Thuhet se qeni është miku më besnik i njeriut dhe ndonjëherë kjo besnikëri shkon deri në vetëflijim.
I tillë është rasti që mbërrin nga India, ku një qen i racës Doberman ka mbrojtur familjen e tij duke u përleshur deri në vdekje me 4 kobra që gjatë natës po i drejtoheshin banesës.
Kobrat dhe qeni janë përleshur për minuta me radhë. Dobermani ka shpërfillur rrezikun e helmimit dhe ka vazhduar derisa ka asgjësuar të katër zvarranikët, për të mbyllur më pas sytë përgjithmonë prej helmimit të marrë në gjak nga kafshimet e shumëfishta të gjarpërinjve.
“Jam i tronditur. Bëri sakrificën më të madhe për të më mbrojtur mua dhe familjen time. Do ta mbaj mend përjetë këtë!”, thotë i zoti i qenit, Dibakar Raita, i cili zbuloi gjithçka vetëm në mëngjes.
Ngjarja ka ndodhur në një fshat malor të rajonit Gajapati në Indi dhe në shenjë nderimi për heroizmin e qenit, i gjithë fshati i organizoi një ceremoni varrimi si të ishte njeriu.