbrojtur atë zonë dhe jo vetëm!Po, është e vërtetë që kemi pasur mospajtime të thella me Kryetarin e komunës së Podujevës, në njërën anë une në mbrojtje të ligjit dhe anën tjetër “Ai” në tentim për të më penguar!Prandaj, me vendim të kryetarit nuk do të vazhdoj të jem Drejtor i Drejtorisë së Inspeksionit, ani pse vendimi për shkarkim është skandaloz.Të gjithë juve qytetarë të Podujeves dhe aktivistë të Lëvizjes, ju falënderoj nga zemra për përkrahjen e vazhdueshme!”, shkroi ai.
Në anën tjetër, nga Komuna e Podujevës thonë se njëra nga arsyet kryesore për lirimin nga detyra të Mulliqit është mosefikasiteti i punës së drejtorisë dhe se shkarkimi i tij nuk ka të bëjë me rrënimet që kanë ndodhur sot në fshatin Orllan.
“Njoftimi për lirimin nga detyra të drejtorit Mulliqi është bërë që nga data 20 e muajit të kaluar ndërsa lirimi i tij zyrtar nga detyra është bërë me datën 29.07.2022, dhe nuk ka të bëjë me rrënimet që kanë ndodhur sot në fshatin Orllan, siç po deklarohet para opinionit dhe mediave”, thuhet në reagimin e komunës.