Punëtorët në Greqi kanë lënë punën të premten, në shenjë proteste për reformat e reja për tatime dhe pensione. Reformat janë pjesë e masave shtrënguese që duhet t’i zbatojë Athina, për t’u kualifikuar për fonde shtesë nga paketa e ndihmës ndërkombëtare.
Greva 48-orëshe, siç transmeton REL, ka nisur me urdhër të sindikatave të sektorit publik dhe privat.
Si pasojë e grevës, janë mbyllur disa shërbime, përfshirë udhëtimet me anije, mbledhja e mbeturinave dhe disa zyra të qeverisë.
Parlamenti i Greqisë duhet të votojë për riparimin e sistemit të pensioneve të dielën.
Nëse ligji kalon, Greqia do të rrisë kërkesat për kontributet në sigurimin social, do të rrisë tatimin e të ardhurave për njerëzit e pasur dhe do të krijojë një pension të ri kombëtar.
Masat shtrënguese kanë për qëllim të bindin kreditorët ndërkombëtarë për lirimin e parave shtesë për Greqinë. Greva e punëtorëve do të kulmojë me protesta të dielën.