×
  • Hulumtime/Analiza
  • Analiza

    Prokurorja që i futi në burg dhe tani po i nxjerr pjesëtarët e grupit famëkeq “Albkings”

    Insajderi
    23 October 2024 - 16:45
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Njëherë e vlerësuar si prokurorja që doli në mbrojtje të grave të abuzuara nga grupi famëkeq “Albkings”, Elza Bajrami-Kastrati po kthehet në qendër të vëmendjes, por për një arsye të ndryshme. Pas futjes së disa prej anëtarëve të grupit prapa grilave, zëvendëskryeprokurorja Bajrami tani po i nxjerrë ata nga burgu. Së fundmi, me urdhër të saj, gjykata vendosi të lirojë administratorin e grupit, Edin Nevzadi, pas shtatë muajsh prapa hekurave. Arsyeja e lirimit? Nevzadi ka pranuar fajësinë dhe ka shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar me prokurorinë.

    Por si ndodhi që dikush i konsideruar si një nga të dyshuarit kryesorë të shpëtojë kaq lehtë? Insajderi ju sjell detajet e plota të këtij zhvillimi.

    Me 17 prill, Prokuroria njoftonte se si i kishte rënë në tragë Nevzadit që po shantazhonte gra e vajza.

    Dyshohej veprën penale; Vjedhja e identitetit dhe kredencialeve”.

    “Pas zbatimit të masave të fshehta teknike të hetimit dhe vëzhgimit, në orët e vona të dt.16.04.2024, është arrestuar fillimisht i dyshuari dhe me vendim të Prokurorit të Shtetit është ndaluar për 48 orë njëri nga administratorët e grupit në fjalë, për shkak të veprës penale “Vjedhja e identitetit dhe kredencialeve”, sipas KPRK-së, derisa  në koordinim me policinë do të vazhdojnë të ndërmerren veprimet tjera shtesë hetimore në identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë rast”, thuhej në njoftimin e prokurorisë në muajin prill.

    Ndërkohë, me 17 tetor, Prokuroria Themelore në Prishtinë nën arsyetimin se “është arritur marrëveshja për pranimin e fajësisë me Prokurorinë për veprën penale”,  Edin Nevzadi është liruar, nuk i është zëvendësuar me ndonjë masë tjetër.

    “Për njoftimin tuaj me datë 17.10.2024 gjykata ka pranuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë kërkesën për ndërprerjen e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurit E.N. Prokuroria e ka njoftuar gjykatën se ka ardhur në përfundim, që ndaj të pandehurit E.N kanë pushuar shkaqet për të cilat është caktuar masa e paraburgimit, pasi që i njëjti në prezencën e mbrojtësit të tij sipas autorizimit, ka arritur marrëveshjen për pranimin e fajësisë me Prokurorinë, po ashtu i pandehuri ka dhënë adresë të saktë të vendqëndrimit në Republikën e Kosovës, ku janë edhe familjarët e tij dhe ka premtuar se deri në përfundim të procedurës penale do të paraqitet çdo herë, kurdo që ti kërkohet nga ana e Prokurorisë dhe Gjykatës”, thuhet në përgjigjen e Themelores për Gazetën Insajderi.

    Përveç administratorit të grupit famëkeq “Albkings”, Prokuroria, në muaj maj të këtij viti njoftoi për arrestimin edhe të 7 personave, në mesin e tyre një grua.

    Që nga ajo kohë, ata ndodhën në paraburgim, identiteti i tyre nuk dihet për këtë është përkujdesur Prokuroria.

    Në konferencën për media, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë përkrahë zëvendëskryeprokurores Elza Bajrami-Kastrati, bënin me dije se grupi me afro 100 mijë anëtarë, ishte mbyllur përfundimisht e që ishin arrestuar dhe 7 persona.

    Atë ditë, zëvendëskryeprokurorja Elza Bajrami- Kastrati, përkatësisht prokurorja në rastin “Albkings” u shpreh se pas publikimit të të dhënave në fillim të këtij viti lidhur me këtë rast, Prokuroria autorizoi Policinë për ndërmarrjen e veprimeve hetimore.

    “Në kuadër të hetimeve, kemi lëshuar masat e fshehta teknike të vëzhgimit dhe hetimit si dhe kemi ndërmarrë disa veprime tjera hetimore, meqë rast këto kanë rezultuar me identifikimin e personit të parë të dyshuar dhe arrestimin e tij. Më datë 16 prill është lëshuar aktvendim për ndalimin e të pandehurit E.N., njëri prej administratorëve të këtij grupi”, tha ajo para gazetarëve.

    Ajo tha se më 23 prill është ndaluar e dyshuara e dytë, E.S., e cila si administratore e këtij grupi, dyshohet për veprën e njëjtë sikurse i dyshuari i pare, për vjedhje të identitetit dhe kredencialeve në bashkëkryerje.

    “Më 23 maj 2024, pas veprimeve të vazhdueshme intensive drejt identifikimit të personave që kanë kryer këtë vepër penale, Prokuroria ka arritur të lëshojë aktvendim për ndalimin e personit të tretë të dyshuar në këtë rast F.P., gjegjësisht administrator kryesor i grupit “Albkings”, i cili me dy të pandehurit e lartcekur dyshohet se ka kryer veprën penale të lartcekur”, tha Bajrami-Kastrati.

    E njëjta shtoi se edhe F.P., gjendet nën masën e paraburgimit, ndërsa theksoi se grupi është mbyllur, por që nga mbyllja e parë ai grup ishte rihapur edhe dy herë.

    “Kemi arritur t’i identifikojmë dhe arrestojmë 7 persona të dyshuar që janë të përfshirë në këtë rast penal. Por, gjithashtu ju sigurojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë është duke vazhduar ta hetojë këtë rast edhe në disa pista të tjera të hetimit”, deklaronte ajo.

    Prokuroria Themelore në Prishtinë iu bënte apel të gjitha të dëmtuarave në rastin e ‘Albkings’ të paraqiten në stacionet policore.

    Që nga arrestimi i këtyre 7 personave, Gazeta Insajderi ka kërkuar nga prokurorja të di se deri ku kanë shkuar hetimet, se si do të veprohet tutje – por, e njëjta nuk është përgjigjur.

    Bajrami-Kastrati nuk është përgjigjur as në pyetjet për lirimin e administratorit, Edin Nevdazi.

    Si rrjedhojë, nga prokurore që i futi në burg, ajo po shndërrohet në prokuroren që po i liron. Mbetet për t’u parë nëse edhe 7 të arrestuarit e tjerë do të kenë “fatin” e Edin Nevzadit, pasi që nuk ka njoftim publik se cila është aktualisht masa kundër tyre.

    Si funksionte grupi i tmerrshëm për të cilin Insajderi raportoi ekskluzivisht?

    “Albkings”, ishte aktiv që nga viti i kaluar. Numëronte afro 100 mijë anëtarë. Mesazhet brenda një 24 orësh ishin të shumta, qindra-mijëra.

    Pjesëmarrësit e këtij grupi shtantazhonin, shpërndanin video dhe fotografi intime të viktimave, si dhe të dhëna të tjera personale.

    Mënyra se si funksiononte grupi ishte tejet e ulët.

    Fillimisht publikohej një fotografi e një gruaje apo vajze, të tjerët me radhe pastaj shkruanin komente prej më të ndryshmeve. Pas fotos, iu publikoheshin të dhënat si emri e mbiemri, numri kontaktues, llogaria në Facebook apo Instagram, tutje edhe i vendosin çmimin “200-500 euro për një natë”, ndërkohë një tjetër shkruante “kjo është kurv* ta jep pa pare”, “m’doket so e Kosovës hiç” – e të tilla komente, me qëllimin e vetëm denigrimin/prishjen e reputacionit të këtyre grave/vajzave.

    Përveç fotografive, publikoheshin edhe video, ku shiheshin duke kryer akte seksuale, teksa tutje vazhdonin komentet linçuese, bullizuese e degraduese.

    Në një rast është parë një video tejet e rëndë, një grua më në moshë teksa shihet duke kryer akte seksuale me një fëmijë.

    Rastet e tilla, të shantazhit, të kërcënimit me publikim të fotografive intime shpesh kanë ditur të përfundojnë me fatalitet.

    Lexo edhe:

    /GazetaInsajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark