×
  • Lajme
  • Lajme

    Njëri nga adminët në burg, rihapet sërish grupi që terrorizon vajzat “Albkings” – Anëtarësohen mbi 30 mijë persona

    Insajderi
    19 April 2024 - 17:00
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Para pak ditësh u arrestua njëri nga adminët e grupit “Albkings” – grup në rrjetin social “Telegram” i cili numëronte rreth 100 mijë anëtarë.

    Para gjykatës dje doli njëri nga adminët e këtij grupi Edin Nevzati – i cili dyshohet ka postuar rreth 400 foto dhe video në grupin që është administruar nga ai. Edin Nevzati është njohur me nofkën “Freekiller”.

    Arrestimi i tij ka ardhur pas raportimeve të vazhdueshme të Gazetës Insajderi lidhur me funksionimin e grupit.

    Por, sërish është hapur një grup me të njëjtin emër në rrjetin social “Telegram”.

    Aktualisht ai përmban mbi 33 mijë anëtarë në grupin e ri.

    “Shpërndane lajmin te krejt shoqnia se Albkings u kthy në Telegram”. Ky është informacioni që jepet për rikthimin e grupit ku shpërndahen fotografi dhe video intime të vajzave.

    Në këto grupe dërgohen imazhe denigruese, intime të vajzave e grave, si dhe të dhënat personale të tyre, numrat, vendbanimi, llogaritë e tyre nëpër rrjetet sociale. Madje, atyre u vendoset edhe çmimi për shërbime seksuale.

    Të mërkurën, Gjykata e Prishtinës ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji kundër Nevzatit.

    Gazeta Insajderi raportoi ekskluzivisht për ekzistencën e këtij grupi, në të cilin pa Fotografi eksplicite, të dhënat personale të grave, si numrat, vendbanimi, llogaritë e tyre nëpër rrjetet sociale. Madje, iu vendosej edhe çmimi për shërbime seksuale.

    Ai dyshohet për veprën penale “Vjedhja e identitetit dhe kredencialeve”.

    “I pandehuri E.N dyshohet se në vazhdimësi nga muaji nëntor i vitit 2023 e deri më datë 12.02.2024 në Obiliq dhe qytete të tjera të ndryshme të Kosovës, në cilësi të njërit nga administratorët e grupit ‘Albkings’ në aplikacionin Telegram e duke vepruar në bashkëkryerje me personat NN ende të paidentifikuar, ka ofruar dhe shpërndarë tek personat e tretë pa autorizim fotografi, video intime dhe numër të telefonit të dy të dëmtuarave, si dhe të dhënat e identifikimit edhe të personave të tjerë-kryesisht të gjinisë femërore në grupin ‘Albkings’ në rrjetin social Telegram, por edhe në rrjete të tjera siç është aplikacioni TikTok, për qëllime të prostitucionit siç janë emrat, mbiemrat, adresat dhe numrat e telefonave të tyre”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

    Ndërkaq, Prokuroria Themelore u ka bërë thirrje viktimave të këtij grupi që me qëllim të bashkëpunimit të paraqiten në Polici.

    Gazetaret e Gazetës Insajderi, Valmira Vranovci dhe Donjeta Islami, kanë treguar se si kanë rënë në gjurmë të këtij grupi famëkeq, që merrej me denigrimin e vajzave kosovare.

    Aty janë dhënë detaje të tmerrshme për disa nga anëtarët e këtij grupi, në të cilin është promovuar edhe pedofili.

    /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark