×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    “Protestë me leje të pushtetit”- Ish-kryerebeli Kurti që dridhte sheshet pa leje, nis shtypjen e protestuesve

    Insajderi
    20 September 2022 - 13:02
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Mënyra e organizimeve e tubimeve publike në Kosovë, nuk po u bie taman pushtetarëve të rinj. Pavarësisht se vet e morën pushtetin përmes organizimeve publike me leje e pa leje të organeve të rendit, tash nga karrikja e qeveritarëve kanë vendosur që t`i ndryshojnë rregullat e “lojës”. Hapin e parë e bënë javën e kaluar duke votuar projekligjin që rregullon kohën dhe mënyrën e organizimeve publike. Gazeta Insajderi sjell detaje të projektligjit të ri

    Me 28 nëntor të vitit 2015, po mbahej protesta e madhe e opozitës në kundërshtim të dy marrëveshjeve të arritura me palën serbe për Asociacionin dhe Demarkacionin.

    Në tribunën kryesore të kësaj proteste, ishte shfaqur Albin Kurti, ani pse ishte në kërkim të policisë për prishje të rendit. Ai mbajti një fjalim të gjatë para protestuesve, ku akuzoi rëndë pushtetin e atëhershëm të Kosovës në krye me Isa Mustafën si kryeministër, për tradhti, pasi sipas tij kishte pranuar dy marrëveshjet kontestuese, shkruan Gazeta Insajderi.  

    Pasi përfundoi fjalimin Kurti ishte drejtuar për në zyret e partisë, me mijëra protestues pas, për të vazhduar shfaqjen që pritej të zhvillohej me ndërhyrjen e policisë për arrstimin e tij. Ai e dinte këtë prandaj shkoi drejt e në zyret e partisë. Kurti nuk pyeste për leje për protestë, e as dorëzim në polici si i kërkuar për prishje të rendit.

    Por policia që e kishte nën përcjellje Kurtin, pas përfundimit të protestës me forca të shtuara hyrë në selinë e VV-së dhe e arrestuan atëherë deputetin Kurtin. Thyerja e xhamave të selisë, arrestimi i Kurtit e shfaqjet tjera të protestuesve – sikur ishin të parashikuar me skenar filmi. Gjithçka ishte në transmetim live.

    Shtatë vite pas kësaj, gjërat kanë ndryshuar. Kurti tash është në pushtet. Nuk i duhet të vazhdoj me organizme publike, e protesta sikur atëherë.  

    Tash Qeveria e Republikës, që drejtohet nga ai, ka vendosur që të ndryshoj mënyrën e organizimit të tubimeve e ngjarjeve publike në Kosovë. Një hap drejt kësaj e bënë të premten kur edhe miratuan Projektligjin për Rregullimin e Tubimeve dhe Ngjarjeve Publike, shkruan Gazeta Insajderi.

    Vet Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, deklaroi para shefit të tij Albin Kurti dhe kolegëve ministra se projektligj i ri ka për qëllim të sigurojë ushtrimin e së drejtës kushtetuese për tubime publike si dhe të drejtës për të organizuar dhe marrë pjesë në ngjarje publike.

    Sveçla theksoi se ky projektligj do të përcaktojë çështjet kryesore si koha dhe mënyra e lajmërimit të tubimeve dhe ngjarjeve publike.

    “Me këtë projektligj rregullohet edhe koha dhe mënyra e lajmërimit të tubimeve dhe ngjarjeve publike si dhe detyrat dhe përgjegjësitë e organizatorëve dhe të Policisë së Kosovës për zbatim të tij”, tha Sveçla, shkruan Gazeta Insajderi.

    Në projektligjin e ri që ka siguruar Gazeta Insajderi, thuhet se qëllimi i këtij ligji është të sigurojë ushtrimin e së drejtës kushtetuese për tubime publike, si dhe të drejtës për të organizuar dhe marrë pjesë në ngjarje publike.

    Sipas ndryshimeve që janë bërë në projektligjin e ri, del se është rritur koha se kur oragnizatorët duhet ta lajmërojnë në Policinë e Kosovës, mbajtjen e tubimit publik, qoftë ato që janë të organizuara më herët qoftë tubimet urgjante.

    Koha nga 72 orë siç ka qenë me herët për të lajmëruar tubimin, me projektligjin e ri duhet të jetë lajmërimi i organeve të rendit 96 orë më herët, shkruan Gazeta Insajderi.

    “Formulari për lajmërimin e tubimit publik dorzohet nga organizatori ose përfaqësuesi i tij, në formë fizike në stacionin më të afërt policor nga vendi ku do të mbahet tubimi publik ose në formë elektronike më së voni nëntëdhjetë e gjashtë (96) orë para se të mbahet tubimi publik”, thuhet në projektligjin e ri.

    Tubimet urgjante për të cilat organizatorët kanë qenë të detyruar të lajmërojnë policinë të paktë 3 orë më herët, tash janë të obliguar që këtë ta bëjnë 6 orë më herët, sipas projektligjit të ri.

    “Në rast të tubimeve publike urgjente, duhet të bëhet njoftimi me shkrim i cili përmban elementet e përcaktuara në paragrafin 4 të nenit 6 të këtij ligji, si dhe arsyen e urgjencës. Njoftimi duhet të bëhet jo më vonë se gjashtë (6) orë përpara kohës së mbajtjes së tubimit publik”, thuhet në projektligjin e ri.

    Në rastet kur organizatorët kanë bërë kërkesat për mbajtjen e tubimeve publike, Polica e Kosovës ka qenë e detyruar që brenda 48 orëve të kthej përgjigjen zyrtare tek ta, për lejimin apo moslejimin e organizimeve.

    Në rastet kur është tejkaluar 48 orëshi, heshtjen e policisë organizatorët kanë mund ta llogarisin si përgjigje pozitive, shkruan Gazeta Insajderi.

    Por me projektligjin e ri që kaloi në qeveri, policia në koordinim me organizatorët mund të vendosë kufizimin e kohës dhe detajet tjera të tubimit publik.

    “Më së voni dyzet e tetë (48) orë para kohës së mbajtjes së tubimi publik, policia në koordinim me organizatorin, mund të vendosë kufizime rreth kohës, vendit dhe formës së tubimit publik”, thuhet në projektligjin e ri pa u saktësuar se nëse nuk kthehet përgjigje brenda kësaj kohe a mund të mbahet tubimi apo jo.

    Në projektligjin e ri që ka siguruar Gazeta Insajderi, manifestimet publike janë zëvendësuar me termin ngjarjet publike.

    Sa i përket lajmërimit të organizimit të ngjarjes publike, është e përcaktuar se kjo nuk mund të bëhet me vonë se shtatë ditë para mbajtjes së saj.

    Përmes formularit për lajmërimin, organizatori ose përfaqësuesi i tij, në formë fizike në stacionin më të afërt policor ose në formë elektronike, duhet të njoftoj me të dhënat kryesore të organizatorit, masat për mbrojtjen e rendit dhe numrin e kujdestarëve, kontratën me kompaninë private të sigurisë.

    Përveç këtyre, organizatorët duhet ta njoftojnë policinë edhe për lejën e shfrytëzimit të hapësirës nga komuna apo insituitucioni përkatës ku planifikohet të mbahet ngjarja publike, si dhe të dhënat për natyrën e ngjarjes publike, datën, kohën dhe vendin e mbajtjes dhe numrin e përafërt të pjesëmarrësve, shkruan Gazeta Insajderi.

    Sipas projektligjit të ri mbajtja e rendit në ngjarje publike, bie në kurriz edhe të policisë edhe organizatorëve.

    “Policia është përgjegjëse për mbajtjen e rendit dhe sigurisë publike në ngjarjen publike”.

    “Organizatori është përgjegjës për organizimin dhe udhëheqjen e ngjarjes publike. Organizatori mund të caktojë një person tjetër që të udhëheqë ngjarjen publike. Organizatori duhet të sigurojë praninë e numrit të mjaftueshëm të kujdestarëve në ngjarjen publike, për të ndihmuar në menaxhimin e ngjarjes publike”, thuhet më tej.

    Sipas projektligjit, ndalimi i një ngjarje publike, bëhet me vendim me shkrim nga policia, jo më vonë sesa 5 ditë para mbajtjes së ngjarjes publike, duke pasur një ose më shumë arsye pse nuk mund të mbahet.

    Por nëse është ndaluar mbajtja ose është kufizuar nga policia atëherë organizatorët brenda dyzet e tetë (48) orëve nga pranimi i vendimit, mund të paraqitet ankesë në Komisionin për ankesa në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

    Ky komision që pritet të krijohet nga MPB, brenda tre muajve pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri, ka obligim që të përgjigjet në ankesë brenda 48.

    Ndërsa kundër vendimit të Komisionit, organizatorët mund të vazhdojnë me  padi në gjykatën kompetente

    Për dallim nga ndryshimet e parapara për ngjarjet publike, manifestimet publike është dashur të lajmërohen vetëm 48 orë më herët, duke përfshirë informatat kryesore për organizatorin, të dhënat mbi udhëheqësin e manifestimit publik, organizimin për mbajtjen e rendit, qetësisë dhe të sigurisë së bashku me numrin e kujdestarëve.

    Gjithashtu edhe të dhënat për natyrën e manifestimit, datën, kohën dhe vendin e mbajtjes dhe  numrin e përafërt të pjesëmarrësve.

    Nëse është vlerësuar nga policia se nuk janë përmbushur të gjitha kërkesat nga oranizatorët e manifestimit dhe se të njëjtit nuk ka arritur që të rris masat shtesë e që parashihej se mund të sjell deri te prishja e rendit dhe sigurisë publike atëherë ka mund ta anuloj atë 24 orë para fillimit.

    Oranizatorët kanë mund pastaj të ankohen në organet më të larta të policisë, pasi nuk ka ekzituar komision në MPB siç po parashihet të krijohet në periudhën brenda tre muajve pas hyrjes në fuqi. Më tej organizatorët kanë mund të vazhdojnë me ankesë në gjykatë.

    Me hyrjen në fuqi të këtij ligji shfuqizohet Ligji i më hershëm për Tubime Publike si dhe të gjitha dispozitat e akteve të tjera normative që bien në kundërshtim me këtë ligj. Ky ligj hyn në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës. /Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark