×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    ‘Pushtohet’ QKMF- ja në Drenas nga punësimet partiake, Insajderi sjell emrat

    Insajderi
    06 June 2023 - 19:09
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Konkursi për staf të QKMF-se në Drenas u përcjell me ankesa nga kandidatët si për pyetjet e përpiluara ashtu edhe për përzgjedhjen e bërë. Në rezultatet e publikuara nga kjo Komunë del se afro dhjetë persona janë të afërt me PDK-në , parti kjo që udhëheq Drenasin.

    Ky konkurs ishte hapur në shkurt të këtij viti për pozitat, mjek,  stomatolog, infermier, laborantë, teknik të farmacist. Por, nga rezultatet e shpallura me 22.05.2023 del se janë rehatuar të afërmit e zyrtarëve komunalë.

    Ndërsa akuza për punësimin e të afërmeve ka edhe për kryetarin e kësaj komune Ramiz Lladrovci.

    Gazeta Insajderi sjellë listën e emrave që janë të afërt me këtë parti

    Sipas dokumenteve të publikuara në faqen zyrtare të Komunës në këtë  konkurs ishin 249 kandidatët. Vendi u sigurua për persona të afërt me asamblist, zyrtar e drejtora të Komunës së Drenasit.

    Lista e kandidatëve të pëzgjedhur

    Asamblistes së PDK-së në Drenas, Blerina Gashi iu punësuan tre familjar.

    Gazeta Insajderi ka marrë vesh se i pranuari Bislim Gashi është vëllai i saj. Këtij të fundit iu punësua edhe gruaja, Arbnora Leci Gashi. Por, e njëjta është familjare edhe me të pranuarën tjetër, Arbërie Qorri.

    Në një përgjigje për Gazetën Insajderi, Blerina Gashi ka konfirmuar se janë pranuar familjarët e saj por që tha se ajo nuk ka ushtruar ndikim.

    Sa i përket pyetjes suaj, është e vërtetë që të tre personat që i ke cekur ti janë familjarët e mi, që të tre i kanë plotësuar kriteret e kërkuara në konkursin në fjalë, dhe unë si asambleiste nuk kam pas asnjë lloj ndikimi në konkurs“, tha ajo.

    Ndërsa Gazeta Insajderi po ashtu ka zbuluar se drejtoreshës se Administratës së Përgjithshme, Laureta Thaqi iu punësua vëllai.

    Liridon Thaqi u punësua në pozitën asistent/stomatologu.

    Drejtoresha në një prononcim për Insajderin ka mohuar ndikimin e saj në përzgjedhjen e vëllait të saj për këtë pozitë.

    Lidhur me pretendimet  e ngritura, ju njoftoj se komisioni ka qenë profesional, i pavarur, dhe unë nuk kam ushtruar asnjë lloj ndikimi, dhe as nuk kam qenë e përfshirë në asnjë hallk të vendosjes“, thuhet në përgjigjen e dhënë për Insajderin.

    Një emër tjetër që u punësua është edhe Manushaqe Prokshi. Insajderi ka kuptuar ajo është motra e zyrtares se Kabinetit të Kryetarit, Rrrezarta Prokshi.

    Zyrtarja e Komunës tha se nuk ka pasur ndikim që motra e saj ta fitoi këtë pozitë.

    Motra ime ka qenë e vetmja kandidate për pozitën në të cilën ka konkurruar. Kësisoj nuk ka pasur ndikim nga unë as nga askush tjetër. Për njoftim edhe unë isha kandidate për pozitën e infermieres në konkursin në fjalë por që nuk kam arritur të fitojë këtë vend të punës“, tha ajo për Insajderin.

    Personit në foto, drejtor i  Shërbimeve Publike dhe Emergjencë, Nexhmedin Gruda, i është punësuar kushërira e tij, Verona Gruda.

    Vetë drejtori në fjalë ka mohuar se e ka anëtare të familjes, megjithatë Insajderi ka kuptuar se e njëjta është e afërme e tij edhe pse jo në rrethin e ngushtë.

    Unë, me kompetencë të plotë ju them JO. Me personin qe ju e keni shënuar unë ndajë të njëjtin mbiemër por nuk e kam anëtare të familjes së ngushtë“, tha Gruda për Insajderin.

    Kushëriri iu punësua edhe ish-asamblistit të Drenasit, Përparim Bajraktari pasi Berat Bajraktari është punësuar Doktor i Stomatologjisë.

    Ish-asamblisti PDK-së, Bajraktari tha për Insajderin se nuk ka lidhje familjare me të.

    E kemi të njëjtin mbiemër, andaj jo vetëm që nuk e kam vëlla, por as nuk kemi afërsi familjare“, deklaroi ai.

    Por, afërsinë e tyre qoftë edhe miqësore e dëshmon një postim i këtij të fundit që tregon mbështetje për personin që u pranua.

    Akuza për kryetarin Llladrovci nga opozita e Drenasit

    Driton Ajazi-ish-kandidatë për kryetarë të Komunës së Drenasit tha se ky konkurs dëshmon nepotizmin dhe se po veprohet me logjik të vjetër.

    Nga rezultatet e shpallura nga ky konkurs na prezantohet praktika e njëjtë dhe logjika e vjetër, ku të gjithë të pranuarit kanë lidhje familjare në një formë ose tjetër me pushtetin aktual në Drenas. Një nepotizëm i skajshëm“, tha ai.

    Udhëheqësi i  “Demokratëve për Drenasin”,  përmes një postimi në “Facebook” ka akuzuar kryetarin Ramiz Lladrovci se ka punësuar një familjar të motrës së tij.

    Ajazi ka publikuar vetëm inicialet D.H. Por, Insajderi përmes burimeve ka kuptuar se personi i punësuar në këtë konkurs që Ajazi pretendon për afërsi me motrën e LLadrovcit është Dion Hajdari.

    Rreth dyshimeve të ngritura në këtë konkurs, Gazeta Insajderi ka provuar të kontaktojë edhe me Komunën e Drenasit por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark