×
  • Lajme
  • Hulumtime
  • Hulumtime/Analiza / Hulumtime

    Qeveria e lë Kosovën pa investimin prej 45 milionësh, reagon kompania: Vendim joserioz, njerëzit i kanë lënë vizat për këtë projekt

    Insajderi
    19 April 2023 - 16:40
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Në dhejtorin e vitit të kaluar Qeveria e Albin Kurtit ia kishte dhënë Statusin e Investitorit Strategjik, kompanisë europiane-britanike: “Moxico Kosova Mining L.L.C”. Por, vetëm pas katër muajve vendimi është anuluar me nënshkrimin e Kryeministrit, pa asnjë detaj tjetër shtesë.

    Anëtarët e kabinetit qeveritar të Albin Kurtit i kishin çuar duart përpjetë kur Kryeministri i kishte pyetur nëse janë për që kompania “Moxico Luma Kosova Mining” ta shpallej investitorë strategjik i Kosovës.

    Vendimi ishte marrë më 13 dhjetor të vitit të kaluar.

    “Konfirmohet vullneti i Qeverisë për t’i proceduar Kuvendit të Republikës së Kosovës Vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës Nr. 13/50 të datës 21 dhjetor 2020, për dhënien e Statusit Investitor Strategjik për Subjektin Investues “Moxico Kosova Mining L.L.C” me Nr. 8628, të datës 19 nëntor 2020”, thuhet në vendimin e Qeverisë, shkruan Gazeta Insajderi.

    Vendimi i Qeverisë për dhënien e Statusit Investitor Strategjik | 13.12.2022

    Por, vetëm katër muaj më pas – Qeveria e ka anuluar këtë vendim, pa thënë arsyet e shfuqizimit të këtij investimi.

    “Qeveria e Kosovës, ka mbajtur mbledhje elektronike në të cilën ka shfuqizuar Vendimin 04/112 të datës 13 dhjetor 2022 me të cilin ishte konfirmuar vullneti i Qeverisë për t’i proceduar Kuvendit të Kosovës, Vendimin 13/50, të datës 21 dhjetor 2020, për dhënien e Statusit Investitor Strategjik për subjektin investues Moxico Luma Kosova Mining LLC”, thuhet në arsyetimin e Zyrës së Kryeministrit, shkruan Gazeta Insajderi.

    Shfuqizimi i vendimit të Qeverisë për dhënien e Statusit Investitor Strategjik | 18.04.2023

    Ministrisa e Industrisë, Ndërrmarrësisë dhe Tregtisë në një përgjigje për Gazetën Insajderi ka thënë se vendimi i Qeverisë është mbështetur në Ligjin për Investimet Strategjike.  

    Ky Ligj, sipas MINT i mundëson Qeverisë ndërmarrjen e masave, dhe specifikon edhe të drejtën e revokimit të vendimit për dhënien e statusit projekt strategjik edhe përgjatë përgatitjeve apo edhe zbatimit të projektit investues.

    “Në rast se përgjatë përgatitjeve dhe zbatimit të projektit investues strategjik, Komisioni merr dëshmi të reja në bazë të të cilave konstaton dhe vërteton se në projektin investues ka të dhëna të pavërteta apo ndryshim të të dhënave, mbi bazën e të cilave nuk do të ishte vendosur për dhënien e statusit të investimit strategjik, Qeveria e revokon vendimin për dhënien e statusit investim strategjik”, thuhet në pikën 1 të nenit 14 të këtij Ligji, ligj ky të cilin e ka cituar MINT në përgjigjen e dhënë për Gazetën Insajderi.

    Gazeta Insajderi i ka shkruar Zyrës së Kryeministrit për ta marrë një koment mbi këtë çështje, por e njëjta nuk ka kthyer përgjigje.

    Drejtor i “Moxico Kosova Mining L.L.C”: Vendimi joserioz

    Informacione mbi anulimin e vendimit për shpalljen e investitorit strategjik nuk ka Burim Asllani, drejtor i “Moxico Kosova Mining L.L.C”.

    Ai në një deklaratë për Gazetën Insajderi, ka thënë se nuk është informuar zyrtarisht për shfuqizimin e vendimit.

    “E kam marrë me shqetësim, me habi, nuk po më duket diçka reale – një herë e miratoi – pastaj e shfuqizoi, minimumi çka mundem me thënë është joserioze”, ka thënë Asllani për Gazetën Insajderi.

    Ai thotë se planifikonin t’i hapnin rreth 300 vende pune.

    “Njërëzit janë bë gati me fillu me punu, kanë shprsu me punu, ka njërëz që i kanë refuzu vizat që kanë pas me shku jashtë Kosovës me punu – e tash Qeveria e ka marrë këtë vendim. Është zhgënjyese”, tha tutje drejtori i “Moxico Luma Kosova Mining L.L.C” për Gazetën Insajderi.

    Qeveria e ka shfuqizuar vendimin pavarësisht se çështja është diskutuar së paku dy herë në Komisionin Ndërministror për Investime Strategjike që udhëhiqet nga Ministria e Industrisë, Ndërrmarrësisë dhe Tregtisë.

    I bie se të gjithë ministrat përgjegjës nuk kanë votuar vetëm kot për po më 13 dhejtor të vitit 2022, pasi fillimisht ata e kishin diskutuar dhe shqyrtuar dokumentacionin e kompanisë “Moxico Luma Kosova Mining” për shpalljen e saj investitor strategjik.

    Gazeta Insajderi e ka pyetur Zyrën e Kryeministrit dhe Ministrinë e Industrisë, Ndërrmarrësisë dhe Tregtisë, përse vendimi është anuluar, pasi fillimisht ishte diskutuar nga dikasteret përkatëse, por asnjëri nga institucionet nuk ka kthyer përgjigje.

    “Është diçka që është vlerësuar nga kjo Qeveri – projekti nuk ka të bëjë me kurrfarë kundërthënie ligjore”, tha Asllani i cili tashmë zbulon se e ka njoftuar bazën e kompanisë evropiane-britanike për vendimin e Qeverisë të nënshkruar nga Albin Kurti.

    Drejtori i “Moxico Luma” për Kosovë tha se “shfuqizimi i vendimit nga Qeveria do të ketë pasoja edhe tek investitorët tjerë seriozë që kane qenë duke e shqyrtuar investimin në Kosovë”.

    Çka do të investonte “Moxico Luma Mining” në Kosovë?

    Sipas vendimit fillestar të marrë më 21 dhjetor 2020 nga Qeveria e Avdullah Hotit, “Moxico Luma Kosova Mining L. L. C.” – investitor strategjik i Kosovës, do të investonte 45 milionë e 80 mijë e 383 euro, për një periudhë pesë vjeçare

    Investimet ishin paraparë të kryheshin për gjatë periudhës pesë vjeçare, dhe do të realizohet në fshatrat Gumnishtë, Vllahi dhe Karaçë të komunave Mitrovicë dhe Vushtrri, shkruan Gazeta Insajderi.

    Vendimi i Qeverisë për dhënien e Statusit Investitor Strategjik | 21.12.2020

    Në vitin 2020, atë kohë ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, kishte dhënë detaje të investimeve nga kjo kompani.

    Sipas tij ky projekt në vete do të ngërthente nxjerrje, studime të ndryshme të pasurive nëntokësore që gjendeshin në komunën e Vushtrrisë dhe të Mitrovicës, njëkohësisht projekti do të implikonte një numër të konsiderueshëm të ekspertëve vendorë dhe ndërkombëtarë.

    “Përfitimin e statusit të investitorit strategjik në periudhën afatmesme 2021-2025, ”MEXICO LUMA KOSOVA MINING.L.L.C.”, si investitor strategjik do të implementojë projektin si në vijim: projektin i cili në vete do të ngërthejë nxjerrje, studime të ndryshme të pasurive nëntokësore që gjenden në komunën e Vushtrrisë dhe të Mitrovicës, njëkohësisht projekti do të implikojë një numër të konsiderueshëm të ekspertëve vendorë dhe ndërkombëtarë”…

    ”MEXICO LUMA KOSOVA MINING.L.L.C.” në vlerë prej 45 milionë e 80 mijë e 383 euro… do të përfshijë në vete edhe sistemin arsimor, një bashkëpunim të ngushtë do ta ketë edhe me Universitetin e Mitrovicës dhe komunat përkatëse. Faktor kyç i projektit është që shumica e lëndëve së përpunuara do të eksportohen, gjë që do të ngrejë edhe ekonominë e vendit dhe eksportin”, kishte thënë ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, shkruan Gazeta Insajderi.

    © Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark