Në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, kur në gjithë botën ngrihet zëri për të drejtat e punëtorëve, ish-zyrtari i ndërmarrjes publike Trepça SH.A, Afrim Barku, ka reaguar publikisht përmes një deklarate të drejtpërdrejtë dhe të detajuar, ku denoncon një varg shkeljesh sistematike brenda ndërmarrjes, shkruan Insajderi.
“Drejtësia nuk është çështje private – është obligim publik” shprehet Barku në fillim të reagimit të tij, duke theksuar se rasti i tij personal është vetëm një ilustrim i një krize më të thellë që po ndodh brenda Trepçës.
Sipas tij, në gusht-shtator 2024, Ushtruesi i Detyrës së Kryeshefit të Trepçës ka ndërmarrë veprime të kundërligjshme ndaj tij, duke e transferuar në mënyrë arbitrare nga pozita e zyrtarit të prokurimit në Mitrovicë në pozitën e zyrtarit të burimeve njerëzore në Kishnicë – jo vetëm duke e degraduar profesionalisht, por edhe duke e detyruar të udhëtojë mbi 110 km vajtje-ardhje çdo ditë.
“Vendimi është marrë në kundërshtim me kontratën time dhe pa asnjë bazë ligjore” thekson Barku, duke shtuar se Komisioni i Ankesave, i cili duhej të garantonte drejtësinë e brendshme, ka vepruar si “noter i vendimeve të paligjshme”.
Pasi ka ngritur ankesat e tij në rrugë institucionale, Barku tregon se është përballur me masa të tjera represive: pezullim nga puna me gjysmë page dhe më pas edhe largim i plotë nga puna – të gjitha të mbështetura nga komisione të formuara dhe të kontrolluara nga i njëjti udhëheqës.
Rasti ka përfunduar në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, e cila, sipas Barkut, ka rrëzuar të gjitha vendimet e ndërmarrjes si të kundërligjshme dhe ka urdhëruar kthimin e tij në punë dhe kompensimin e pagave të humbura.
Një tjetër institucion që i ka dhënë të drejtë është Inspektorati i Punës, i cili ka gjobitur Trepçën me një shumë prej 1500 eurosh për transferimin e paligjshëm të zyrtarit.
Por edhe përballë këtyre vendimeve, sipas Barkut, menaxhmenti i Trepçës ka zgjedhur të ankohet në Gjykatën e Apelit “vetëm për të blerë kohë” – ndërsa Bordi Mbikëqyrës i ndërmarrjes ka qëndruar në heshtje të plotë.