Policia e Kosovës ka gjobitur me 300 euro një shofere e cila është kapur duke drejtuar automjetin me shpejtësi 197 km/h në autostradë.
Ndëshkimi ndaj saj ka ardhur pasi vetë shoferja kishte publikuar video nga vozitja e saj në rrjetet sociale, duke bërë që autoritetet ta identifikojnë.
“Në bazë të video incizimeve të publikuara në rrjetet sociale, Njësia për Kontrollin e Autostradave ka arritur që të identifikojë shoferin i cili me automjetin e tij ka tejkaluar shpejtësinë e kufizuar në zonën e kufizimit të shpejtësisë prej 130 km/h, duke e drejtuar automjetin me shpejtësi 197 km/h”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Përveç gjobës prej 300 eurosh, policia ka bërë të ditur se shoferes i janë shqiptuar edhe 3 pikë negative.
Gjithashtu, asaj i është ndaluar drejtimi i mjetit me veprim motorik për një periudhë prej 3 muajsh.
