Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet të korrigjojë marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi nëse nuk dëshiron që të rrezikojë edhe liberalizimin e vizave për qytetarët e vendit.
Sipas tij, në rast se Qeveria nuk e korrigjon këtë marrëveshje, atëherë ajo nuk do të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës ashtu sic është kërkuar nga Komisioni Evropian.
“Ata po gënjejnë, gënjen Mustafa, Thaci, Skënder Hyseni, Murat Meha. Kjo gënjeshtër nuk mundet me u fsheh gjithë jetën. Ma mirë është me shku me e korigju tash që me e sjell në parlament për ratifikim. Në rast se nuk korrigjohen, këta mbajnë përgjegjësinë e dështimit të ratifikimit”, ka thënë Haradinaj në një intervistë për RTK-në.
Komisioni Evropian ka propozuar këtë javë liberalizmin e vizave për qytetarët e Kosovës. Por, Komisioni ka thënë se ratifikimi i marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi mbetet kusht për Kosovën.
Të premten, edhe Jakup Krasniqi nga Nisma ka thënë se vendi nuk duhet të humb tokë për shkak të liberalizimit, duke iu referuar të njejtës marrëveshje demarkacioni./Insajderi.com