Pse nuk mund t’i besohet investigimit të OBSH mbi origjinën e Covid -19 - Insajderi
×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    Pse nuk mund t’i besohet investigimit të OBSH mbi origjinën e Covid -19

    Insajderi
    25 February 2021 - 09:09
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Nga Matthew Lesh

    Nga erdhi Covid-19? Më shumë se një vit pas rasteve të para, ne jemi ende larg përgjigjes për këtë pyetje thelbësore. Dhe për zhgënjimin e shumëkujt,konferenca e përbashkët për shtyp e javës së shkuare Organizatës Botërore e Shëndetësisë dhe qeverisë kineze, krijoi më shumë konfuzion sesa qartësi.

    Në fillim Kina e kundërshtoi plotësisht hetimin, dhe i pengoi ekspertët ndërkombëtarë që të vizitonin vendin ku u shfaq në fillim koronavirusi. Në fund kinezët u penduan për këtë sjellje. Megjithatë kanë vazhduar që të diktojnë anëtarësinë e grupit të investigimit, termat e referencës, lëvizjet dhe deklaratat e tij.

    Pavarësisht provave të forta për të kundërtën, qeveria kineze vazhdon të pohojë se virusi mund të mos e ketë fare origjinën në territorin e saj. Pekini ka paraqitur teori të ndryshme konspiracioni, përfshirë akuzën se Covid-19 ishte një armë biologjike e SHBA-së.

    Më së fundmi, zyrtarët kinezë kanë sugjeruar se Covid-19, mund të ketë ardhur nga një kafshë e sjellë nga jashtë apo përmes ushqimit të ngrirë të importuar. Origjina “më e mundshme” e Covid-19, siç thuhet nga paneli i hetimit, mbetet përhapja zoonotike përmes një bartësi të ndërmjetëm:nga lakuriqët e natës tek pangolinët, ose tek një specie tjetër, dhe pastaj tek njerëzit.

    Një mundësi tjetër është një transmetim i drejtpërdrejtë i virusit nga lakuriqët e natës tek njerëzit. Por edhe kjo teori është e paprovuar. Shkencëtarët nuk kanë qenë në gjendje që të gjejnë prova të Covid-19 në produktet e kafshëve në tregun e prodhimeve të detit Huanan, dhe në çdo rast, rastet më të hershme nuk kishin asnjë lidhje me tregun në fjalë.

    Sipas autoriteteve kineze, Covid-19 nuk është identifikuar as tek mostrat e lakuriqëve të natës në provincën e Hubeit, dhe as tek bagëtitë, shpendët apo kafshë të tjera të egra në mbarë Kinën. Dy teoritë e tjera në shqyrtim, janë ushqimi i ngrirë i importuar, dhe një rrjedhje e koronavirusit nga laboratori.

    Teza e dikurshme, dhe më e preferuara e qeverisë kineze, mbetet në tryezë, pavarësisht nga mungesa e provave të besueshme. Ndërkohë, hetuesit kanë deklaruar se ideja e një rrjedhje nga laboratori është “shumë e vështirë” për shkak të mungesës së provave.

    Por rrjedhjet laboratorike nuk janë ngjarje të pamundura, madje edhe nga vendet shumë të ruajtura. Në vitin 2004, virusi origjinal i SARS doli 2 herë nga Instituti Kinez i Virologjisë në Pekin. Në vitin 2007, një rrjedhje nga laboratori i kafshëve në Pirbrajt, SHBA, ishte origjina “e mundshme” e një shpërthimi të sëmundjes së këmbës dhe gojës (FMD).

    Gjithashtu, ne e dimë që Instituti i Virologjisë në Vuhan, po bënte eksperimente mbi  koronavirusët e lakuriqëve të natës. Prandaj është shumë e arsyeshme të vazhdohet hetimi i  hipotezës së rrjedhjeve laboratorike, së bashku me teoritë e tjera.

    Hetuesit e OBSH-së janë duke mbështetur teorinë e pabesueshme të mbështetur nga Kina, mbi importet e huaja, ndërsa e hedhin poshtë si “jashtëzakonisht të pamundur” teorinë për një rrjedhje nga laboratori, duke e minuar legjimitetin e tyre dhe ndjekjen e së vërtetës.

    Kjo nuk është hera e parë që OBSH-ja po tregohet egatshme që të pranojë në mënyrë jokritike pozicionet zyrtare të Kinës.

    Kreu i OBSH-së Tedros Adhanom, ka vlerësuar vazhdimisht “bashkëpunimin dhe transparencën” e Kinës. Por ndërkohëështë e mirë-dokumentuar, se autoritetet në Vuhan kanëcensuruar mediat sociale, kanë penguarpublikimin e raporteve mjekësore, dhe kanë arritur dhe ndëshkuar mjekët që bënë publike të vërtetën, përfshirë Li Wenliang që së fundmi ndërroi jetë për shkak të virusit.

    Në mesin se janarit të vitit 2020, OBSH-ja i bëri jehonë qëndrimit zyrtar të Kinës, se nuk kishte “asnjë provë të qartë të transmetimit nga njeriu në njeri”. Dhe këto pretendime, të cilat e vonuan reagimin e botës ndaj virusit, u bënëpavarësisht provave të qarta dhe në rritje për të kundërtën.

    Agjencia amerikane e lajmeve “Associated Press”, ka dokumentuar se si autoritetet, përfshirë presidentin kinez Xi Jinping, pritën 6 ditë për ta informuar publikun në lidhje me rrezikun e transmetueshmërisë së virusit midis njerëzve. Ndërkohë, kinezët lejuan që dhjetëra mijëra njerëz të merrnin pjesë në bankete të mëdha, dhe miliona të udhëtonin brenda dhe jashtë rajonit.

    Gjithashtu qeveria kineze në mënyrë të pashpjegueshme fshehu për 10 ditë sekuencën gjenomike të virusit, dhe priti me javë të tëra për të siguruar informacione mbi pacientët dhe rastet me Covid-19, duke krijuar frustrime të brendshme brenda OBSH-së.

    Tani, me gjithë bollëkun e gënjeshtrave dhe pengesave nga qeveria kineze, hetimi i OBSH-së mbështetet në raportet e zyrtarëve kinezë, në vend se të kryejë një hetim vërtet të pavarur. Për më tepër, siç shpjeguan Alina Çan dhe Mett Ridli në “The Wall Street Journal”, ekipi hetues i OBSH-së është i kompromentuar nga konflikte të mundshme të interesit.

    Një nga anëtarët, dr.Peter Daszak, ka lidhje të forta me Institutin e Virologjisë në Vuhan, dhe nënshkroi një deklaratë shkurtin e vitit të kaluar për të “dënuar teoritë e konspiracionit, që sugjerojnë se Covid-19 nuk ka një origjinë natyrore”.

    Reagimi i Kinës ndaj Covid-19 ishte sa i parashikueshëm aq edhe i parë më herët. Gjatë shpërthimit epidemik të SARS-it në vitet 2002-2003, Kina ndau shumë pak informacione, dhe bëri pak për të luftuar virusin. Historikisht, regjimet komuniste dhe të së majtës ekstreme, nga Bashkimi Sovjetik tek Gjermania Lindore, Kuba dhe Venezuela, kanë qenë armiqësorë ndaj çdo lloj kontrolli.

    Një shtet një partiak, i jep në mënyrë të pashmangshme përparësi mbijetesës së regjimit mbi hapjen, kritikën dhe ndershmërinë, që mund ta minojë fuqinë e tij. Nga katastrofa e reaktorit bërthamor të Çernobilit, deri tek uria e Holodomorit që vrau miliona njerëz në Ukrainë, zyrtarët lokalë u nxitën të fshihnin të vërtetën për të shmangur përgjegjësinë, ndërsa qeveria qendrore synon që të shmangë dëmtimin e reputacionit.

    Ndonëse nuk janë të përsosura, sistemet demokratike liberale i lejojnë zyrtarët dhe politikanët të japin llogari për gabimet e tyre nga një media e lirë, dhe në fund nga publiku gjatë proceseve zgjedhore. Ndërkohë, shkencëtarët janë të pavarur dhe të aftë që të shprehin mendimet e tyre pa frikë se mund të burgosen për mosndjekjen e vijës së partisë.

    Në sistemet komuniste, nuk ekzistojnë këta mekanizma të përgjegjësisë. Ndaj rezultatet janë më të dobëta. Krahasoni qasjen e Kinës me hapjen dhe transparencën e Britanisë së Madhe në përgjigje të shfaqjes së variantit të Covid-19 të Kentit dhe testimin e trajtimeve të reja, me shkencëtarët britanikë që ofrojnë mbështetje të rëndësishme mbi përgjigjen globale ndaj virusit.

    Madje, Britania e pranoi që kjo do të thoshte se vendet e tjera do të mbyllnin kufijtë për të shmangur kërcënimin, diçka që Kina dhe OBSH-ja nuk e pranuan në fillim të vitit të kaluar. OBSH është përthithur në mënyrë të turpshme në“orbitën” e Kinës.

    Për shumë shkencëtarë kjo ka të ngjarë të jetë pjesë e një përpjekjeje qëllim-mirë për të ruajtur qasjen dhe dialogun. Por kjo ka krijuar një problem me besimin. Si mund t’i besojë bota rezultateve të një hetimi nga një organizatë, që ka treguar një gatishmëri të përsëritur për të pranuar në mënyrë jo-kritike propagandën e Partisë Komuniste Kineze?

    Origjina e Covid-19, mund të mbetet përgjithmonë një mister. Ndoshta është një pyetje pa përgjigje. Turpi nuk është të mos gjesh një përgjigje, por të mos lejosh që kjo çështje të hetohet siç duhet. Këtë gjë ua kemi borxh miliona njerëzve që kanë humbur të dashurit e tyre, që u ka ndryshuar rrënjësisht jeta, dhe që vitin e kaluar kanë vuajtur në shumë mënyra.

    Shënim: Matthew Lesh, është kreu i kërkimeve në Institutin “Adam Smith”, Britani e Madhe. / “CapX” – Bota.al


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark