Mandati i EULEX-it ka qenë arsyeja e takimit të mbajtur sot mes ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi dhe shefit të Operacioneve Civile të Bashkimit Evropian, Kenneth Dean, shefit të Zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar dhe Shefin e Misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë, Gabrielle Meucci.
Por sipas një komunikate të dërguar për media, gjatë këtij takimi, Kuçi dhe përfaqësuesit e BE-së, nuk qartësohet se çka specifikisht kanë rënë dakord në këtë takim.
Kanë dërguar thjeshtë një komunikatë në të cilën thuhet shumëçka por asgjë konkrete.
Aty thuhet se Kuçi dhe BE-ja, diskutuan çështjet që ndërlidhen me mandatin e EULEX-it në Kosovë, për pozicionet rreth kësaj çështje dhe nevojën për konkludim sa më të shpejtë të një marrëveshje.
“Ministri Kuçi shpalosi para të pranishmëve pozicionin e Kosovës dhe gatishmërinë e institucioneve të Kosovës për të ushtruar kompetencat në fushën e gjyqësorit”, thuhet në komunikatën për media.
Në anën tjetër, sipas kësaj komunikate, Dean njoftoi Ministrin Kuçi se Bashkimi Evropian është i interesuar për të ndihmuar forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë përmes misionit të BE-së dhe formave të tjera përderisa këto të konsiderohen të domosdoshme./Insajderi.com