Insajderi
Lajme

“Më kanë marrë gjysmën e pasurisë” – Faruk Mazreku mohon akuzat për kontrabandë me naftë dhe shmangie tatimi

Insajderi
07 July 2026 - 11:49
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
“Më kanë marrë gjysmën e pasurisë” – Faruk Mazreku mohon akuzat për kontrabandë me naftë dhe shmangie tatimi
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

I pandehuri Faruk Mazreku, i cili sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale akuzohet për shpëlarje parash, kontrabandë me naftë, shmangie nga tatimi, pjesëmarrje në grup kriminal, falsifikim dokumentesh dhe vepra të tjera penale, është paraqitur para Gjykatës Themelore në Prishtinë, ku është shqyrtuar kërkesa për caktimin e paraburgimit. Sipas procesverbalit gjyqësor që ka siguruar Gazeta Insjaderi, Mazreku ka mohuar në tërësi akuzat e ngritura ndaj tij.

Mazrek, së bashku me djalin e tij, Fariz Mazrek, dyshohet se kanë përdorur biznesin e tyre të naftës “Po Petrol Fariz”, me seli në Mamushë, si mbulesë dhe pikë fundore për të futur në sistemin legal paratë e pista të fituara nga aktivitetet kriminale.

Para gjykatës, Faruk Mazreku deklaroi se pajtohet plotësisht me argumentet e paraqitura nga mbrojtësi i tij dhe mohoi çdo përfshirje në veprat penale që dyshohet.

Ai tha se pretendimet e Prokurorisë Speciale nuk mbështeten në prova konkrete, duke shtuar se autoritetet i kanë sekuestruar një pjesë të konsiderueshme të pasurisë, përfshirë kamionë, cisterna dhe automjete të tjera.

Mazreku deklaroi se ndaj tij nuk është paraqitur asnjë provë që dëshmon se ka lëshuar fatura të rreme, ka mbuluar apo ka shitur naftë në mënyrë të kundërligjshme. Sipas tij, akuzat janë ngritur vetëm mbi dyshime dhe jo mbi fakte.

“Prokuroria nuk ka asnjë provë për mua se jam i përfshirë në këto vepra penale. Nuk kam lëshuar asnjë faturë nga ato që pretendohet dhe nuk kam shitur naftë në mënyrë të kundërligjshme. Prokuroria po bën zhurmë pa pasur asgjë konkrete”, deklaroi ai para gjykatës.

I pandehuri shtoi se është pronar i një firme të rregullt, e cila punëson rreth 55 punëtorë, dhe se çdo muaj kryen pagesat e pagave dhe detyrimeve bankare. Ai argumentoi se nuk ka asnjë interes që me veprimet e pretenduara të dëmtojë biznesin e tij.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark