Është publikuar sot dokumentari që NPR ka realizuar mbi këngëtaren kosovare Dua Lipa, njofton Kultplus, transmeton Insajderi.
Rreth dhjetë minuta i janë përkushtuar këngëtares dhe jetës së saj, plus pesë këngëve që ajo i lansoi në një periudhë 1 vjeçare. Dhe kaq i janë dashur asaj që të mund të depërtojë në miliona fansa.
NPR nuk ka harruar që në dokumentar ta cekë edhe nominimin e Lipës në BBC Sound of 2016, albumin e saj në shkurt të vitit tjetër, dhe faktin se ajo mund të jetë një pop star i lindur.
Dokumentari është realizuar para se ajo të debutojë në Amerikë,në Jimmy Fallon Show. Dokumentari vetë titullohet “Dua Lipa dëshiron ta thyejë Amerikën”, në kuptimin që ajo dëshiron, dhe e thotë vetë në dokumentar, depërtimin edhe në industrinë muzikore në Amerikë.
Një pjesë e mirë e dokumentarit është incizuar në Nju Jork. Përmendet edhe Dukagjin Lipa, babai i Duas, një këngëtar i njohur në Kosovë. Toni Braxton e Nelly Furtado janë vetëm dy prej emrave që Dua i ka imituar kur ka qenë e vogël, e që më pas u bënë influencë për karrierën e saj.
Rreth minutës së pestë, paraqitet edhe koncerti i saj në Prishtinë, shkruan KultPlus.
Moderatori dhe krijuesi i dokumentarit, Jason King, i ka kushtuar këta minuta Lipës duke folur mbi arritjet e saj, planet e saj dhe faktin se pse Amerika është tokë kaq e rëndësishme për Lipën. /Insajderi.com