Këshilltari komunal i PDK-së në Komunën e Drenasit, Xhavit Drenori ka vendosur që të organizojë një protestë që për qëllim ka ndaljen e mbajtjes së Mbrëmjes së Maturës në një restorant, objekti i të cilit është ndërtuar pa leje.
Me moton “Stop degradimit të pronës publike”, nesër në Drenas, saktësisht në fshatin Korroticë të Epërme (rreth një kilometër nga “Kroi i Mbretit” në drejtim të Komoranit / rruga magjistrale, saktësisht tek objektet afariste Restaurant & Motel ANA dhe FABEND), do të mbahet një protestë paqësore 20 minutëshe.
Protesta mbahet nga ora 11:30 deri 12:00 e shoqëruar me afishe të mëdha.
Për organizimin e mbrëmjes së maturës për maturantët e shkollës së mesme teknike në Drenas është lidhur marrëveshje ndërmjet Këshillit të shkollës dhe objektit afarist Restaurant & Motel ANA . Ky objekt afarist është i ndërtuar pa leje dhe si i tillë nuk është i licencuar për të ushtruar asnjë lloj veprimtarie.
Drejtoria Komunale e Inspektoratit në Drenas deri më tani plot 5 herë gjatë ndërtimit i ka ndaluar punimet duke e rrethuar me shirit, mirëpo pronaret e këtij lokali duke sfiduar institucionet komunale (ligjin) nuk janë ndalur së ndërtuari dhe aq më e keqja ky lokal ende pa përfunduar ndërtimin ka lidhur marrëveshje me shkollën në fjalë për të organizuar mbrëmjen e maturës.
Protesta do të mbahet para këtij objekti me sloganin “Mos hipni mbi shtetin të cilin me gjak dhe sakrificë e ndërtuam”./Insajderi.com