Sipas Daniel Howes-it, mjek në Universitetin Queens të Kanadasë, lemza mund të shërbejë për nxjerrjen e ajrit nga stomaku. Në fakt, çdo gulçim sjell një kontraktim të kraharorit që prodhon thithjen e ajrit nga kraharori
Lemza është një kontaktim i pavullnetshëm dhe i përsëritur i diafragmës, e shoqëruar nga mbyllja e beftë e fytit në çdo spazmë, që prodhon tingullin karakteristik “hik”. Megjithatë, funksioni i këtij fenomeni ende nuk është i qartë.
Sipas Daniel Howes-it, mjek në Universitetin Queens të Kanadasë, kjo mund të shërbejë për nxjerrjen e ajrit nga stomaku. Në fakt, çdo gulçim sjell një kontraktim të kraharorit që prodhon thithjen e ajrit nga kraharori.
Në të shkuarën mendohej se lemza mund ta bënte më të lehtë zbritjen e ushqimit në ezofag, duke qenë se si proces ndodh më shpesh kur kafshatat nuk kapërdihen ashtu siç duhet.
Gjithsesi, kjo nuk shpjegon se përse lemza është e pranishme edhe te të porsalindurit, të cilët gëlltisin vetëm ushqime të lëngshme.
Madje, fakti që lemza është shumë më e pranishme gjatë fëmijërisë, të bën të mendosh se ky fenomen është mjaft i dobishëm për të vegjlit, e që më pas shfaqet në mënyrë rastësore dhe mjaft bezdisëse edhe te të rriturit.
Si një gromësimë
Daniel Howes e krahason lemzën me gromësimën. Pra si fenomen nuk është asgjë tjetër veçse një refleks themelor për mbijetesën e gjitarëve të vegjël, që duke u ushqyer me qumësht duhet që të koordinojnë vazhdimisht thithjen me frymëmarrjen e kjo bën që të gëlltisin ajër lehtësisht. Duke u zbrazur nga ajri i tepërt, stomaku mund të mbajë më shumë qumësht dhe kjo bën që edhe numri i përbërësve organikë ushqyes të jetë më i madh. Nëse te të rriturit lemza nis e të bëhet e shpeshtë, atëherë këshillohet që ata të bëjnë një vizitë te mjeku.
Si ta largojmë
Kur kemi qenë të vegjël, këshillat dhe marifetet e gjyshes për ta larguar lemzën bënin punë. Dhe ato mund të përdoren pa asnjë problem. Këshilla më e njohur, ajo për ta mbajtur frymën për 15-20 sekonda duket se e heq lemzën, sepse bën që diafragma të lëshohet dhe favorizon ndërprerjen e kontaktimeve. Edhe të pish, të teshtish, të hash një lugë sheqer apo një e trembur kur nuk e ke mendjen kanë efekt në diafragmë e kështu, lehtësojnë zhdukjen e shqetësimit.
Këto marifete bëjnë punë sepse influencojnë në ritmin e frymëmarrjes. Në fakt, lemza është në kontaktim ritmik dhe i pavullnetshëm i diafragmës, muskuli që përcakton zgjerimin e kraharorit kur merret frymë.
Lemza më e gjatë
Zakonisht, lemza zgjat pak minuta e më pas ikën. Në raste të rralla, për ta ndalur duhen ilaçe kundërspastike, të cilat shtendosin muskujt, ose duhet bërë qetësues.
Por ekziston një njeri, lemza të cilit i ka mbajtur aq gjatë se është regjistruar në librin Guinness. E këtu nuk bëhet fjalë për orë apo ditë, por për 68 vite me radhë. Amerikanin Charles Osborne e zuri lemza për rreth 7 dekada nga viti 1922 deri në 1990. Ai vitin e fundit të jetës, jetoi paqësisht pa shqetësimin e lemzës dhe vdiq në moshën 97-vjeçare