Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, në një intervistë të ish- deputetes së Partisë Demokratike të Shqipërisë, Grida Duma, mes tjerash ka deklaruar edhe qëndrimet e tij në lidhje me dy kryeministrat shqiptarë.
Për kryeministrin, Albin Kurti, me të cilin ndajnë qëndrime të ndryshme rreth pjesëmarrjes së Kosovë në nismën Ballkani i Hapur, Abazoviç tregoi se ka shumë simpati.
‘’Ai e lufton shumë korrupsioni dhe ka shumë simpati nga ana ime për kësi lloj pune’’, ka deklaruar ai.
Ndërsa Edi Ramën e ka përshkruar si njeri unik, i cili sipas tij nuk ka nevojë të ketë qasje nacionaliste brenda Shqipërisë.
’’Edi është një njeri unik, ai është artist. Edhe artistit nuk I takon të jetë nacionalist. Ai ka jap një kontribut shumë të madh për imazhin e Shqipërisë në nivel global dhe ashtu duhet të respektohet. Tjetër është percepsioni i nacionalizmit në kohën e ish-Jugosllavisë dhe tjetër është percepsioni i nacionalizmit në Shqipëri, ku ju 90 e sa për qind jeni shqiptarë, e ndryshe është në Mal të Zi, ku 40 për qind janë malazez, 30 serbë, 15 boshnjak, 5 shqiptarë, do me thanë është një kombinim. Në Bosnje është edhe ma kombinim. Në Shqipëri nuk ka nevojë të jetë nacionalist’’, ka thënë Abazoviç.
Gjithashtu, ai ka thënë se bashkë me Edi Ramën kanë shkuar në Ukrainë në kohën kur askush nuk guxonte ta takonte presidentin Zelenski.