Kooperativës Bujqësore “Krusha”, e udhëhequr nga Fahrije Hoti, iu ka refuzuar aplikimi për një grant bujqësor nga Agjencioni për Zhvillim të Bujqësisë në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë. AZHB’ja i kishte thënë Hotit që të shkonte në gjykatë ta apelonte vendimin. Për këtë pati reagim të ashpër nga KB Krusha. Por, për ish-ministrin e Bujqësisë, Blerand Stavileci, zonja Hoti pati fjalë të mira.
Në një emision televiziv, Fahrije Hoti thoshte se Stavileci e kishte këshilluar dhe udhëzuar se si të veprojë në rastin e granteve dhe subvencioneve në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, shkruan Insajderi.
“S’du asnjërit me i thanë më i keq e as më i mirë, por Blerandi ka qenë djalë i Krushës. Djalë i Krushës ka qenë Blerandi, se nuk është e thane me të ndihmu me pare gjithë, sa është me të këshillu e me të udhëzu çka me ba. Jo veç unë po e bëj një kërkesë, po kërkoj prej ministrit pare… Por ka qenë gjithmonë, kur kam shku me kërku diçka, më ka këshillu kjo bën kjo s’bën”, kishte deklaruar ajo.
Por, ndryshe vepronte AZHB’ja nën mandatin e ministrit Peci me të mbijetuarën e masakrës së Krushës. Në një njoftim të djeshëm të KB Krushës në ‘Facebook’, thuhej se një vit më vonë, ministria e Pecit ia refuzonte kërkesën për grant me arsyetimin se “mungonin dokumentet plotësuese lidhur me trajtimin e ujërave dhe përshkrimin teknologjik të procesit të prodhimit”.
Sipas reagimit, AZHB’ja ia propozonte Hotit që të ndjekin rrugë gjyqësore për këtë.
“Pas vendimit të refuzimit, ne paraqitëm ankesë në përputhje me procedurat ligjore dhe shpresuam në një rishikim të drejtë dhe të paanshëm. Megjithatë, vendimi u kthye përsëri si refuzim, këtë herë duke u bazuar vetëm në një pikë të vetme, duke krijuar përshtypjen e një trajtimi të padrejtë. Agjencia sugjeroi që të ndjekim rrugën gjyqësore për ta sfiduar këtë vendim, por një procedurë e tillë paraqet sfida të mëdha për një organizatë si e jona“, thuhet ndër të tjera në reagim.
Grantin nuk arriti ta marrë zonja Hoti, por nga AZHB’ja përfituan njerëz të afërt me pushtetin. Pëveç Naim Huruglicës, Ministrisë së Bujqësisë për grantin 100-mijë eurosh “hairin” ia pa edhe Dardan Velija. Për këtë të fundit është përmendur në publik si dost i kamotshëm i Kurtit, i cili nën pronësinë publike të “Iron Consulting” figuron të jetë bashkëpronar me Huruglicën. Firma në fjalë fitoi grantin 100-mijë eurosh të destinuar për bujqësi nga Agjencia për Zhvillim të Bujqësisë (AZHB).
Në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (ARBK), bashkë me këshilltarin e jashtëm të ministrit Peci, Naim Huruglica, bashkëpronar i “Iron Consulting” figuron të jetë edhe Dardan Velija, shkruan Insajderi.
Velija ishte një nga anëtarët e hershëm të ‘Listës Guxo’ sa udhëhiqej nga Vjosa Osmani. Tash partia në fjalë i ka mbetur ta udhëheqë ministri i Bujqësisë, Faton Peci, prej nga firma e tij dhe e Huruglicës e fitoi grantin në vlerë prej 100 mijë eurove.
Ndonëse nuk kandidonte për deputet në zgjedhjet parlamentare të 2021-ës, emri i tij si prurje e re në listën e Osmanit u bë publik pas nënshkrimit të koalicionit parazgjedhor VV-Lista Guxo.
Sidoqoftë, Velija nuk u la pa u shpërblyer me një post në ndërmarrje publike. Vitin që shkoi, ai u përzgjodh kryeshef ekzekutiv në kompaninë për menaxhimin e deponive në Kosovë.
Se e mban këtë pozitë ende konfirmohet edhe në uebfaqen zyrtare të ndërmarrjes publike në fjalë.
Hiç më larg se në tetor të këtij viti kishte nënshkruar bashkë me ministrin e Financave, Hekuran Murati, marrëveshjen në vlerë mbi 12.6 milionë euro grant për përmirësimin e menaxhimit të mbeturinave në disa komuna.
“Kryeshefi Ekzekutiv i KMDK SH.A, Dardan Velija tha se ky projekt është qenësor për ndërmarrjen dhe për tërë vendin tonë. Ai theksoi se nëpërmjet këtij programi gjendja e deponive sanitare pritet të ndryshojë rrënjësisht dhe se këto deponi sanitare të cilat funksionojnë pa leje adekuate, do të shëndrrohen në deponi sanite me infrastrukturë moderne konform standarteve evropiane dhe rregullave mjedisore“, thuhej në komunikatë.
Deputeti i PDK’së, Bekim Haxhiu, bënte akuzë të rëndë ndaj Velijajt, pasi që ishte përzgjedhur kryeshef ekzekutiv. Ai e quante si “mik të Binçes së Kurtit”, kurse publikonte një raport policor të 17 janarit të 2004. Në të pretendohej se Kurti bashkë me Dardan Veliajn e Vlora Bajqniovcin kishin vizituar fshatin Binqe të banuar me serbë, ku në takim ishin edhe vëllezërit Donçiq themelues të organizatës “Bozhur”.
Pos tjerash, e akuzonte Kurtin se ndodhej nën qebe me Velijajn dhe “Jelena Bjelicën”.
Gazeta Insajderi raportoi edhe për Huruglicën, të suspenduar për një skandal me vajin disulfurik. Ai mbante pozitën e Drejtorit të Doganës së Kosovës, ku u suspendua nga kjo pozitë më 2008-ën në atë kohë nga ish-kryeministri Hashim Thaçi.
Atëkohë këtë vendim e merrte ministri i Ekonomisë dhe Financave (MEF) Ahmet Shala, vetëm pak orë pasi Thaçi në mbledhjen e qeverisë kërkonte ndëshkim ndaj atyre që lejuan futjen e mauneve në territorin e Kosovës.
“Duke u bazuar në kërkesën e Qeverisë , në bazë të përgjegjësive që ka Drejtori i Shërbimit Doganor ndaj këtij rasti, si dhe të gjetjeve të Zyrës së Auditorit Gjeneral të cilat janë të publikuara në raportin e fundit, e të cilat flasin për një numër të konsiderueshëm të shkeljeve dhe parregullsive në këtë shërbim, Ministri i MEF-it në bazë të kompetencave të përcaktuara me ligj, merr vendimin që të suspendojë përkohësisht nga posti i Drejtorit të Doganave, Naim Huruglica”, thuhej në vendimin e atëhershëm.
Lidhur me vajin disulfurik në Mitrovicë atëbotë ishte mbajtur një protestë.
Protestuesit thonin se kjo materie është helmuese dhe se shkaktonte pasoja në shëndetin e banorëve si dhe se dëmtonte florën e faunën.
Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor kishte shpallur tenderin për përzgjedhjen e një kompanie, e cila do të bënte asgjësimin e vajit disulfurik.
Mbi 50 tonë vaj disulfurik ishin vendosur në Mitrovicë pas konfiskimit të kësaj sasie nga doganierët dhe policia kosovare në kufirin me Shqipërinë.
Kjo materie kishte ardhur nga Irani dhe bënte pjesë në llojin e gazrave helmuese.
Huruglica më pas ishte rikthyer në punë. /Insajderi.org/